Këneta e Maliqit, ja akuzat që çuan drejt vdekjes 5 inxhinierët/ Dokumenti

Aktualitet Te tjera

Këneta e Maliqit
Për 8 të dënuarit e parë, urdhërohet konfiskimi i pasurisë së luajtshme e së paluajtshme personale dhe me humbjen e të drejtave qytetare e politike.
Ky vendim është i prerë.
Trupi i Bandes Gjykuese
Tiranë, më 18 nëntor 1946 Kryetar (N/Kolonel Gaqo Floqi) dhe Sekretar (Aspirant Thoma Rino).

Këneta e Maliqit, ja akuzat që çuan drejt vdekjes 5 inxhinierët
Në sesionin e parë shkencor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, botuar me rastin e “25-vjetorit të Shqipërisë socialiste” në tetor të vitit 1969, faqe 46 shkruhet: “Nuk mjafton t’i bëjmë Shqipërisë vetëm luftë politike nga brenda dhe jashtë; duhet t’i bëjmë asaj edhe një luftë ekonomike, pse vetëm në këtë mënyrë qeveria shqiptare do të nënshtrohet para nesh.” Këto ishin disa nga tororistë që u dha Fulci krerëve të organizatës “tekniko-sabotatore” në selinë e misionit amerikan në Tiranë.

Kjo, sipas AMPB-së, fondi i misioneve anglo-amerikane, dosja 1, më 10 korrik 1945. Po në ketë libër në faqe, 201 shkruhet: “Zbulimet e huaja me atë amerikanin në krye në korrik të vitit 1945 krijuan organizatën tekniko-sabotatore me ish-agjentët e Fulcit, si Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra, Beqir Çela, Namik Xhelili etj. Kësaj organizate iu ngarkua si detyrë kryesore sabotimi i ekonomisë, duke përfituar nga postet që u ishin dhënë atyre për mungesë kuadrosh të përgatitura nga pushteti popullor. Për këtë qëllim ata orientuan që të ngriheshin grupe sabotatore kudo që punohej e ndërtohej, veçanërisht në minierat e Rubikut, Selenicës, Pogradecit, në Kuçovë, në tharjen e kënetës së Maliqit etj.

Armiqtë sabotatorë u munduan që të zbatonin me përpikëri planet e padronëve të tyre për të dobësuar sa më shumë bazën ekonomike të pushtetit popullor. Kështu, p.sh., në tharjen e kënetës së Maliqit këta sabotatorë u cilësuan se nuk tregonin kujdes për ngritjen e kantierit të punëtorëve, trajtonin keq specialistët e rinj, bënin ndryshime të shpeshta në planet, në organizmin e brigadave të punës, harxhonin tepër materiale dhe atje ku nuk ishte e nevojshme i linin punëtorët në kushte jetese të vështira për t’i bërë të pakënaqur etj. Qëllimi final i tyre paskësh qenë që vepra të mos mbarohej kurrë.

Kronologji e lavdisë, propaganda dhe realiteti. Në gazetën “Bashkimi”, dt. 24.8.1948, f. 7, është diçitura e një fotoje të madhe me titull: “Punimet për tharjen e Maliqit filluan e vazhdojnë me entuziazëm”.

“Bashkimi”, dt. 19.6 1946, f 1 shkruan: “Nga puna e vullnetarëve në Maliq… në 5 ditët e fundit janë gërmuar 19. 796 m/3 dhe… flamurin e punës këto ditë e kanë pasur udhëtarët e Leskovikut e të Pojanit… Doli buletini i kantierit, “Maliqi”… Vullnetarëve u vijnë përditë ushqime dhe letra lavdërimi nga populli… Çdo ditë punonin mesatarisht 2600 punëtorë vullnetarë, ndërsa punëtorët me mëditje bënin edhe 3 orë punë vullnetare shtesë. Në kantier u ngritën dy barka të reja për punëtorët dhe një klub për edukimin e tyre…”

Dëshmitarët që kanë shkuar vullnetarë në Maliq e dinë mirë se çfarë kanë vuajtur nga mungesa e ushqimit, mushkonjave dhe kushtet tmerrësisht të vështira në qëndrimin atje, vetëm për të ashtuquajturin titull sulmues.

Euforia ndihet e pranishme deri në datën 20.7. 1946, kur në gazetën “Bashkimi” shkruhet: “Në kantierin e Maliqit erdhën 99 vullnetarë nga Vlora. Midis tyre shquhen edhe 30 gra. Populli i Kolonjës përveç vullnetarëve që ka dërguar në liqenin e Maliqit u ka dhuruar punëtorëve të këtij kantieri 61 krerë bagëti, 90 kg djathë, 40 kg gjizë dhe 15 kg gjalpë e kështu vazhdojnë ndihmat nga Pogradeci nga Vithkuqi, Bilishti, Leskoviku dhe nga tërë katundet e Korçës. Njerëzit ishin tepër të gëzuar.” Në gazetën “Bashkimi” dt. 20.7.1946 shkruhet: “Në Maliq filluan punimet për thellimin e sistemimin e kanalit… Ardhja e njësiteve sulmuese i jep punës një vrull të ri. Këto ditë filluan punimet për mbylljen e shtratit të lumit Devoll… Grupi i teknikëve të Ministrisë së Punëve Botore është duke bërë studimin e kënetës për kanalin që do të ketë një gjatësi prej 2500 m dhe një gjerësi prej 35 m. Edhe në gurore punojnë 336 punëtorë me ritme të shpejta dhe me bazë garash, kudo ka një hov të ri. Midis të gjithë njerëzve që punojnë me entuziazëm dy sulmuesve i hiqen shenjat që nuk arrijnë të bëjnë punën e tyre. Nga 2350 punëtorë që punojnë në kanal deri mesatarisht 3 m3 gërmim e transportim dheu flamurin e ka mbajtur një skuadër nga grupi i Vlorës për 5 ditë.”

Ngecja e punimeve dhe përdorimi politik i punëve të Maliqit

Në gazetën “Bashkimi”, dt. 12. 9. 1946: “7500 punëtorë që punojnë në kantierin e Maliqit protestojnë energjikisht kundër padrejtësive që i bëhen vendit tonë…”. Bëhet fjalë për konferencën e Paqes në Paris.

Në gazetën “Bashkimi”, dt. 19.9.1946 shkruhet: “Aksioni i Maliqit, aksion kombëtar dhe më i madhi në vendin tonë… Nga ura gjer në liqen janë 2400 m kanal, por punimet nuk po ecin me shpejtësi edhe se punojnë 130 punëtorë në ditë. Këto punime nuk parashikoheshin në planin e vjetër. Për tharjen e Maliqit është marrë projekti i inxhinierit Omodeus dhe me disa ndryshime të vogla e modifikime ka filluar puna po në bazë të atij projekti. Mirëpo gjatë punimeve dolën 50 mijë m3 shkëmb, që nuk ishin parashikuar në projektin e këtij inxhinieri, po kështu dolën edhe probleme të dorës së dytë, ku ishte menduar që ishte tokë e butë dhe do të gërmonte ekskavatori, kurse në fakt doli tokë e fortë, duke futur punëtorë të tjerë. Njëkohësisht në të tria guroret janë përgatitur nga muaji maj-shtator 12. 518 blloqe të mëdhenj, 1361 blloqe të skalitur, 14 970 gurë mbështetës për skarpatet me dimensione të mëdha etj…”

* Kthesa e propagandës, sabotimi

Në gazetën “Bashkimi”, dt. 7.11.1946 shkruhet: “Një bandë sabotatorësh të punimeve në Maliq del nesër para gjyqit. Punimet janë sabotuar nga anëtarët e bandës që të mos thahesh këneta e Maliqit dhe duke u pjekur me çdo kusht që punimet të kushtonin më shumë, sesa kishte parashikuar pushteti. Kjo, me synim që të dëmtohesh buxheti i shtetit dhe të thyhet vullneti i vullnetarëve për punë. Banda e sabotatorëve, përbëhet nga inxhinier Abdyl Sharra, inxh. Kujtim Beqiri, Vasil Mano, italiani Scaturo Eugenio, Pandeli Zografi, të cilët kanë pasur lidhje me agjentë të huaj dhe me njerëz të misioneve të huaja në Shqipëri. Kanë marrë udhëzimet konkrete prej tyre dhe janë ndihmuar nga ana financiare dhe morale…”

* Akuza publike.

Gazeta “Bashkimi” dt. 13. 11. 1946 me titull të madh shkruan: “Planet e punimeve të Maliqit ishin studiuar mirë nga mr. Fultzi dhe nga agjentët e UNRRA-s deklaron kreu i banditëve sabotator inxh. Sharra. Ai pohon se: “Mr. Fultzi ishte një agjent spiunazhi që kishte ardhur për të shkatërruar dhe për të terrorizuar popullin tonë. Fulci thoshte se provokacionet greke, kurdiseshin nga anglo-amerikanët për qëllime imperialiste. Fulci më paguante 50 sterlina në muaj dhe më nxiste të sabotoja duke më kërcënuar. Vepra jonë kriminale është tradhtia më e madhe karshi popullit.”

Po këtu, prokurori, këndon telegrame që vijnë nga punëtorët e Maliqit, nga tërë vendet e Shqipërisë, si edhe një deklaratë të 26 inxhinierëve dhe teknikëve që kërkojnë dënimin pa mëshirë të këtyre banditëve”. Në këto titra të mëdha mbushet gjysma e gazetës, me shpjegimin e akuzës dhe gjoja argumenteve, të cilat janë sa komedi aq edhe tragjedi në privatësinë e tyre.

Pretenca e prokurorit kundër bandës së sabotatorëve të punimeve të Maliqit është në gazetën “Bashkimi” dt. 16.11.1946, ku akoma figuronte VF-LP. Në atë “pamflet” shkruhet: “Prokurori në emër të popullit kërkoi të dënohen me litar Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri; me vdekje, Vasil Mano, Zyraka Mano, Eugenio Scaturo dhe Pandeli Zografi; me burgim të përjetshëm: Mario Guarrnieri; me 15 vjet burgim; Mihal Stratobërdha, Anastas Risto dhe Jani Vasili me 1 vit burgim kondicionel. Populli duartroket nxehtësisht pretencën e prokurorit”. Mbas kësaj jepet shpjegimi i tërë pretencës së prokurorit dhe “mirëpritja” nga populli… (kupto drejtë: dallimin midis dënimeve: me varje apo me vdekje).

Vendimi në gazetën “Bashkimi” dt. 19.11. 1946 shpjegon: “Këshilli gjyqësor i gjykatës së Lartë Ushtarake, në emër të popullit dha vendimin: inxh. Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri dënohen me ekzekutim në litar. Inxh. Vasil Mano, Zyraka Mano dhe Eugenio Scaturo me vdekje. Për të 5 të dënuarit me vdekje ekzekutimi do të behet në Maliq…”. Pastaj, jepej se si u zhvillua në “Kino-nacional” (“17 Nëntori” ky gjyq në tërë detajet e veta, të trupit gjykues, avokatëve dhe të pandehurve…”).

Në arkivin e ministrisë së Punëve të Brendshme është vendimi i gjykatës së Lartë Ushtarake me nr. 17, i mbajtur më 18 nëntor 1946. Kryetar i gjyqit është nënkol. Gaqo Floqi dhe sekretar/ aspirant Thoma Rino. Shkurtimisht po përmendim: “Anëtarë të gjykatës janë Kapiten I. Veledin Zejneli dhe Kapiten I. Nexhat Hyseni, prokuror- Kapiten I. Nevzat Haznedari, të cilët më 18 nëntor 1946, ora 11 paradite, dhanë vendimin në sallën e Kinemasë “Nacional”. Në vendim janë 10 emra me të dhënat e tyre të shkurtra. Shkaku i dënimit është: për vepra sabotazhi në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike; vepra spiunazhi në favor të agjenteve të huaj dhe për sabotim të gjithanshëm në mbarë vendin deri në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe reaksionin e jashtëm. Avokatët e tyre kanë qenë Burhan Rusi, Eftim Canco dhe Vasil Xhaja. Mbasi është bërë konstatimi i të gjithë “fajeve” të tyre të mbushura, dy faqe më tërë akuzat e mundshme për të gjithë ekonominë e vendit, të cilat janë dy faqe të daktilografuara, që për sot nuk dihen të shkruara në arsyen e tyre, pasi formojnë shprehje depresive dhe izolative e sistemit që po vlonte. Vendimi i tyre u realizua plotësisht, sipas ligjit nr. 21. dt. 15 dhjetor 1944 dhe ligjit nr. 41. dt. 14 janar 45…”

Po si është e vërteta?

Nga libri i Mehmet Gjevorit “Shkolla Teknike e Tiranës, e Fulcit” , botuar në Prishtinë viti 2003, shikojmë disa të dhëna: “Harri Fulc jepte porosi: “Përpiqu ta bësh vendin tënd të denjë për të jetuar në të, e po qe nevoja të vdesësh për të”.

Autori vijon, se: “Shpeshherë, kur shkonim katundeve, Fulci shtrohej këmbë kryq dhe pinte raki i hante në një pjatë të gjitha gjellët, bile edhe ëmbëlsirën ose kosin… Harri Fulci në atë shkollë mbolli me kujdes, si kopshtar i mirë, farën e dashurisë për Amerikën… Të gjithë habiteshin, sesa bukur e shpejtë e kishte mësuar ai gjuhën shqipe… I pëlqenin sidomos fjalët e urta të popullit dhe këto fjalë i përdorte shumë dendur e më vend etj., etj. Unë, – thotë Gjevori, – i kam kaluar plot 6 vjet në atë shkollë, (1927-1933) dhe kam pasur shumë shpesh takime me zotin Fulc, në shkollë, në fermë të madhe e të vogël, në reparte për punë praktike, në takime të përditshme në mbrëmje argëtimi etj, por asnjëherë nuk e kam parë duke pirë raki ose pije të tjera alkoolike, as duhan, kurse që të shprehet me fjalë të urta popullore shqipe, se kam pas dëgjuar kurrë, jo që nuk e kuptonte shqipen, por ndoshta kujdesej e ruhej shumë që të mos gabonte në shprehje të lira të mendimit në gjuhën tonë amëtave. Pastaj kurrë njëherë s’e ka hapur gojën për të “mbjellë” te ne, nxënësit farën e dashurisë për Amerikën. Kështu, Fulci, fliste rrallë e pak dhe gjithnjë duke na porositur që ta duam atdheun tonë, të punojmë për përparimin e tij, madje, nëse na paraqitet ndonjëherë nevoja, të mos të na dhimbet as jeta për vendin tonë… Meqenëse u zu në gojë çështja e ekzekutimit me varje të këtyre dy nxënësve të Fulcit (Shara dhe Beqiri), të cilët që të dy i kanë kryer studimet e larta në botën e jashtme dhe ishin inxhinierë të dalluar në Shqipëri, të më lejohet ta vazhdoj këtë digresion e të përmend se me këtë rast, duke qenë i burgosur, ish ministri i arsimit të Shqipërisë, prof. Mirash Ivanaj, e pranoi botërisht gabimin e vet që pati bërë, kur mbylli shkollën teknike të Fulcit më 1933, duke thënë: “Gabimi im i madh ishte mbyllja e shkollës teknike më 1933, me rastin e shtetëzimit të shkollave të huaja, kur rashë pa dashje në kurthin e huaj. Konstatova me sytë e mi, edukatën e shëndoshë patriotike, plot dinjitet e sjelljen burrërore të djemve të teknikës së Fulcit”.

Përnjëmend shembulli i Fulcit në drejtim si edhe në punët teknike dhe praktike, ka pasur efekt të fuqishëm dhe edukativ te të gjithë ne, ish nxënësit e tij dhe është më se e vërtetë se të diplomuarit e tetë breznive (1926-1933), në udhëheqjen e Fulcit në jetën e tyre praktike, kudo që kanë shërbyer, janë treguar shembull punëtorësh profesionalë të gjithanshëm e të palodhshëm dhe u janë përveshur çdo detyre që u është ngarkuar dhe kanë arritur suksese të mëdha në profesione të ndryshme si agronomë, inxhinierë elektrikë, mekanikë, ndërtimtarë, gjeometra, arsimtarë etj. Janë të regjistruar në këtë libër, mbi 18 martirë të shkollës teknike të Tiranës, midis të cilëve ata të kënetës së Maliqit, nën etiketën e sabotatorëve, të spiunëve, tradhtarëve e të çdo gjëje të pistë për të ndyrë emrin e tyre dinjitoz.

Abdyl Sharra, 35 vjeç nga Vlora. Kryen shkollën teknike “Robert”, kolegjin e Stambollit e Fakultetin e Ndërtimtarisë në Romë. Punon në vende të ndryshme pune, kurse viti 1946 e gjen kryeinxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit. Tre muaj pas largimit nga ajo detyrë arrestohet si armik i popullit, i akuzuar si iniciator kryesor për sabotime në stil të gjerë në ndërmarrje të mëdha, por edhe në ndërmarrjen e Maliqit, kur për të gjitha sabotimet udhëzohej nga misioni amerikan nëpërmjet Fulcit. Gjykimi, për gjoja tharjen e kënetës së Maliqit, filloi 5 ditë para largimit të misionit amerikan nga Shqipëria. Gjyqi duhej të shërbente për diskreditimin e Fulcit dhe për të shmangur ndikimin dhe prestigjin e shkollës teknike. “Versioni” i ngritur për arrestimin si armiku i popullit ishte nën akuzën “si iniciator kryesor i këtyre sabotimeve që udhëzohesh nga Fulci, të cilën e njihte që kur ishte nxënës i tij në shkollën teknike të Tiranës. Për çdo sabotim të kryer raportonte nëpërmjet Zyraka Manos etj”.

Më 8 nëntor 1946, ora 9:30, ditë e premte në sallën e kinemasë 17 nëntori (ish-“Nacionalit”), me shumë të ftuar “të zgjedhur” në sallë, fillon gjykimi kundër 16 anëtarëve të “Grupit sabotator për tharjen e kënetës së Maliqit”. Ra dita e festës së madhe, 5-vjetori i themelimit të Partisë kërkonte një të tillë kurban, ç’ka ishte fillimi i një tradite që pastaj do të vazhdonte gjatë… E vulgus vul decipi (vulgut i pëlqen të gënjejë), ndaj altoparlantët me gjithë fuqitë e tyre po i mbushnin mendjen atij “grumbulli” se ishte kryer një “krim i madh”, ndaj do të zbatohej një drejtësi edhe më e madhe. Pra, në këtë gjykim që filloi 5 ditë pas largimit të misionit amerikan nga Shqipëria, kishte dy të varur në litar, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri dhe 5 të pushkatuar, duke i paditur si “krimi i madh”. Ata të dy u ekzekutuan pse kishin qenë të shkollës teknike të Tiranës, të cilët ishin arrestuar, gjithashtu, për këto dy arsye: 1) vinin nga familjet nacionaliste të Vlorës, prandaj duheshin trajtuar si armiq të klasës; 2) gjyqi, duhet të shërbente edhe për të shmangur ndikimin e prestigjit amerikan të shkollës teknike… Njëkohësisht Abdyl Sharra ishte vëllai i Omer Sharrës, ish-profesor në shkollën teknike të Tiranës, ose siç e quante populli qysh nga themeli i saj, shkollën e Fulcit.

Kujtim Beqiri, 30 vjeç, nga Velça e Vlorës. I ati ishte pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit më 1912, si edhe në Luftën e Vlorës më 1920, shkollën teknike, (degën e elektricitetit) e kryen më 1933. Më 1940 përfundon me medalje të artë të inxhinierisë civile në universitetin e Vjenës. Punon në Peshkopi, në Prizren, në Vlorë etj. Në korrik të vitit të 1946, dërgohet drejtor në punimet e liqenit të Maliqit, pas tre muajsh arrestohet bashkë me Mitrush Përmetin e Pandeli Zografin (që të dy të diplomuar të shkollës teknike të Tiranës).

Në gjyq të gjitha punimet e tij u quajtën vepra sabotimi. Më 19. nëntor 1946 u dha vendimi i gjykatës që dënonte Kujtim Beqirin me varje në litar. Më 22 nëntor do të kryhej ekzekutimi nën kujdesjen e vetë prokurorit, Nevzat Haznedari. Ndërkaq, Kujtimi, hipi vetë në karrige e thirri: “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!”. Thonë se Kujtimi e shtyu vetë karrigen e litari u zgjat deri në tokë, por prokuror Haznedari shpejtoi për ndrequr gabimin dhe e vari për së dyti. Kujtimi ka qenë në një gjeneratë me mua e Kamber Kazazin (në vitin 1993) – shkruan autori Mehmet Gjevori. Në universitetin e Vjenës, në hyrje të tij, çdo 50 vjet, varen me radhë, fotografitë studentit më të shkëlqyer nën mbishkrimin: “Yje të universitetit”. Gjer më 1975, kishte arritur më 21, numri i ekselencës, ndërsa më 1976 i 22-ti, qe studenti nga Shqiperia, Kujtim Beqiri (në atdheun e tij, atëherë kishte 30 vjet nën dhe). Në auditorin e madh të Vjenës, varur si yll në shkollë, ndërsa në vendin e tij, varur në litar për “tradhti”.

Kur mbaroi shkëlqyeshëm në korrik të vitit 1940, i thanë që ta mbanin asistent-profesor në universitet. Ai nuk ndenji as të merrte doktoratën e veçantë, mes shkëlqimeve e të mirave që i hapte Europa. Kjo sepse vendi i tij kishte nevojë për njerëz të mësuar dhe i ati, Ali Beqiri, si patriot që ishte në krah të Ismail Qemalit për pavarësi në kuvendin e Labërisë në Beunë të Vlorës më 1920 dhe më parë kundër pushtuesve osmanë dhe italianë i njohur në rrethet demokratike e donte djalin të edukuar për t’i shërbyer vendit të tij. Ishte vetëm 30 vjeç, Kujtimi, kur iu dha detyra e rendë, por mbi të gjitha gjyqi i tmerrshëm dhe paradoksal i Maliqit. Më 1971 revista e ministrisë së Punëve të Brendshme Shqiptare “Në shërbim të popullit”, botonte foton e urës së Shkumbinit me fjalët himnizuese “vepër monumentale, që mbuloi lumi i Shkëmbimit, por s’u mund”. Gazetari i paparë me këtë shkrim që kishte bërë, nuk e dinte që këtë urë e kishte kryer personi i cilësuar “sabotues”, Kujtim Beqiri kur punonte si inxhinier në Ministrinë e Botores. Urën e kishte konstruktuar jo me beton, por me këmbë hekuri. Më parë kishte provuar guximshëm një tip ure “vetpërcjellëse”, e cila me gjysmën e lendes ndërtuese, do të mbante dyfishin e peshës. Në provën e saj me rryl druri, ku qe edhe Enver Hoxha kaluan 50 kv peshë. Pritej që ura, të mos thyhej, të harkonte 2.5 cm, por harkoi vetëm 1.8 cm. Enver Hoxha u detyrua t’i jepte dorën, por pas një viti ajo dorë firmosi edhe varjen e tij në litar. Kur u nis në Vjenë, ishte një nga nxënësit me të preferuar të Fulcit, aq sa i kishte thënë: “T’i do të bëhesh Beniamin Franklini ynë.”

Mirëpo në atdhe e pagëzuan si agjent i Fulcit dhe i UNRRA-s, ndërsa Fulci, i ardhur si përfaqësues i Amerikës, i shkruante departamentit të shtetit më 15 gusht: “Të bëhen rregullime kufiri në favor të Shqipërisë, që shumica e këtij minoriteti të gjerë shqiptar në Jugosllavi të përfshihet në atdheun e tij, edhe pse ishte e vështirë për shkak të politikës ekspansioniste jugosllave, që ka synuar të kontrollojë të gjithë Shqipërinë.”

Kur shfletojmë procesin gjyqësor të publikuar në “Bashkimi” gjatë vitit 1946, vetëm për 4 muaj, lexon se në të nuk përfshihet e vërteta, por vetëm sharje të fryra nga tribuna, duartrokitje hipokrite nga salla dhe asnjë provë se gjoja ka sabotuar që nga uji i pijshëm e deri te mos shpërndarja e çizmeve prej llastiku, apo dezinfektime në fjetore… Punëtorët i kualifikonte keq për të ulur moralin e për t’i përçare… Dheu në kanal që nuk arnohej çdo 50 m e deri te eskalatori, që nuk u vu atje ku duhej, apo që i paskëshin hedhur shumë kripë gjellës për të dëmtuar punëtorët. Më e pavërteta akuzë ishte se “kishin simpati për Amerikën dhe nderim për Fulcin”.

Pikërisht për të prerë këtë urë drejt perëndimit të gjithë urat dhe kanalet që kishin ndërtuar konkretisht në Shqipëri do të damkoseshin “sabotime”. Eugenio Saturo bëri pyetjen se nuk e kuptonte: Ç’po bëhet kështu? Kur i hutuar dëgjonte ato akuza në gjyq, të cilat nga gjuha e tij huaj nuk kuptonte asgjë se çfarë po ndodhte me të. E në ato ditë Enver Hoxha takonte miqtë e tij serbë në Pallatin e Brigadave, midis të cilëve mikun e mysafirin personal të mareshalit Tito Kujtim Beqiri në vitet 1941-1943, kishte shkuar si inxhinier të punonte në Kosovë, pasi në vendlindje nuk e pranoi ofertën fashiste, ose këmishën e zezë, ose në Kosovë ai zgjodhi Kosovën, por u largua menjëherë që kur e pa se kush ishte Jugosllavia e vitit 1944 dhe qëndrimin e tyre ndaj kosovarëve. Kronika e gjyqit shpjegon se si trupi gjykues kishte shtuar kërcënimet kur Zyrka (i quajtur edhe Zyraka) në gjyq vinte e krehur si për shëtitje, ndërsa Kujtim Beqiri (Shaqiri), dëgjonte i qetë me një “cinizëm të çuditshëm”.

Në fund, ai nuk u lodh më të shpjegojë, kur u bind se do të mbyllej gjyqi. Një sigurims u thotë mënjanë që të pranonte akuzat. Mirëpo Kujtimi mendoi, kur gjyqi kishte nisur vetëm 4 ditë mbas arrestimit të tij i tha: “E di që nuk kam faj e do të më vrasin. Çdo gjë është e paracaktuar. Por, dua të vdes i pagjymtuar si njeri. Pastaj Kujtimi i tregoi këtij sigurimsit një të burgosur varur kokëposhtë mbi bajga të ndezura, se po mbytej nga tymi dhe ia mbylli bisedën sigurimsit: “Pafajësinë time e sheh Perëndia dhe do ta thotë historia. Ju jeni pushtet kriminelësh! Ngrijeni kokën, – u foli Zyraka shokëve që shkonin në heshtje drejt ekzekutimit! Zoti lart na e sheh fytyrën e pafaj. Abdyl Sharra, thonë të pranishmit, kur iu afrua litarit, vështrimin e fundit e kishte humbur diku te natyra. Pas qetësisë, edhe pse nuk u varën menjëherë, dhe ligjet ndërkombëtare jepnin falje në këto raste, prokurori nga frika ia vari me vrap litarin më të sigurt”.

Moral diktaturash. Dimitrovi në gjyqin e Lajpcigut u propagandua si heroi i botës komuniste, por nazizmi jo vetëm që nuk e vari apo e pushkatoi, por e la të llomotiste. Dimitrovi foli: “Unë mbroj nderin tim prej komunisti dhe prej revolucionari, prandaj çdo fjalë që them përpara gjyqit të Rajhut është, si të thuash, gjaku i gjakut tim, mish i mishit tim. Komunizmi ndërkombëtar lufton për ngadhënjimin e shumicës së klasës punëtore dhe të shtresave të gjera të fshatarëve të varfër, për instalimin e diktaturës së proletariatit në tërë botën, për krijimin e bashkimit botëror të republikave socialiste sovjetike, për zhdukjen e plotë të klasave dhe për realizimin e socializmit si etapë e parë shoqërisë komuniste.

KOMINTERN-i, si partia komuniste e përbotshme nuk loz me kryengritjen dhe me revolucionin. Rrota e historisë ecën përpara drejt komunizmit të europës sovjetike, drejt bashkimit botëror të republikave sovjetike….” (Skena: policët e kapin Dimitrovin dhe e detyrojnë me forcë të ulet në bankën e të akuzuarve. Trupi gjykues vendosi që Dimitrovit t’i hiqet e drejta e fjalës). Marrë nga gazeta “Bashkimi” 13. 6.1946, f 3.

Në analogji të këtij akti të përbotshëm janë dy gjyqe të këtij viti, të inskenuar në Maliq për sabotim, ndërsa në Rajh për djegie, por kurrsesi nuk dokumentohet asnjë formë antropogjene në krahasim medënimet e marra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *