Ja pamjet, si u grabit banka në Laç. VIDEO

0

“Report Tv” ka siguruar pamjet nga grabitja e bankës së nivelit të dytë në qytetin e Laçit. Siç duket nga videoja, gjithçka ndodh në pak sekonda, ku tre persona të maskuar dhe të armatosur hyjnë në ambientet e bankës, duke krijuar panik  te punonjësit, dhe largohen me shumën e parave.

Grabitja ka ndodhur rreth orës 17:00 të mbrëmjes së sotme, në qendër të qytetit 100 metra larg komisariatit të policisë. Mësohet se grabitësit kanë kërcënuar rojën e bankës dhe më pas kanë thyer xhamin dhe kanë hyrë brenda. Ata kanë marrë një sasi parash, të cilat ishin në përpunim nga punonjësit e bankës dhe janë larguar me një automjet.

Policia ka vonuar pak minuta për të shkuar në vendin e ngjarjes, pasi i gjithë komisariati i policisë ishte në dreken festive të fundvitit në një lokal në Mamurras. Siç duket autoret kanë qenë në dijeni të këtij fakti dhe kanë vepruar pa u shqetësuar.

Në lidhje me ngjarjen policia bën të ditur se kanë nisur hetimet, ndërsa janë ngritur disa pika kontrolli për kapjen e autorëve. Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë së bankës, ku ndodhi grabitja dhe po merren në pyetje punonjësit e bankës në fjalë. Ende nuk dihet shumë e parave të grabitura, por sipas të dhënave mësohet se është një sasi e konsiderueshme.

Njoftimi i policisë:

Më datë 29.12.2017, rreth orës 16:36, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Laç ka rënë alarmi i nje Banke te Nivelit të Dytë, dega Laç. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar tek Banka, ku kanë konstatuar se:

Persona akoma të paidentifikuar nën kërcënimin e armës dhe të maskuar, pasi kanë thyer xhamin e njësisë së Bankës, kanë marrë një sasi parash të cilat ishin në përpunim nga punonjësit e bankës dhe janë larguar me një automjet. Paraprakisht mësohet se nuk ka persona të lënduar.

Janë organizuar dhe ngritur pika të shumta kontrolli, vijon krehja e zonës për kapjen dhe arrestimin e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Shqiptarja.com/

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author