Nga Erl Kodra/ Mediat si ‘Makina e Kohës’

Shënim: Ky është një cikël shkrimesh për gazetarët, profesorët, njerëzit me profil të fortë publik, por dhe për shkrimtarët shqiptarë në raport me manipulimin masiv të së vertetës në Shqipëri.

“Manipulimi nëpërmjet mediave është njësoj si helmi në sistemin e furnizimit me ujë të një vendi – ai prek të gjithë jetën tonë në mënyrë të paimagjinueshme”. –Lance Morcan, shkrimtar Neo Zelandez.

Metodat janë të thjeshta, mjetet po e po, të vjetra sa shoqëria njerëzore; por edhe të shumëfishuara dhe të pasuruara në stil dhe performancë. Qëllimi është gjithmon i njëjti; të manipulohet e verteta, ajo që duket, ndërsa ajo pjesë që nuk duket për shumë arsye, të mos dalë kurrë në dritë. Me një organizim perfekt, të strukturuar dhe të shtresëzuar në çdo qelizë, ata funksionojnë si një “Makinë Kohe” për të shplarë trutë e shoqërisë tonë.

Në të vertetë duket se krejt shoqëria jonë është ngritur mbi një gënjeshtër të madhe, gënjeshtër që askush nuk merr mundimin ta demaskoj. Është e pamundur të gjendet qoftë një personalitet i pavarur me impakt të fortë në shoqëri që flet për gënjeshtrat tona. Ndërkohë që në Shqipëri jetojnë me qindra profesorë, shkencëtar dhe personalitete të kulturës dhe artit, doktorë dhe pedagogë universitetesh që gjallojnë me kujdes në këtë mjedis ku gjithçka manipulohet sistematikisht. Manipulim që fillon që në orët e para të mengjesit dhe mbyllet diku pas mesnate, për të vazhduar çdo ditë përgjatë gjithë kohës. Gjithmonë.

Le të marrim si shembull më të shquarin e letrave shqipe. Ismail Kadare është një shkrimtar i mirë. U rrit si i tillë në diktaturë dhe kulmoi me veprën e tij po në atë kohë. Por asnjëherë nuk foli për të vertetën dhe rreth të vertetës, por gjithmonë gjeti shtigje opurtune për të shkruar romane të mira, por pa ngacmuar sado pak rregjimin horror të Enver Hoxhës. Përkundrazi, ai shkroi një ndër veprat letrare më të spikatura për këtë përbindësh, duke e glorifikuar atë, duke e lartësuar figurën e tij si të një Zoti. Dhe “Perëndia” Enver Hoxha mbretëroi derisa vdiq, i rrethuar me “Nder dhe Respekt” nga viktimat e tij.

Ismail Kadare u kujtua nga fundi se duhej bërë një akt, një veprim që ta distancojë sadopak, atëherë kur ai rregjim i strukturuar kriminal kishte marrë rrokullimën. Sot akoma i ka ngelur ora në ato vite dhe përpiqet të intepretojë veprën e tij ndryshe, dhe veten e tij si një disident. Ai nuk e thotë hapur se ka qenë i tillë, pra një disident, por me gjasa kjo përpjekje e tij duket ashiqare tek nuk rreshtë së evokuari “përndjekjen” e tij imagjinare nga rregjimi i Enver Hoxhës.

Ismail Kadare hesht në mënyrë të turpshme edhe sot. Me meritë apo jo, ai e ka fituar me kohë statusin “Gjeniu i Letrave Shqipe”. Është krejt tjetër gjë nëse e ai meriton këtë titull, dhe kjo nuk është objekt i këtij shkrimi. Por fakti është ky; Ismail Kadare sot e gjithë ditën shfaqet në të gjitha mediumet mbarë kombëtare si shkrimtari dhe mendimtari më i madh shqiptar.
Po si ka mundësi që pikërisht ky mendimtar i shquar, ky shkrimtar me përmasa botërore, kandidat i përjetshëm i Çmimit Nobel nuk thotë një fjalë te vetme për Gënjeshtrën e Madhe që është ulur këmbëkryq, bash në zemër të shoqërisë tonë?! Si ka mundësi që ai flet gjithmon për të kaluarën dhe raportin e tij më të, por asnjëherë për tashmen dhe të ardhmen që është marrë peng nga “Makina e Kohës”, që manipulon realitetin e tmerrshëm ku jeton populli i tij? Si ka mundësi që nuk flet një fjalë të vetme për Top Channel, Klan Tv dhe dhjetra televizione kombëtare që janë kthyer në armët më vdekjeprurëse për të vertetën e tmerrshme ku jeton kombi i tij?! Çfarë e mban peng Ismail Kadarenë të mos thotë të vertetat sipas tij për shoqërinë tonë?

Një shkrimtar i madh matet vetëm nga vepra e tij në vetvete. Domethënë, Viktor Hygo nuk do të ishte i tillë nëse nuk do të shkruante “Të mjerët”, “Njeriu që Qesh” dhe sidomos “Viti 93”. Po ashtu Tolstoi nuk do të ishte ky që është sot nëse nuk do të shkruante “Lufta dhe Paqja”. Këto vepra janë të gjitha “letërsi e angazhuar” në të mirë të popujve të tyre, në momente kyçe të historisë, që i kanë tejkaluar me kohë kufijtë kohorë dhe fizik të botës që njohim. Po, Ismail Kadare ka shkruar edhe ai letërsinë e tij “të angazhuar”, ku spikatë “Dimri i Madh” dhe “Koncert në fund të dimrit”.

Një mendimtar i madh matet edhe nga raporti i tij me të vertetën, sidomos nëse rrekesh të pikturosh autoportretin tënd si Babai i Kombit. Baba që nuk flet, kur bijtë e tij përdhosin dhe gjakosin shtëpinë tënde. Baba që hesht kur Mafia, Politika dhe Krimi kanë kapur çdo qelizë të shtetit, ndërsa me qindra mijra shqiptarë po e braktisin vendin.
Vijon…

Fotografia e Erl Kodra
0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments