Nga Bislim Ahmetaj/ Njeriu që kujdeset për Flamurin ‘e tij’!

Shumë njerëz e njohin Gëzim Hidrin si “skllavi e gurit”  epitet që ai vet ja ka ngjitur vetës së tij. Ai, gurin e ka kult dhe dashuri njëherësh. Me gurin jeton, me gurin beson se do të jetojë edhe në botën e përtejme. Aq i lidhur është më gurët sa edhe portreti dhe pamja e tij kanë filluar të marrin ngjyrat dhe format e gurëve më të cilët ai bashkëjeton prej më shumë se tridhjete vitesh.  Edhe karakteri i tij është  i fortë si një gurë stralli që as daltave të tij shpesh nuk i bindet. Kështu që kur je në miqësinë e tij duhet të jesh i kujdesshëm ta dëgjosh dhe ta ndjekish me vemendje sepse mund të thyhet  në sytë e tu dhe zor se ngjitesh më me të. Ai i njeh mirë botën njerëzore dhe nuk është shumë i afrueshëm me njerëzit që nuk i pëlqejnë .

Në pranverën e vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ai pa një ëndërr të bukur, Flamurin tonë Kombëtarë të shtrirë në një mozaik me gurë që vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Ju qep asaj ëndrre me mish e me shpirtë, ditë e natë deri sa ja doli ta vendoste bash aty ku burrat e shquar të Tiranës e ngritën Flamurin tonë Kombëtare me 26 Nentor të  ‘912.

Gëzimi nuk është një biznesmen, ai thjeshtë është një artistë që e don vendin e tij pa kushte dhe gjithë atë punë  që nga mbledhja e gurëve nëpër të gjitha trevat shqiptare nga Kosova  e Mali I Zi, Camëria e Maqedonia , Kosova Lindore dhe Republika e Shqipërisë dhe pas kesaj  realizimi në mozaik i Flamurit në përmasat që e shihni përditë kur kaloni pranë  godinës së Komitetit të ish të Përndjekurve Politik, pregatitja e platformës dhe vendosja janë krejtësisht investim i “skllavit të gurit” që e don dhe e çmon Atëdheun dhe Flamurin e tij.

Investimi i vetëm i Bashkisë së Tiranës për këtë vepër unike  në llojin e saj ishtë vendimi i Këshillit Bashkiak  të kryeqytetit për të dhenë lejen e sheshit ku do të vendosej mozaiku-flamur. Gëzimi kujton se aso kohe pati indicio dhe përpjekje të shumta nga eksponentë të Bashkisë së Vlorës për ta ndryshuar destinacionin e mozaikut të tij duke afruar edhe shuma monetare tunduese por që nuk shkaktuan kurrfarë lëkundje tek ai, pasi ai s’mund ta vriste ëndrrën e tij, atë  ëndërr e kishte parë në Tiranë dhe jo në Vlorë. Në atë ëndërr s’kishte parë lekë, as euro, kishte parë vetëm Flamurin-Mozaik të vendosur aty ku patriotët e Tiranës e kishin ngritur atë me 26 Nëntor 1912.