Mbyllet teatri i Gjirokastrës, drejtori: Aktorët duhet të djersitin

Ela Baka

Ndryshe nga gjithë ditët e tjera, mëngjesin e së hënës aktorët e trupës së Gjirokastrës i kanë gjetur dyert e godinës të mbyllura me dryn. Të indinjuar në lidhje me këtë fakt, që sipas tyre i ka fyer së tepërmi, kanë kërkuar që drejtori i institucionit të jepte sqarime. Sipas tyre, pas vendimit të Këshillit Bashkiak për ndryshimin e statusit të teatrit dhe përfshirjen e tij në kompaninë teatrore- kulturore, nuk trajtohen më si aktorë dhe artistë, por thjesht po vihen në dispozicion të aktiviteteve që organizon bashkia.

“T’u thuhet aktorëve që nuk do hyni në teatër, të mbyllen gjithë dyert është një turp i madh. Është skandaloze që aktorë me përvojë 40-vjeçare të flaken kështu dhe të lihen në rrugë, kur ne çdo ditë jemi të predispozuar të punojmë dhe arsyet i di vetëm drejtori. Më vjen shumë keq që pas kaq vitesh për herë të parë e gjejmë derën të mbyllur. Për ne është një fyerje shumë e madhe”, ka pohuar aktorja Irena Pilo.

“Në radhë të parë, si trupë artistike. duam të dimë cilat janë arsyet që e kanë çuar në një masë të tillë, që të mbyllet institucioni për aktorët. Ne jemi artistë, vijmë çdo ditë dhe bëjmë xhiro në korridor, sepse është pezulluar puna. Arsyet nuk i dimë dhe sot vjen në një masë përfundimtare që të mbyllet institucioni dhe ne të qëndrojmë këtu jashtë. Është lënë përgjysmë drama, me të cilën është punuar 5-6 muaj në tavolinë, kur erdhi puna për skenë u pezullua dhe nuk e dimë përse. Sot urdhri i drejtorit që aktorët të mos lejohen të hyjnë brenda, është transmetuar nëpërmjet pastrueses dhe inspektorit të skenës. Arsyet nuk i dimë. Ne jemi punonjës të hedhur në rrugë vetëm me një fjalë të drejtorit. Më të ofenduar se sot, nuk e kam ndier veten në 37 vite si aktor”, është shprehur aktori i njohur Viktor Çaro.

“Është hera e parë në vitet e tyre pafund këtu në teatër që vijnë dhe e gjejnë derën të mbyllur. Komunikova me drejtorin. E vërteta është që jemi lënë jashtë për një arsye të thjeshtë, se duhet nënshkruar një kontratë. Që të nënshkruash një kontratë pune kam përshtypjen se duhet të jetë e mbështetur në bazë të një ligji dhe se ajo kontratë bëhet nëpërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit. E vërteta është që u ftuam ta nënshkruajmë këtë kontratë, e cila nuk duhet të jetë individuale, por kolektive dhe për më tepër që kemi të bëjmë me aktorë, të cilët janë të emëruar vite me parë. Nuk e dimë përse duhet kjo kontratë. Megjithatë, ekziston rruga e zgjidhjes para se të arrijmë në këto masa ekstreme, si dryni te dera.

“Problemi është shumë herë më i mprehtë se kaq. Problemi është se kjo trupë teatri është abandonuar komplet dhe pas atij vendimi shumë të gabuar të Këshillit Bashkiak që të kthejë trupën teatrore në kompani kulturore, jemi katandisur si aktorë profesionistë të gjithë me shkollë të lartë të mbulojmë aktivitetet në rrugët e qytetit të Gjirokastrës, duke harruar e mohuar punën e vërtetë që duhet të bëjë aktori në teatër.

“Kam përshtypjen se është vetëm fillimi ky dhe do të vijnë mjaft momente më të vështira, nëse aktorët do të vazhdojnë të trajtohen kështu. Për herë të parë pas kaq vitesh, trupa jonë kishte vendosur të merrte pjesë në Takimin Kombëtar të Teatrove, për të pohuar se ekziston, se nuk e dinë që ekzistojmë. Dhe për këtë fakt ishim përgatitur, nxorëm provën në tavolinë dhe nuk na u dha asnjë mundësi, duke mos paguar autorin, skenografin, aktorët e jashtëm. U detyruam të ngremë duart dhe të tërhiqemi”, shprehet regjisori Vasil Çuklla.

Ndërkohë, sipas drejtorit të kompanisë teatrore- kulturore, Thimio Fili, shkak për mbylljen e dyerve të institucionit është bërë refuzimi për nënshkrimin e kontratave individuale. Sipas Filit, prej këtij momenti aktorët nuk janë më pjesë e institucionit që ai drejton dhe në këtë rast do të bëhet shpallje për vende të lira pune për aktorë.

Ndërkohë, drejtori i kompanisë thekson se vetë aktorët nëpërmjet shfaqjeve që do vendosin në skenë duhet të fitojnë të ardhura, dhe jo e kundërta, të kërkojnë para për realizimin e shfaqjeve. “Aktorët nuk kanë firmosur kontratë dhe duke mos lidhur kontratë, nuk janë më të punësuar në këtë institucion. Veten e tyre e kanë larguar nga ky institucion dhe isha i detyruar që të mbyllja dyert në mënyrë që të bëj kërkesë për aktorë të rinj, meqë këta që janë nuk kanë dëshirë të lidhin kontratë si gjithë punonjësit e tjerë. Kjo kontratë, e mirë apo e keqe, është bërë në bazë të ligjeve dhe aktorët janë të detyruar ta nënshkruajnë kontratën që të njihen si punonjës, pasi në të kundërt ngarkohem unë me përgjegjësi penale.

Zgjidhja është lidhja e kontratës që të jenë të punësuar dhe të njohin institucionin e ri, që është kompani teatrore kulturore e jo më thjesht teatër. Aktorët pretendojnë se kanë statusin e nëpunësit civil, por që nuk e kanë. Këta nuk duan të lidhin kontratë dhe janë të vetëlarguar, pasi unë nuk kam larguar askënd.

Shfaqja e dhënë duhet të nxjerrë lekët e nevojshme për të paguar gjithë shpenzimet e nevojshme që duhen. Deri tani aktorët janë paguar rregullisht. Është shoqëri e re që po ndërtohet dhe jo më si ka qenë dikur, që gjithçka ia jepte shteti. Tani duhet të djersitësh, që ta fitosh pagën. Kjo kompani ka këto kërkesa dhe nëse nuk i plotësojnë, le të largohen. Ky komunitet paguan 70 milionë lekë për këta aktorë në vit për një shfaqje në vit, të cilën ndonjëherë edhe nuk e realizojnë dot. Unë nesër do bëj kërkesë publike për aktorë të rinj, të cilët do t’i përgjigjen kërkesave të kompanisë teatrore kulturore. Aktorët që nuk kanë nënshkruar kontratën, nuk kanë pse të paraqiten më në institucion”, është shprehur drejtuesi i kompanisë Thimio Fili.

 

Me një moshë 43- vjeçare, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit teatri “Zihni Sako” ka shfaqur një sërë problematikash, që fillojnë me amortizimin e konsiderueshëm të godinës dhe mungesën e elementeve më thelbësore në të, siç është ngrohja e deri te mungesa e aktorëve të rinj.  Problemet janë theksuar edhe më tepër gjatë 10- vjeçarit të fundit, duke nisur nga salla e spektatorëve, studiot e gjithë ambientet e tjera. Kjo, pasi në të asnjëherë nuk janë kryer investime serioze. Shpeshherë aktorët profesionistë të kësaj trupe, kanë lëshuar alarmin SOS për gjendjen tejet të vështirë që kalon ky institucion i kulturës, por pavarësisht premtimeve asgjë nuk ka ndryshuar.

Rreth një vit më parë, një vendim i Këshillit Bashkiak, me kërkesë të Zyrës së Kulturës në bashkinë e qytetit e bëri trupën teatrore pjesë të kompanisë teatrore- kulturore.  Prej shumë vitesh, kjo trupë, e cila aktualisht ka vetëm 8 aktorë, vë në skenë vetëm një shfaqje në vit, ndërsa sensibiliteti i publikut të Gjirokastrës ndaj teatrit ka rënë ndjeshëm.