Shpërthen Idrizi/ Rama e preu në besë PDIU

Aktualitet

-Shpëtim Idrizi, ka lëshuar akuza të forta  ndaj kreut të qeverisë dhe tregon pazaret që u bënë për të nxjerrë jashtë Parlamentit PDIU: Enver Hoxha i harroi çamët, ju i tradhtuat.

Shpëtim Idrizi, kryetari i PDIU ka shpërthyer dje kundër ish-aleatit dhe kryeministrit Edi Rama. Në përvjetorin e shoqatës “Çamëria”, ai ka folur hapur për pazare, tradhti dhe shitje të interesave të çështjes çame nga Edi Rama. Në një fjalim të ashpër, të parin që pas humbjes së zgjedhjeve dhe daljen e tij jashtë Parlamentit, Idrizi fajësoi Edi Ramën si njeriun që tradhtoi jo thjesht PDIU, por gjithë kauzën e Çamërisë. Ai e krahasoi qëndrimin e Edi Ramës edhe më të rëndë se ai i diktatorit Hoxha, lidhur me çështjen çame. “Enver Hoxha e dënoi me harresë dhe heshtje, të tjerët që erdhën pas zgjodhën ta dënonin me dredhi”,- tha Idrizi.

Duke u kthyer në zgjedhjet e fundit ku deputetët e PDIU u larguan nga Kuvendi për shkak të parregullsive në votime, Idizi tha se ky ishte akti më i fundit i tradhtisë.  “Ne, që kishim fatin e privilegjin te ishim ligjvënësit e Çamërisë jemi akti i fundit i ndëshkimit të pabesisë që zgjodhën si helm për të na dhënë ta pinim, teksa ngrinin shëndete dhe përbetoheshin për Shqipërinë, përbetoheshin për Çamërinë. Është pa dyshim e hidhur ta kuptosh rengun që të kanë bërë jo ty, jo disa deputetëve, jo një partie politike, por shqiptarëve të kësaj krahine martire që nuk ngopen duke i vrarë dhe rivrarë”,- tha kreu i PDIU. Kreu i partisë që mbron interesat e çamëve u la jashtë parlamentit për 39 vota në Tiranë. Hapja e kutive në disa zona tregoi se votat e PDIU ishin tjetërsuar dhe kishin kaluar për partitë kryesore. Nëse do lejohej nga KQZ vazhdimi i numërimit në Tiranë sot Shpëtim Idrizi ishte deputet dhe e mbronte çështjen çame edhe në Kuvend. Por ndërhyri PS-ja duke bllokuar rinumërimin. Kjo vjedhje elektorale, për Shpëtim Idrizin ishte pjesë e një skenari të PS dhe Greqisë për ta lënë të pa përfaqësuar në Kuvend çështjen çame.

Kritik dhe denoncues Shpëtim Idizi ka qenë dhe me marrëveshjen që po diskutohet mes Shqipërisë dhe Greqisë nga ministrat e jashtëm të dy vendeve. Ndryshe nga qëndrimet e palës shqiptare që flasin për arritje, Idrizi thotë se në këto marrëveshje deri tani janë zgjidhur problemet e Greqisë, por jo të Shqipërisë.

Idrizi ka folur hapur për një sërë çështjes që po diskutohen në mënyrë sekrete mes dy vendeve dhe për të cilat qeveria nuk ka bërë as minimumin e transparencës. Mes Shqipërisë dhe Greqisë ka çështje që nisin që nga ligji i luftës, të drejtat e çamëve, varrezat e ushtarëve grekë, ndarja e detit, për të cilat ende nuk dihet se çfarë është vendosur dhe cili është qëndrimi që ka mbajtur Tirana zyrtare. I vetmi dokument publik është miratimi nga qeveria shqiptare i varrezave të reja për ushtarët grekë dhe caktimi i një datë për nderimin e tyre në Shqipëri. Se çfarë ka marrë Shqipëria në këmbim të këtyre lëshimeve deri tani nuk ka asgjë të qartë. E vetmja deklaratë është ajo e ministrit të jashtëm grek që thotë se do të hiqet ligji i luftës me Shqipërinë. Ndërkohë, Idrizi shprehet se edhe pas ligjit të luftës nuk do të ketë lëvizje të lirë të shqiptarëve të Çamërisë në tokat e tyre. Sipas tij, qeveria shqiptare ka vepruar me mendjelehtësi duke lejuar njohjen e 9 minoriteteve në vend dhe pranimin e të gjitha kërkesave nga ana e Greqisë. Duke folur për varrezat e ushtarëve greke, Idizi ka shtuar se me këto qëndrime të qeverisë “Rama”, në bazë të reciporitetit “ndonjë ditë do të na sjellë varreza të ushtarëve grekë në Lezhë apo Tropojë”.

PS-ja e preu në besë PDIU. E përdori kur kishte hall dhe e hodhi sapo siguroi votat për të qeverisur e vetme.

Q.Xhani

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?