Kryeprokurorja Marku e nis me procedime penale për deputetët e opozitës

Aktualitet

Janë të paktën 10 deputetë të opozitës, PD dhe LSI, të cilët janë në ndjekje penale nga Prokuroria e Tiranës, pasi akuzohen për dhunë gjatë seancës. Gjithashtu janë arrestuar dhe 6 protestues që ishin në tubimin para Kuvendit.

Njoftimi për procedimin penal është bërë nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës. Prokuroria nuk ka cituar emrat e plotë të deputetëve, por vetëm inicialet. Mes 10 deputetëve që janë zgjedhur  për procedim nga Prokuroria e Tiranës bie në sy emrat e Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi, Grida Duma, Flamur Nokës, Klevis Balliu, Endrit Braimllari.

Dy deputetët e LSI, Floida Kërpaçi dhe Kejdi Mehmetaj u dhunuan dje. Kërpaçi u godit dhe u gjakos nga Policia e Shtetit. Ndërsa Mehmetaj u godit me grusht në sallën e Parlamentit nga një deputet i Partisë Socialiste. Për këto dy incidente të rënda ndaj dy deputetëve dhe dy vajzave të reja, Prokuroria nuk njofton të ketë nisur procedim penal. Denoncimi i dhunës ndaj tyre u bë dje që në nisje të protestës. Madje një pjesë e incidenteve që ndodhën më pas ishin dhe pasojë dhe reagim ndaj dhunës që u ushtrua ndaj deputetëve të LSI-së. Megjithatë në njoftimin e Prokurorisë nuk thuhet asnjë fjalë për dhunën ndaj dy ligjëvënseve dhe nga qëndrimet e mbajtura edhe nga PS duket sikur rrahja e tyre ishte e justifikuar!

Ndërkohë në bllok ka nisur procedimi për gjithë deputetët që kanë qenë aktiv në seancën e djeshme të Kuvendit.

Njoftimi i Prokurorisë u bë rreth një orë para se Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla të deklaronte kërkesën për përjashtim të deputetëve për 10 ditë nga seancat. Të njëjtët deputetë që Taulant Balla i propozoi për masa në Byronë e Kuvendit, rezultojnë se janë paditur dhe nga Prokuroria. Koordinim më të mirë mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe një partie në pushtet nuk ka pasur asnjë herë më parë. Duket se janë diskutuar dhe detajet se kush duhet ndjekur penalisht dhe kush duhet përjashtuar nga punimet e Kuvendit në seancat e radhës.

Për protesta si ajo e djeshme ka pasur dhe më parë procedime penale. Ajo që bie në sy këtë herë është zelli i Prokurorisë së Përgjithshme për tu vënë në shërbim të pushtetit pa u mbushur ende 24 orë. Për më tepër që bëhet fjalë dhe për vendimin e parë të Kryeprokurores së Arta Marku. Incidentet e djeshme ndodhën pikërisht për faktin se Arta Marku po zgjidhej në shkelje të kushtetutës. Opozita protestoi sepse dyshoi se Prokurorja e re do të përdorej politikisht. Çuditërisht emërimi i ri i PS nuk zhgënjeu. Brenda pak orësh, vendimi i parë i saj në organin e akuzës i kryeprokurores së re është pikërisht një procedim me ngjyrime politike.

Kjo është shenja me e keqe dhe aspak premtuese për zhvillimet politike. Prokuroria po vepron pikërisht ashtu siç druhej prej kohësh opozitës, si një Drejtoria e Kryeministrisë që vepron me urdhra politike.

Deklarata e Përbashkët e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës:

Me një deklaratë të përbashkët, Policia dhe Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se kanë vënë në pranga 6 protestues, si dhe kanë proceduar penalisht dy të tjerë, lidhur me protestën e opozitës ditën e djeshme.

Po ashtu, blutë e Tiranës bëjnë me dije se kanë proceduar penalisht edhe 10 deputetë të opozitës.

Personat e arrestuar:

Renato Xhihani, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë;

Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë);

Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit:

E.M, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë;

S.L., 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Po ashtu, ka filluar procedimi penal për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë: F.N., G.D. dhe E.P., M.K., F.N., E.S., I.B., K.M., F.K., K.B. dhe G.S.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?