Në burgjet italiane rreth 2600 shqiptarë

Kjo shihet nga të dhënat ministrisë së Drejtësisë, që thonë se më 31 dhjetor 2017, në burgjet italiane mbahen 19.745 të huaj, dhe nga këta, 13,2% apo 2.598 persona janë shqiptarë.

Më të shumtë në numër, janë vetëm marokenët,  3.703 vetë apo 18,8%. Menjëherë pas shqiptarëve renditen rumunët me 2.588 të burgosur (13,1%) dhe tunizinët me 2.112 të burgosur e që përbëjnë 10,7% të të burgosurve të huaj. Nga shqiptarët, janë vetëm 28 gra që nuk përbënë as 1,1%, ndërsa për të gjithë të huajt përqindja e grave shkon në 4,6.

Nga të gjithë të burgosurit, italianë e të huaj, një pjesë e mirë akoma nuk e kanë marrë dënimin përfundimtar. E nëse për italianët rezulton që 31% janë në pritje të dënimit përfundimtar, për të huajt kjo vlerë është shumë më e lartë: janë në pritje të dënimit 40,9% të burgosur të huaj. E thënë në vlera absolute: nga 19.745 të burgosurit e huaj, 8.082 janë akoma në pritje të sentencës përfundimtare. Përsa u përket shqiptarëve, janë në pritje të dënimit përfundimtar 1.067 të burgosur (prej këtyre 17 gra) apo 41,1% e të gjithë shqiptarëve në burgje.
Kjo ndodh sepse të huajve u mohohen shpesh disa masa alternative të burgut për shkak të mungesës së një shtëpie të përshtatshme e për shkak se shpesh të huajt e burgosur janë me qëndrim të parregullt e as nuk e kanë një vendqëndrim të verifikueshëm.

1 / 1

Të burgosur shqiptarë ka në të gjitha krahinat, por janë të përqëndruar në burgjet e Lombardisë (540 vetë), Toskanës (295), Emilia Romagnas (268), Lazios (255) dhe Piemontes (241), ku praktikisht qëndrojnë 61,5% e të gjithë shqiptarëve të burgosur, shkruan shqiptariitalise. Nga të dhënat historike të viteve 2007-2017, rezulton që numri i shqiptarëve në burgje, ka luhatur mes 2.235 (në vitin 2007) dhe 2.920 (vlerë e vitit 2012, kur është regjistruar më e larta). Në vitet 2014-2016 numri i tyre ka qenë thuajse i njëjtë (2.437 në 2014-tën, 2.423 në 2015-tën dhe 2.429 në 2016-tën) dhe ka pësuar një ngritje me mbi 150 vetë gjatë vitit të shkuar. Në këta 11 vjetët e fundit, shqiptarët kanë përbërë gjithnjë nga 11,5% deri në 14% të të gjithë të burgosurve të huaj në burgje.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments