Rama akuzon Bashën për paktin detar me Greqinë, por dje doli me kolonelen e marrëveshjes

Edi Rama nuk tha asnjë fjalë për këtë temë. Ai foli vetëm vetëm për aksionin e IKMT-së në Himarë, për vizitën e Flamur Nokës dhe për marrëveshjen e detit me Greqinë.
Çështjen e fundit e përdori për ta akuzuar opozitën për papërgjegjshmëri dhe Lulzim Bashën si njeriun që i ka falur territore shqiptare vendit fqinj.
“Je njeriu që ke firmosur për të dhënë një copë territor të Republikës së Shqipërisë dhe kjo është arsye që kemi problem dhe dialog të vështirë më fqinjët.
Je njeriu dhe partia që është e provuar, jo nga unë por nga Gjykata Kushtetuese, se keni shkelur kushtet dhe keni cënuar integritetin territorial të vendit.
Kam dëgjuar pa fund akuza antishqiptar dhe antikombëtar. Kurrë nuk do iu them juve antishqiptar dhe antikombëtar. As Saliut që ka bërë shumë dëme dhe as kjo parti nuk mund t’i thuash antishqiptare dhe antikombëtare, por mund të gjykoheni si të papërgjegjshëm. Papërgjegjshmëri që e keni treguar pa fund” u shpreh Rama.

Rihapja e temës së marrëveshjes me Greqinë ngjan me një taktikë të Ramës për të shmangur debatin në lidhje me akuzat për lidhje me krimin.
Një ditë më parë, me propozim të Edi Ramës, prefekte e Tiranës u emërua Suzana Jahollari. Kolonelja në rezervë ka qenë një nga ushtarakët që i doli në mbrojtje marrëveshjes së detit me Greqinë dhe kjo nuk e ka penguar Ramën ta promovojë në detyrë.


Në një letër të shkruar në shtator të vitit 2009, prefektja e Tiranës i shkruante Myslym Pashajt.
“Nënshkrimi i Projekt-Marrëveshjes dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, lidhur me delimitimin e hapësirave detare mbi të cilat ushtrohet sovranitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, buron nga neni 83 i Konventës së Montego Bay-it të vitit 1982 (UNCLOS), në të cilën të dy shtetet janë palë. Në formulimin e kësaj marrëveshje janë zbatuar rigorozisht parimet themelore së kësaj Konvente.
– Në këtë marrëveshje janë pasqyruar të drejta të tilla si ajo e sovranitetit shtetëror për qëllimet e shfrytëzimit të burimeve natyrore të shelfit kontinental (article 77 UNCLOS), statusi i pasurive nënujore dhe hapësirës ajrore mbi të (article 78 UNCLOS), gjendet i reflektuar dhe një parim tjetër shumë i rëndësishëm, që është e drejta e kalimit paqësor (article 17 UNCLOS), artikulli 15 i UNCLOS, i cili përcakton mënyrën e delimitimit të detit territorial midis dy shteteve që janë ballë për ballë ose fqinjë, si dhe kapitulli VI i saj, ku trajtohet “Shelfi Kontinental”.
– Kjo Projekt-Marrëveshje është përgatitur nga një grup profesionistësh të fushës juridike, ushtarake dhe politike” shkruante nënkolonele Suzana Jahollari.