“El Classico”/ Real Madrid-Barcelona në javën e 17-të të Primera Divizion.

Sot do të përballen Real Madrid dhe Barcelona në javën e 17-të të Primera Divizion.

Zinedine Zidane dhe të besuarit e tij duhet të bëjnë gjithçka për të marrë tri pikët, duke parë se rivalët e tyre historikë kryesojnë La Liga-n me një avantazh prej 11 pikësh kundrejt “Los Blancos”, të cilët kanë një ndeshje më pak për shkak të pjesëmarrjes në Botërorin për Klube.

Një humbje e madrilenëve do të ishte një goditje ndaj shpresave të vendasve për të mbrojtur titullin në La Liga. Barcelona po zhvillon një sezon shumë pozitiv edhe falë mbrojtjes së mirë, që ka pësuar vetëm shtatë gola në 16 javët e para të kampionatit.

Meritat për këtë i takojnë trajnerit Ernesto Valverde, puna e të cilit e ka bërë Barçën të duket shumë dominuese në këtë sezon pavarësisht mungesës së një zëvendësuesi të vërtetë të Neymar dhe pavarësisht se Luis Suarez po zhvillon sezonin e tij më të keq që nga momenti i transferimit në “Camp Nou”.

Zidane, nga ana tjetër, ka pasur shumë probleme me paraqitjet e skuadrës së tij në sulm.

Cristiano Ronaldo ka shënuar vetëm katër gola, ndërsa Bale dhe Benzema nga dy secili. Gjithsesi, Reali do të paraqitet në këtë ndeshje si kampion i Botës dhe me katër fitore të marra në katër takimet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet.