Shkullaku: Pas protestës, aksioni i duhur i opozitës, është djegia e mandateve

Armand Shkullaku në një intervistë për gazetarën Mapo i ka bërë thirrje opozitës që pas protestës aksioni tjetër i duhur do të ishte djegia e mandateve të deputetit. Duket se Shkullaku i është bashkuar thirrjes së ish-kryeministrit Sali Berisha për djegien e mandateve të deputetëve.

Është hera e parë pas ikjes së Berishës si kryetar i PD-së dhe Ilir Metës si kryetar i LSI-së, që dy partitë PD-LSI bëhen bashkë në një protestë të madhe. Sa besoni se frymëzojnë Lulzim Basha e Monika kryemadhi, me këtë protestë?

Protesta nuk është as e Lulzim Bashës dhe as e Monika Kryemadhit. Pyetja do të ishte mirë të shtrohej nëse kanë arsye shqiptarët të protestojnë. Protestat jo domosdoshmërisht duhen lidhur me fatin politik të atyre që i thërrasin ato. Nëse Basha, Kryemadhi apo Edi Rama, frymëzojnë ose jo, këtë përgjigje në një vend normal demokratik, do ta jepte i vetmi test i saktë, që janë zgjedhjet. Frymëzimi është një term mjaft i ekzagjeruar për politikanët shqiptarë. Përveç fushatës zgjedhore të vitit 2005, unë nuk di ndonjë politikan shqiptar që të ketë sjellë frymëzim apo ndryshim të qeverive nëpërmjet frymëzimit. Këtu qeveritë kanë rënë si pasojë e dështimeve të tyre, kur kanë mbërritur fundin dhe jo si rezultat i alternativave frymëzuese apo i liderëve që ngjallin besim. Shpesh, qeveritë që kanë dështuar në objektivat dhe premtimet e tyre, që janë kapur nga korrupsioni, abuzimi, shpërdorimi i besimit për interesa ngushtësisht përfitimi dhe jo shërbimi, ndonëse kanë qenë të forta në numra, ka mjaftuar një skandal, një ngjarje, për t’i tronditur dhe për t’i vënë përballë fundin të pashmangshëm. Prandaj do të thoja që çështja sot shtrohet nëse kjo qeveri në mandatin e saj të dytë a lëshon më sinjale shprese se do të dalë nga kazani i interesave të një kupole dhe a do të bëjë diçka të qenësishme në shërbim të qytetarëve? Unë mendoj se Edi Rama nuk e ka as mundësinë dhe as vullnetin për të ndryshuar tablonë e errët që ka pikturuar në këto 4 vite e gjysmë. Më keq akoma, ngjarjet e fundit treguan hapur se ai është peng i sistemit të inkriminuar dhe të korruptuar që ndërtoi vetë. Dhe kur nuk ka më shpresë, sigurisht që protesta qytetare është një reagim legjitim për të kundërshtuar një gjendje që s’ka ndërmend të ndryshojë. Dhe kur thashë në fillim, se në një vend normal demokratik, zgjedhjet janë një mundësi për t’i hapur rrugë ndryshimit, mendoni se si janë katandisur ato në Shqipëri. Jo thjesht sepse kontrollohen nga më i forti, por edhe kur prodhojnë rotacion të qeverive, nuk sjellin asnjëherë ndryshim të modelit qeverisës. Njerëz të ndryshëm, kalërojnë të njëjtin sistem të kalbur. Në këtë kuptim protestat duhen edhe si reagim ndaj qeverisë, por edhe si presion ndaj atyre që kërkojnë të jenë alternativë e saj.

Ne e pamë se si u zhvilluan zgjedhjet e fundit. Duke lënë mënjanë problemet serioze të opozitës, ajo që duhet të na alarmojë ishte shfaqja hapur e arrogancës dhe kontrollit të qeverisë mbi votën e lirë të qytetarëve. Njerëz kryesorë që udhëhoqën fushatën e socialistëve, deri tek ish-ministri i Brendshëm, sot janë nën akuzë për lidhje me krimin e organizuar. Kupola e policisë është në kërkim për bashkëpunim me trafikantët e drogës, që në fushatë ishin më aktivë se kurrë. Kryetarë bashkish apo kandidatë për deputetë, me të shkuar kriminale, mobilizuan kontingjente “të fortësh”, për të bërë presion mbi votuesit. Paratë e biznesmenëve klientë të pushtetit, mediat tradicionale dhe një pjesë e elitës intelektuale u vunë në shërbim të ruajtjes së status quo-së, pikërisht nën justifikim se ata të tjerët, opozita, nuk janë më të mirë apo nuk janë ende të përgatitur për të ardhur në pushtet. Pra, duke u marrë me defektet e kundërshtarit, legjitimohet pushteti i atij që është provuar se po e dëmton vendin çdo ditë e më shumë. Pranohet e keqja më e madhe si mungesë e një alternative më të mirë. Prandaj mendoj se sot është koha kur pak rëndësi ka të shihet se kush thërret për protesta, më e rëndësishme është rritja e ndërgjegjes së shoqërisë për të refuzuar të keqen. Ajo duhet luftuar pa u ndikuar se kush do të vijë nesër. Nëse krijohet ky reagim shoqëror, gjithkush që do të vijë në pushtet nuk do t’i bëjë llogaritë me kundërshtarin por me premtimet dhe angazhimet që ka marrë para shqiptarëve. Nëse i ka mashtruar ata duhet të largohet, qoftë edhe protesta.

Fillimisht, opozita e shpalli protestën e 27 majit, për shkeljen e pretenduar të Kushtetutës në procesin e zgjedhjes së prokurores së Përgjithshme. Më pas u shtuan argumente të tjerë pse duhet protestuar. Besoni se krijon një farë çoroditje ndryshimi i mesazhit?

Sigurisht që opozita duhet të jetë shumë e kujdesshme në kanalizimin e revoltës qytetare. Çdo hutim i saj, ndikon në orientimin e një proteste masive. Por e përsëris, që në kohët që jetojmë, më i rëndësishëm se titulli i protestës është ndezja e saj. Nëse njerëzit kanë arsye sot të dalin në rrugë sepse ndihen të anashkaluar, më të pasigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre, më me pak shpresë për një jetë normale, më të keqtrajtuar në dyert e pushtetit, më të pafuqishëm përballë sëmundjeve, çmimeve të larta, krimit, atëherë mjafton një shkëndijë për t’i dhënë flakë zemërimit të tyre. Se në çfarë shkalle është ky zemërim sot, këtë do ta shohim në 27 janar.

Protesta e 27 janarit, është e dyta e këtij lloji pas asaj të 18 shkurtit të vitit që shkoi, e cila u pasua nga çadra. Çfarë pritet nga opozita pas 27 janarit?

Nga opozita priten akte të forta. Nëse çadra e ngriti shumë lart stekën e kundërshtimit opozitar, deri në bojkotin e zgjedhjeve, çdo formë tjetër proteste që do të pasojë nuk mund të bjerë më poshtë. Këtë opozita nuk mund ta arrijë vetëm me fjalime dhe përbetime. Fatkeqësisht ajo e ka humbur mundësinë e lidhjes me fjalë me njerëzit që duhet ta besojnë. Prandaj duhet t’u dëshmojë atyre me veprime se këtë herë është vërtet në anën e tyre. Djegia e mandateve do të ishte aksioni i duhur për të treguar se edhe opozita është e gatshme të zbresë në pozitën e atyre që kanë dalë në rrugë.

/Mapo.al