‘Ke munguar në ditënetët e mia’. Poezi nga Ada Dradha.

0

AROMA IME MBI TRUPIN TEND.

I dashur ditar!

Nuk di pse të krahësoj me një trung vjeshte,

që i duhet një shpirti të butë mbushur me polena,

ku fjalët e mia të ëmbla si Meridianët e rruzullit tënd

bien pingul mbi

atmosferën e dëshirave të vjetra,

presjet hark si vetull bëhen mbi syrin e përgjumur,

që shikon përtej dashurisë së verbër.

Dua të të zbukuroj çdo germë me ngjyrë floriri,

si Rubairat e Ohmar Khajamit,

të flenë ëndrrat e dashurive të sapolindura.

Ashtu ndihem brenda kësaj botës tënde,

që rritet dhe veç rritet dhe një fushë e gjelbërt gruri,

nuk harrojnë të dalin as bulëzat e lulëkuqeve,

kokën plot ngjyrë e ngren drejt teje.

Më ndiej siç e ndien gota peshën e ujit,

për të kuptuar ekzistencën time,

atë që Zoti ma fali para se unë të ulesha,

dhe të shkruaja nëpër lëkurat e drurëve të bëra stivë,

në një pyll të shkretë të braktisur nga njerëzit.

Më mbaj siç mban breshka guackën e saj,

apo vesa jetën e një kërmilli.

Je zgjedhja më e bukur e vetmisë sime,

një qoshe oxhaku ku unë ulem këmbëkryq dhe të shkul flokët,

ti nuk mërzitesh me veprimet e mia,

sepse ne tashmë jemi bërë një,

jemi të kushtëzuar gjer në vdekje me dashuri.

Bezdisemi ndonjëherë nga sytë kureshtarë të erës,

që futet tinzërisht poshtë derës, por e shpërfillim me përbuzje.

E heshtur si e zënë në faj, largohet nëpër shpirtëra të braktisura.

Ne qëndrojmë si një trup, mbushur me leshterikë,

frikën e mundim duke ja nxjerrë sytë me gishtat,

që shtypin nëpër tastierë.

Një avull dëshirash fluturojnë sipër xhamit

një re me pështjellime të befta

ndahen në shtëllunga të hirta.

Nuk di pse më zhdukesh sipër tyre,

si milingona të vogla ndjenjash!

Por ti e kupton, që ora ka ecur mbi supet e natës

gjumi më afron një ninullë djepi,

për të më kujtuar të nesërmen jo të largët për të hedhur serish

mbi trupin tënd, aromën e ditës sime…

 

KE MUNGUAR NE DITENETET E MIA.

 

Ke munguar nëpër ditënetët e mia,

kur unë rrija zgjuar dhe nuk flija por

lexoja faqet e librave

që ty të gjeja,

autorët,

personazhet,

ngjarjet i vishja me mistere të çuditshme

ashtu siç unë dëshiroja,

të isha në botën e ëndrrave,

dhe Hirushja më bëhej

motra ime

shoqja,

nëna,

kurse ti më bëhesh si im vëlla që më qortonte

për pritjet e mia nëpër dritare

qielli,

që nuk u hapën asnjëherë

nga perdet e rënda të damaskut

ngjyrë floriri,

të asaj dhomë të vogël dielli,

që ishte brenda meje,

pra ti nuk ishe dje,

Po… po…. ti nuk ishe dhe unë e kujtoj

që as sot nuk po je,

por shikoj që as nesër nuk do jesh,

do jesh i munguar

i humbur,

i pa kërkuar gjithë jetën,

përderisa

princat kane filluar të mos trokasin

nëpër zemra të mbyllura,

unë do vazhdoj të shkruaj për dashuritë e femrave!

 

TEK NJE PEME E VOGEL.

Tek një pemë e vogël në shtat

por me krahë të forta arre

pranë shtëpisë time

me guximin e një të marri

hodhi lakun e litarit atje afër qafës

komshia ime.

Nuk e kishte veshur kostumin e vdekjes

as orën 12 të natës nuk e priti,

por na vuri të gjithëve në gjumë

dhe misterin e vdekjes drejt degëve e ngjiti..

Sot dëgjoj zhurmat e sharrës elektrike,

që presin pemën nga degët dhe nga rrënjët,

por më shumë dëgjoj të qarat e fëmijëve,

bashkë me pemën humbën

dhe kujtimin e nënës!

Në tokë degët pa jetë kanë rënë

gjethet janë mbledhur shuk si mizat

trungun e pemës lakuriq dhe të pa zë

për fëmijët e vegjël e ka kapluar dhimbja…

 

KALIMERA POETI IM.

Ështe Maria me theksin hundor të prekshëm

që përshëndet me njërën dorë

dhe tjetrën shkund cigaren në tavullën

e zezë, strukur në një cep tavoline

nga goja nxjerr shtëllungat e mallit,

filtërin e mbulon me puthjet nazike

kur shikon përreth.

Ajo pret poetin

të kalojë nëpër ndjenjat e saj

dhe t’i shkopsisë pullen e fundit të bluzës,

që i shtrëngon nga gjokset dashurinë…

ETHET E DASSHURISE.

Ethet e dashurisë!

Boshatisur

honet e shpirtit,

si kusitë e qumështit në mbrëmje.

Dëshira e fundit

qëndron akoma e ngrohtë përbri pjatës

së porcelanit.

Jehona e natës

ndahet më dysh

nga oshëtima e largët e puthjeve.

Si erëra të tërbuara

vijnë

ethet e dashurisë,

dhe përmbysin shtratin e gruas!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author