Nga Artur Zheji: Të protestosh do të thotë të jetosh dhe të mos mbetesh pjesë e ushtrisë së stërmadhe të të harruarve të kësaj toke.

Aktualitet Shkrime

Protesta është të shprehurit e pakënaqësisë se gjërat shkojnë qëllimisht keq, se pushteti duhet të shkundet, se burokrati duhet të trembet, se spitalet s’duhet të vrasin por të shërojnë, se buka dhe gjella nuk mjafton, se jeta nuk është e sigurtë dhe sepse të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfërit më të varfër.

Por mbi të gjitha, ai që del në shesh, ndryshe nga ai që mbetet një psherëtitës në FB, bashkon zërin e vet dhe adrenalinën e vet, për një çështje që tejkalon kufijtë e vetes, për një marrëdhënie më të ndershme ndërmjet njerëzve që jetojnë mbi të njëjtën tokë. Në një lloj mënyre, të protestosh do të thotë të jetosh dhe të mos mbetesh pjesë e ushtrisë së stërmadhe të të harruarve të kësaj toke.

Vërtet shumëkush ka dyshimet e veta të arsyeshme, se përse shërben “Protesta”? A është protesta pjesë e një loje politike? Mos vallë Basha dhe Kryemadhi, janë në vetëmbrojtje dhe duan ti tregojnë dhëmbët kryeministrit? A shkon pra kjo Protestë, në interesin tonë, apo në interesin e tyre?

Dyshimet janë të arsyeshme, ato nuk duhet të lihen mënjanë asnjëherë, por braktisja e vetvetes, si një qenie shoqërore është akoma më e tmerrshme dhe më fatkeqe. Të qëndrosh mbyllur në kafene apo në ndonjë klub bastesh, do të thotë të vetë përjashtohesh, duke u shëndruar në një identitet pa ngjyrë. Dhe mos harroni se shoqëria, ashtu sikundër edhe natyra, është e pamëshirshme me identitetet pa ngjyrë dhe herët a vonë i shfaros ato.

Nuk them se kjo është e drejtë, por kështu ndodh, veçse nëse keni ndonjë supertalent, gjë që ndodh shumë rrallë sepse natyra është shumë kurnace në dhurimin e supertalenteve. E pra, nëse doni të jeni pjesë e Peshores së shoqërisë, koha e keqe që jetojmë kërkon angazhim dhe kush është i shpërfillur duhet të protestojë, duke britur me sa zë ka në kokë: “Ej, ju të ngopur dhe të dhjamosur, jam edhe unë këtu dhe dua hisen time të Diellit mbi këtë tokë, sepse Zoti na ka lindur të barabartë!” Në të vërtetë ju them: Nuk keni rrugë tjetër, që të mos mbeteni rrugëve të shpërfillur!… 360grade.al/