Pamje të frikshme nga përmbytja e mbrëmshme. Kryeministri qesh. Foto

Aktualitet

Pamjet që shihni vijnë nga autostrada Tiranë-Durrës, konkretisht tek City Park pak orë pas përmbytjeve. Duket sikur gjithçka i ngjan një vendi që sapo ka shpëtuar nga një uragan.

Në foto shihen makina të bllokuara nga uji si dhe mbeturina pa fund. Deri në orët e vona kishte njerëz të bllokuar në katin e dytë të City Park. Ushtria bëri evakuimin e tyre në mesnatë.

Që prej pasdites së djeshme situata u paraqit tepër problematike tek City Park, ku të bllokuar mbetën shumë qytetarë, mes tyre dhe fëmijë. Niveli i ujit në këtë zonë ishte shumë i madh, aq sa në autostradën Tiranë-Durrës disa përdorën si mjet udhëtimi edhe gomone.

Gomone në vend të automjeteve! Kjo ishte gjëndja mbrëmë vonë në City Park dhe në një pjesë të autostradës Tiranë-Durrës, afër karburant Kastratit.

Situata sot sipas Emergjencave Civile

Emergjencat civile japin informacion për situatën e përmbytjeve në vend.

Drejtoria e Emergjencave Civile po ndjek nga afër situatën. Në terren për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet janë angazhuar forca të Policisë së Shtetit, Zjarrfikësve dhe Ushtrisë. Emergjencat Civile i bën edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve që në rast rreziku të telefonojnë në numrat 112, 128 dhe 129.

Të gjitha Repartet e FNSH, Tiranë, Shkodër e Fier janë angazhuar në mbështetje të Policive lokale për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Policia Rrugore është 100% në rrugë në të gjitha akset rrugore. Policia e Rendit ka shtuar patrullat të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.

QARKU TIRANË

Aksi rrugor Tiranë-Durrës, në Kashar, në afërsi të qendrës tregtare “City Park” është bllokuar nga prezenca e ujit. Në vendngjarje ka shkuar policia rrugore, Tiranë për zhbllokimin e trafikut dhe 3 automjete zjarrfikëse me 3 motopompa për largimin e ujit. Në ndihmë kanë shkuar edhe  20 forca të ushtrisë me motobarka, 12 forca të ushtrisë me 4 pompa thithëse me kapacitet të lartë, 10 forca të FNSH-së nga Reparti 731, Shkodër të cilët kanë evakuuar rreth 200 persona.

Në qendrën tregtare “City Park” ndodheshin rreth 100 persona të cilët ishin bllokuar nga prezenca e ujit të cilët kanë evakuuar. Në fshatin Marikaj, tek Liqeni Marikaj, niveli i ujit ka arritur kuotën maksimale dhe diga nuk funksionon. Për këtë janë dërguar 3 mjete të transportit të rëndë, 1 ekskavator, 2 grupe me 20 ushtarë dhe 3000 deri në 5000 thasë plastikë me rërë.

Në fshatin Laknas janë evakuuar disa banorëve pasi ka prezencë uji. Në fshatin Valias, për shkak të reshjeve të dendura është  rrezikuar të përmbytet N/Stacionit Valias.Në Tiranë probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur në  Sauk, Paskuqan, Ibë, Zall-Bastar, Pezë, Shkallë, Mullet, Pezë Helmes, Shenmeri, Prezë, Tufinë, Gjokaj, Ndroq, Mëzez, Valias, Paskuqa, Kombinat.

QARKU SHKODËR

Në Njësi Administrative Guri i Zi, në fshatin Rrencë ka prezencë uji në rreth 40 ha tokë, e cila është e pakultivuar. Në Njësi Administrative Dajç, në kënetë ka prezencë uji rreth 80 ha tokë. Në Njësi Administrative Ana e Malit, në vendit e quajtur “Fusha e Muriqanit” ka prezencë uji në rreth 50 ha tokë.

Në fshatin Bardhaj, në afërsi të lumit Kir, forcat e FNSH Shkodër kanë evakuuar dy persona, të cilëve i rrezikohej jeta. Në Fushë-Arrëz çatia e shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme, të cilat ndodhen në të njëjtën ndërtesë, është dëmtuar për shkak të erës së fortë.

Çatia e Qendrës Shëndetësore të qytetit të Pukës, është dëmtuar. Në Bashkinë e Vaut të Dejës rrezikohet të dalin nga shtrati dy përrenj, përkatësisht i Glinës dhe i Tamzit, të cilët mund të përmbytin dy banesa. Bashkia ka marrë masa duke dislokuar dy mjete për të parandaluar daljen nga shtrati të përrenjve.

Në qarkun e Shkodrës të bllokuar janë Akset rrugore Shkodër – Theth, në vendin e quajtur Qafë Thore ndërsa aksi Shkodër – Breg Lumi, në vendin e quajtur “Mali i Shoshit” është i kalueshëm me zinxhirë. Probleme me energjinë elektrike ka pasur në disa Njësi Administrative si: Bërdicë, Postribë, Dajç, Velipojë, Shalë, Ana e Malit, Pult, Kelmend, Kastrat, Shkrel, Gruemirë, Bushat, Shllak, Qerret dhe Qelëz. Një pjesë e qytetit të Pukës nuk ka furnizim me energji elektrike. Grupet e punës të OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?