Nga Arian Galdini/ Përgjigje për Artur Zhejin dhe falenderimin e tij në 360gradë

Aktualitet

Zheji falendero Çimin, Çimi le të falenderojë Markun!

Kam kohë që përdor facebookun. Herë me tepri, e herë të tjera me përtesë. Shkruaj shumë në facebook kur nuk kam asgjë pēr të thënë, e krejt pak kur kam shumë për të thënë.

Mbrëmë kam bërë një “shprazje” krejt të çlirët për ç’ka e si u ndjeva pasi ndoqa 360gradë të Zhejit në Ora News, pikërisht sepse dje ishte nga ato ditë kur kam shkruar shumë në facebook sepse nuk kam pasur asgjë pēr të thënë.

E ndodh shpesh ky përshtjellim që ngase e kur nuk kemi gjëra për të thënë, ia nisim e meremi me emra e ngjarje të ditës.

Jam edhe unë viktimë e kētij përshtjellimi që në shoqërinë tonë është kthyer në fenomen.

Kërkoj ndjesë që jam bërë lajm, pikërisht në ditën më të zbrazët timen.

Kam shkruar ashpër por siç jam ndjerë sinqerisht ama, për emisionin e Zhejit mbrëmjen e së martës.

E megjithatë nuk meritoj asnjë falenderim nga Zheji e askush për këtë, sepse bëj pjesë tek ata njerëz që nuk ndjej asnjë ngazëllim kur bëhem apo bëj lajm me “kotësi”.

Arsyeja tjetër pse e përjashtoj veten nga falenderimi i Zhejit është parimi im për të mos hyrë kurrë mes dy miqve, sikurse Artur Zheji dhe Çim Peka janë.

Unë në një ditë e mbrëmje të zbrazët kam përdorur Markun e facebook për të thënë diçka kur s’kisha asgjë për të thënë.

Çimi më ka përdorur mua, për të mos folur meqë e ka mik Zhejin e kanë shumë për ti thënë njëri – tjetrit.

Me thënë të drejtën, më duhet mua ta falenderoj Zhejin, sepse mua më ka bërë lajm e më ka botuar në portalin e tij 360gradë kur nuk kam pasur gjë për të shkruar në facebook sepse kam pasur shumë për të thënë e për të bërë.

Me Zhejin nuk jam takuar kurrë në jetën time as kam pirë ndonjëherë kafe me të.(Përveç një kafeje në një tryezë të madhe nga ato të Sazan Gurit.)

Vetëm jemi përshëndetur ndonjëherë kur jemi shkëmbyer ndokund.

Çimin e njoh prej më shumë se dy dekadash dhe mund të them pa mëdyshje se e kam mik e madje kam qenë edhe në dasmën e tij.

Por e vërteta është se Zheji me portalin e tij 360gradë më ka bërë lajm e më ka botuar kur unë kam shkruar artikuj e bërë aktivitete, pra kur kam pasur gjëra për të thënë e për të bërë.

Ndërsa miku im Çimi ka përdorur në plotësi lirinë dhe të drejtën e tij, për ta bërë këtë gjë, vetëm kur i ka dashur kokrra e qejfit atij.

Më së shumti, ka zgjedhur të bëjë lajme me mua, kur unë nuk kam pasur gjë për të thënë e bërë, kësisoj kam shkruar në facebook.

Prandaj, Zheji ta ripërsëris.

Ti falendero mikun tënd Çimi dhe vetëm atë.

Dhe miku im Çimi le të falenderojë Markun e facebook.

Ndërkohë një sqarim të vogël për axhendën e fëlliqur.

Meqë durimi është fjalë e madhe kur shkruhet saber në persisht, po vazhdoj ta mbaj edhe unë të vogël fjalën ditar, e të vijoj me fjalën axhenda që na vjen nga latinishtja e duket e madhe.

Kur shkruaj për axhendë të fëlliqur, nuk kam asgjë personale e as dyshuese për Zhejin si gazetar, analist, moderator, mendimtar, zë publik e njeri.

Nuk guxoj ta bëj këtë.

E kam në tërësi me mediat shqiptare, dhe këtu për çudinë e të gjithëve ndaj të njëjtin mendim me Edi Ramën, por jo qëllimet dhe motivet e tij.

Mediat shqiptare e gatuajnë të gjithë furtunën e tyre në 3-4 Kujdestarë Shtypi të Liderëve e Partive kryesore, në 2 – 3 hotele luksoze, në pak tavolina miqësie personale apo të deleguar, me listëporosi, tarafe dhe qoka.

Misionarizmi ka rënë.

Kjo më shqetëson mua si qytetar, pedagog dhe aktivist.

Zhejin e lexoj me ëndje sepse shkruan bukur.

Emisionin 360gradë në Ora News, nuk e kisha ndjekur sepse kam disa muaj që jam abonuar në një platformë prej ngaku mund të shoh filma të mrekullueshëm e ndjek programe frymëzuese në anglisht ose italisht.

Mbrëmjet televizive në Shqipëri janë pothuajse si seri të keqlidhura të të njëjtës telenovelë Venezueliane.

Janë 50 njerëzit e përhershëm që shëtiten në çdo studio e emision televiziv dhe janë edhe fytyrat e reja që vijnë nga tavolinat, arsyet a kujdestarët që përmenda më sipër.

Kaq e thjeshtë është.

Ndaj e falenderoj Zhejin që më përfshiu në falenderimin e tij dhe përfitoj nga rasti që ti bëj thirrje të gjithë gazetarëve e mediave shqiptare që të ndryshojnë axhendën që të mos vrasin edhe durimin e qytetarëve bashkë me shpresën e tyre.

Dhe qytetarët nuk e dinë fjalën e madhe perse, saber.

Mund të vijë ai momenti kur qytetarët do të shohin tek çdo Sabri, një të revoltuar.

Jemi i vetmi vend në botë ku mendimi kritik apo analistët kritikë paguhen me mijëra euro në muaj.

As në SHBA nuk ndodh.

Steve Banon sapo e humbi punën e tij si Kryeredaktor, sepse guxoi të kritikojë ish Shefin e tij, Presidentin e SHBA Donald Trump.

Diferencën në SHBA e Perëndim, e bëjnë guximtarët, të cilët nuk bëjnë kompromis me misionin e tyre publik as kur nuk paguhen e as kur paguhen marramendësisht.

Shërbimi dhe misioni publik nuk është dekriptimi i skutave të politikës.

Dekriptimi është interpretim.

Një shoqëri që informohet a bombardohet çdo ditë e çdo natë me dekriptime e interpretime, është shoqëri e dënuar për ta humbur lirinë dhe aspiratat.

Jemi bërë i vetmi vend në botë, ku Kryetarët e Partive dhe Partitë, nuk komunikojnë më me qytetarët nëpërmjet politikanëve, por nëpërmjet portaleve, gazetarëve dhe analistëve.

Prandaj Kryetarët e Partive i mbushin partitë dhe institucionet me kaqola, sepse tani e kanë asgjësuar të drejtën e publikut për informim dhe llogaridhënie.

Asnjë nga kaqolat që zgjedhin Kryetarët nuk ka pse të shqetësohet.

Studiot televizive, mediat, portalet, analistët bëjnë servisin e shfaqjes publike të kaqolave dhe të interpretimit të Kryetarëve.

Kjo është e dhimbshme sepse po degradojmë në kaqolokraci.

Këto shpjegime të fundit, nuk i kam për ty Zheji, por për të gjithë gazetarët dhe mediat shqiptare.

Madje nëse do shkruaja për ty, nuk do të mund të mos të të shprehja respektin dhe vlerësimin tim për modelimin e hirshëm intelektual që përfaqëson.

Faleminderit që më përfshive në një falenderim të pamerituar.

Arian Galdini

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?