Nga Nikoleta Kovaçi/ Tenderi për pastrimin e Tiranës, bashkia shpall fitues nipin e Sadri Abazit

0

Gara e paracaktuar me 9 operatorë.  Si u skualifikua operatori me të njëjtat kushte dhe me një vlerë tenderimi, 115 milionë lekë më pak se “Alko-Impex” me administrator Arbër Abazin

Nipi i Sadri Abazit është fituesi i garës për pastrimin e Tiranës. Ai është fitues në një garë me 9 operatorë ku jo vetëm që oferta ka qenë më e larta prej tij, por madje edhe në kushtet që janë parashtruar në tenderim, mësohet se është i njëjtë me njërën nga firmat konkurruese. “Shekulli” ka siguruar një sërë dokumentesh  që lidhen me këtë garë që është hapur në fundin e shtatorit të këtij viti dhe që sipas të dhënave rezulton se është fituar nga operatori “Alko-Impex” me administrator pikërisht Arbër Abazin, nipin e deputetit socialist, Sadri Abazi.

Por në të gjithë këtë garë që me sa duket ka qenë e përcaktuar se kush do ta fitojë, si pothuajse të gjitha garat në vendin tonë, aq më tepër kur bëhet fjalë për tenderë apo për fitim parash, njëri nga operatorët ka vendosur të reagojë e madje edhe të kërkojë verifikim të të gjitha pikave të tenderimit nga komisioni i Prokurimeve Publike.

“Viktoria Invest” bëhet me dije se jo vetëm plotësonte të njëjtat kushte si operatori fitues, por, madje, sipas tyre, ata kanë hyrë në garë me një shifër prej plot 115 milionë lekësh më pak se sa nipi i deputetit socialist. Megjithatë do të jenë verifikimet e këtij tenderimi që ka hapur dhe mbyllur bashkia e Tiranës që do të përcaktojnë nëse ka patur shkelje apo jo, edhe pse shifrat janë kokëforta.

Tenderimi

Në procedurën e prokurimit me objekt: Shërbim pastrimi të zonës “Tirana III”, të zhvilluar nga bashkia Tiranë mësohet se me datë 27/9/2017 janë dorëzuar ofertat nga 9 operatorë ekonomikë. Çuditërisht Bashkia Tiranë ka s’kualifikuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë, përveç njërit. Operatori ekonomik “Alko-Impex” që ka për administrator Arbër Abazin, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi, është fituesi i një gare që është kontestuar publikisht dhe zyrtarisht nga një prej firmave konkurruese.

Madje kjo firmë sipas të dhënave ka kryer edhe një ankesë drejtuar komisionit të prokurimit publik për këtë shkelje. Kështu sipas informacioneve mësohet se Bashkia Tiranë ka skualifikuar operatorët të cilët kanë dhënë një ofertë ekonomike disa herë më të ulët se operatori fitues “Alko Impex General Construksion”. Sipas zërave zyrtarë saktësohet se fondi limit i prokuruar nga bashkia Tiranë për këtë shërbim ka qenë 494,683,652 lekë.

Nga ana e operatorit ekonomik “Silvio” është ofertuar 440,306,450 lekë

Nga ana e operatorit Victoria Invest është ofertuar 455,120,199 lekeë

Nga ana e operatorit Shpresa sh.p.k është ofertuar 460,308,404 lekë

Nga ana e operatorit Korsel sh.p.k është ofertuar 470,663,330 lekë

Nga e operatorit Alko-Impex General Construksion është ofertuar 473,765,974 lekë.

Kjo e fundit është edhe oferta e vetme e pranuar nga Bashkia Tiranë dhe e shpallur fituese. Oferta e këtij operatori fitues shikohet se është 130 milion lekë më e lartë se ajo e ofertuesit të parë “Silvio” dhe 115 milion lekë më e lartë se e operatorit “Victoria Invest”, operator i cili e ka ofruar më parë këtë shërbim në zonën lindore 3, Tiranë. Kualifikimi i këtij operatori është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi sipas pretenduesve ka të njëjtin vit prodhimi të makinerive me operatorin “Victoria Invest”. Kur këtij të fundit i është bërë skualifikim me arsyetimin se makineritë duhej t`i kishte të një viti prodhimi me të ri se sa i kishte në realitet.

Por këtu qëndron edhe ngërçi i gjithë kësaj përplasjeje. Sipas të dhënave që gjenden nëpër formularët e konkurrimit bëhet me dije se për operatorin fitues që administrohet nga nipi i deputetit socialist, ky kriter nuk ishte përcaktues, pasi megjithëse nuk i kishte makineritë të prodhimit të përcaktuar dhe të kërkuar nga hartuesit e tenderimit. Por ai u shpall fitues ndonëse për këtë procedurë operatorët ekonomik me oferta me të ulëta ekonomike dhe me të njëjtat kushte kualifikuese si fituesi, u skualifikuan padrejtësisht nga ana e personave që kishin për të zgjedhur firmën fituese që gjendeshin në Bashkinë e Tiranës.

Janë të dhënat zyrtare që bëjnë me dije se është paraqitur ankesë te Komisioni i Prokurimit Publik, i cili ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë procedurë. Këtij Komisioni i është kërkuar të verifikojë makineritë e fituesit “Alko-Impex”, të cilat janë të një vit prodhimi të njëjtë me të skualifkuarit nga gara, e konkretisht bëhet fjalë për firmën “Victoria”. Ankesa e firmës kualifikuese ka të bëjë pikërisht me faktin se këtij operatori Bashkia Tiranë ja vleftëson të rregullta të gjitha pikat, ndonëse te makineritë që do të përdorën në veprim  janë të të njëjtit vit prodhimi. Me këtë vendim bashkia Tiranë i ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 130 milion lekësh parave të taksapaguesve, ndërkohë që pritet edhe një vendim nga Komisioni i Prokurimit Publik, nëse ky fakt do të ndodh!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author