Tre pikpyetjet e largimit të Visho Ajazit

0
  • Dorëheqja e Visho Ajazit që ra si një rrufe në qiell të pastër është interpretuar deri më tani vetëm nga dy figurat kryesore të opozitës. Lulëzim Basha e trajtoi atë si një përpjekje për të fashitur skandalin e përgjimeve të Tahirit. Misteri i këtij largimi nuk mund të lihet pa u parë në sfondin e skandaleve të përgjimit. Këtë qëndrim mbajti edhe Berisha që shkoi edhe më tej. Ish kryeministri i akuzuar nga kundërshtarët e tij se kishte një lidhje direkte me njeriun që e kishte emëruar pesonalisht në krye të SHISH-it pretendon se “dorëheqja” u dha nga presionet e Edi Ramës. Sipas tij materialet e tjera që Visho Ajazi kishte për vëllain e Ramës dhe më disa ministra, e kanë detyruar atë të dorëhiqet.

Ky version, që mbrojnë krerët e PD, edhe nëse mund të konsiderohet i besueshëm, në rastin më të mirë është i paplotë.

Po pse kur paskësh qenë në konflikt me Ramën, kur paskësh pasur material për të ish shefi i shërbimit inteligjent duhej të dorëhiqej? Mos kish pasur ndonjë anë të errët me të cilën e kanë shantazhuar? Mos i dinin ndonjë gjë, që nuk e di publiku?

Sepse, nëse nuk është luajtur ndonjë lojë e tillë, Ajazi nuk kishte përse të largohej. Ai nuk mund të dorëhiqej vetëm nga presioni. Po të qe thjeshtë për presion, ai do ishte dorëhequr me kohë, që kur kjo mazhorancë i ngriti komision parlamentar hetimi dhe e telendisi për një çertifikatë sigurie.

Pra pyetja është pse nuk u largua atëherë dhe e bëri tani, kur qenkësh një njeri që nuk e mbante presionin?

Pa marrë përjigjen e kësaj pyetjeje version i opozitës duket pak i besueshëm.

Një pistë tjetër është ajo e marrëdhënies me presidentin Meta. Disa media theksuan sot se Ilir Meta ia kishte konfirmuar mbështetjen shefit të shërbimit inteligjent pak kohë më parë. Dihet se ai nuk shkarkohej dot pa miratimin e kreut të shtetit. Prandaj pyetja është: Mos e shiti Meta Visho Ajazin? Mos vallë ai dha dorëheqje pasi e kuptoi se pas kryeministrit, nuk kishte më as mbështetjen e presidentit?

Mos vallë Ramës i duhej me çdo kusht koka e Vishos dhe aie ka shkëmbyer atë, me një koncesion të madh për ish aleatin e dikurshëm ose për LSI-në?

Kjo hipotezë pritet të vërtetohet shpejt. Nuk ka dyshim se pasuesi i Ajazit i propozuar nga Rama, Helidon Bendo është një njeri që ka besimin e kryeministrit. Para se të propozohej, ai është skanuar dhe kaluar në filtër nga shefi i qeverisë.

Pra nëse edhe Meta e miraton kandidaturën e tij, duke i hapur rrugë kontrollit të shërbimit nga kryeministri, del qartë se ka pasur një deal të më hershëm. Në këtë rast koka e Visho Ajazit nuk ka fluturuar me vullnetin e Ramës, por edhe me bekimin e Metës.

Ka edhe një hipotezë tjetër ende të pakonfirmuar se Visho Ajazi ka rënë pre e manovrave të rrugës së Elbasanit. Dihet që ai, të dhënat për krimin dhe trafiqet në Shqipëri i ndante edhe me shërbimet partnere. Përpos amerikanëve ai i ka dhënë shumë informacion edhe shërbimeve sekrete të Europës, ndërkohë që ShBA donte më shumë ekskluzivitet mbi SHISH-in. Dhe kjo ka bërë që ata të kërkojnë një njeri më të besuar dhe më pranë tyre si Helidon Bendo. Vetëm në këtë rast, Rama dhe Meta mund të binin dakord në heshtje, ndërsa opozita të shpërndante më kot shahshka tymuese, pa guxuar të thotë të vërtetën.

©Lapsi.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author