Nga Edison Ypi/ Frika

Nuk kishe frikë ta haje bukën që kishte brenda miza të ngordhura dhe pislliqe të tjera. Askush nuk kishte vdekur duke ngrënë bukë të tillë.
Nga frika e ilaçeve shpëtoje duke mos i gëlltitur. Oborret e spitaleve ishin plot me tablela dhe kapsula që pacientët i flaknin nga dritaret e pavioneve.
Por mund të kishe frikë nga dashuria. Për tu çliruar nga frika e dashurisë kishe dy mënyra, duke mos u martuar, ose duke u bërë njësh me gruan.
Komshiu i katit të dytë ishte spiun. Le të ishte. Që spiuni të mos të spiunonte duhej ta siguroje se nuk kishe frikë, se në kokë nuk kishe ca lakra dhe në mendje nuk kishe ca helme.
Të kishe frikë mos të shkelte ndonjë makinë në rrugë, nuk bëhej fjalë. S’kishte as rrugë as makina.
Nga frika e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm që mezi çrisnin të na pushtonin, mund të mos kishe frikë vetëm po të kujtoje se luftrat me ata do ti fitonim ne që bënim Zbor dhe jo tigrat prej letre të cilët nga kalashnikovi, llozi, kundragazi, s’kishin haber.
Nuk kishe arësye të kishe frikë gjithashtu nga ndonjë sulm i befasishëm i NATO-s që mund të rrezikonte tejkalimin e planit, fitoret, dhe vetë kurvin. Me syçelësinë dhe ndihmën e pakursyer të popullit, fitoret i mbronte dhe kurvin e ruante Sigurimi.
Ishte e kotë të kishe frikë se mund të internonin. Ta sillnin Skodën në çdo çast që tu tekej, pa të pyetur në kishe a s’kishe frikë.
Kishte gjithandej tabela “Ruhu nga qeni”, “Ruhu nga treni” “Ruhu nga vinçi”, çka do të thoshte se partia i kishte marrë të gjitha masat mos të gjente asgjë e keqe, të ishe jashtë rrezikut të frikës nga kafshimi i qenit të kufirit, dalja nga shinat e trenit që ecte me 20 kilometra në orë, rrëzimi i vinçit që ndërtonte veprat e pesëvjeçarëve.
Sa kohë gjarpër ose spiun ishin të gjithë, nuk kishe frikë as nga spiuni as nga gjarpëri. Për rrjedhim, tabelat “Ruhu nga spiuni” dhe “Ruhu nga gjarpëri” konsideroheshin të tepërta.
Surretërit i kishin; sekretari si të skuthit, komisari si të çakallit, komandanti si të zhapikut, shkrimtari si të kunadhes, poeti si të nëpërkës, kompozitori si të gaforres. Megjithatë nuk kishe frikë t’i shihje. Nuk i kishin zgjedhur vetë ata turinj. Me ata surretër i kishte dënuar Zoti.
Thoshin se po të dëgjoje Zërin e Amerikës pa frikë, të rrasnin brenda, ndërsa po ta dëgjoje me frikë, nuk kishe pasoja. Ishte gënjeshtër. Sa kohë Zërin e Amerikës e kishte zaptuar Sigurimi, Zërin e Amerikës mund ta dëgjoje si të doje, haptaz, fshehtas, me frikë, pa frikë. Nëse Zëri i Amerikës kishte të bënte me ndonjë frikë, ajo frikë nuk mund të ishte e jona që e kishim Sigurimin brenda, por e amerikanëve të cilëve Sigurimi u ishte ulur tinëz në sofër.
Dukej sikur arratisja ishte diçka e frikëshme. Rrenë me bisht. Arratisja nuk ishte e frikshme në asnjë kombinacion;
Po të arrije të hidheshe matanë, ata që do lije këtu do ti kalbnin nëpër baltra, por ty do të mbulonte gazi dhe hareja.
Po të sharronin mbi tela me 72 plumba, do vdisje në vend dhe nuk do kishe as mundësi as kohë për të pasur ndonjë lloj frike.
Po të kapte ushtari ose qeni, do të fusnin në burg derisa të vdisje, ku për frikë dhe trimëri as mendja nuk do të shkonte.
Po ta kishe frikë partinë, marksizëm leninizmin, diktaturën e proletariatit, çka edhe mund të ndodhte, ishte shenjë e sigurtë se burgun e kisha hak. Prandaj, që të flije rehat, e mira ishte të mos i kishe frikë por ti adhuroje.
Qorrimi prej parakalimeve, shurdhimi prej duartrokitjeve, për shkak të të dyjave thyerja e gjymtyrëve nga përplasja nëpër bordura, mure, shtylla, as këto nuk shkaktonin frikë. Problemet me okulistin, otorinologun, ortopedin, i ndreqte mjekësia falas.
Çmendja ishte problem, dhe mund të shkaktonte frikë. Por përderisa nuk dihej në cilin moment do ndodhte, frika nga çmendja ishte frikë e kotë, dhe si e tillë, nuk ekzistonte.
Nuk kishe asnjë arësye të kishe frikë nga rrufeja, që nuk bie në hale.
Një rast frike disi i vështirë ishte frika nga humbja e ëndërrave, kështjellave brenda të cilave frika nuk mund të depërtonte kurrë. Që të mos kishe frikë nga ëndërrat, duhej ti vrisje. Vrasja e ëndërrave bëhej në dy mënyra. Duke pushkatuar gjumin ose duke therur zgjimin, njërin ose tjetrin sipas dëshirës. Pra të vazhdoje të gjalloje gjithë kohën zgjuar ose gjithë kohën në gjumë. Çka pas pak sillte vdekjen. Që ishte më mirë se frika nga humbja e ëndërrave me pasoja dramatike për breznitë e ardhëshme, dhe vetë rracën, nëse rracës i ka mbetur ndonjë qelizë pa u kalbur.
Derri, dosa, zhaba, qeni, bushtra, kërrmilli, keci, viçi, lopa, ishin paqësorë, bënin çdo mbrëmje xhiro në bulevardin Stalin. Prej tyre s’kishe asnjë frikë.
Mund të mos kishe frikë nga shumë tmerre, por nuk mund të mos kishe frikë nga frika. Mirpo frika nga frika quhet panik atak, që atëhere nuk njihej, pra edhe frikë nga frika nuk mund të kishe.
Ndoshta ziliqarët sajonin shpifje dhe dërgonin nëpër komitete letra anonime për të të burgosur. Le të sajonin çfarë të donin halabakët. Nga burgu s’kishe frikë. Në burg s’kishe pse të shkoje. Në burg ishe.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments