Nga Erl Kodra/ Hyrje në aktakuzën kundër Kryeministrit Edi Rama
(ose nga mund të fillohet ngritja e një aktakuze për Krim kundër Sigurisë Kombëtare)
___________________________________________________________
Krimi ka ndodhur. Droga u mboll dhe u trafikua në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nën kujdesin e posaçëm të Kryeministrit Edi Rama dhe ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Provat e krimit penal ndaj Sigurisë Kombëtare janë në të gjithë Shqipërinë. Ky është një fakt i ftohtë. Kryeministri Edi Rama nuk duhet të lejohet të sillet sikur kjo nuk ka ndodhur, nuk ka egzituar, ose sikur ai nuk ka qenë dhe nuk është Kryeministër, me detyrime të qarta, që e ngarkon Kushtetuta dhe trupa ligjore e Republikës. Krimi i ndodhur nuk mund të zhduket sikur nuk ka egzistuar.
Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë.
___________________________________________________________
“Detyra ime si prokurore është të bëj drejtësi. Dhe drejtësia është shërbyer e ftohtë kur një njeri fajtor është dënuar, ndërsa një i pafajshëm është shpallur i tillë.”
Sonia Sotomayor, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara
1. Edi Rama është Kryeministër i Republikës së Shqipërisë që prej Shtatorit të vitit 2013. Detyra themelore kushtetuese e Kryeministrit, përveç të tjerave, është që të mbrojë interesat kombëtare, në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së shtetasve shqiptarë, brenda dhe jasht vendit, në bazë të një tërësie të gjerë ligjore, ku përfshihen Kushtetuta e Shqipërisë dhe të gjitha ligjet e tjera që rrjedhin nga ajo. Krejt veprimtaria e Kryeministrit dhe Ministrave udhëhiqet nga vetëm një parim; të shërbehet në interesin më të mirë të shtetasve shqiparë, por mbi të gjitha, në plan të parë është rendi kushtetues dhe siguria publike.
2. Sa e ka përmbushur këtë detyrë të lartë kushtetuese Kryeministri Edi Rama? Në të vertetë, kjo detyrë nuk është përmbushur, për më tepër, ai ka dështuar në elementë thelbësor të mbrojtjes së jetës, pronës, territorit, rendit dhe sigurisë publike në të gjithë Shqipërinë. Një sërë veprimesh dhe mos veprimesh të një natyre sistemike në fushën e rendit dhe sigurisë publike, që prej vitit 2013 e deri më sot, tregojnë qartë se Kryeministri Edi Rama dhe ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kanë neglizhuar në rastin më të mirë, ose kanë bashkëpunuar dhe kanë punuar për interesa të Mafias dhe Krimit të Organizuar.
3. Kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë është një fakt i ftohtë. Eshtë detyrë parësore e çdo qeverie dhe çdo Kryeministri të kontrolloj territorin, të luftojë shkelësit e ligjit dhe Krimin e Organizuar. Në të vertetë kjo është detyra kryesore kushtetuese dhe e para në rendin e punëve të rëndësishme që duhet të ketë çdo qeverie e zgjedhur. Po ashtu, kjo rrjedh edhe nga detyrimet e Shtetit Shqiptar si një vend anëtar i NATO-s, si dhe angazhimeve të tjera ndërkombëtare që Shqipëria i ka pranuar dhe nënshkruar si një vend i botës se lirë. Fakti është se Edi Rama nuk e ka përmbushur këtë detyrë të lartë, për më tepër kjo detyrë nuk është përmbushur as nga Saimir Tahiri.
4. Deri këtu është folur vetëm për përgjegjësinë e mosveprimit, por në të vertetë ka edhe një përgjegjësi veprimi. Në dijeninë e çdo llogjike minimale për shtetin dhe ligjet e një vendi, qenia Kryeministër dhe Ministër të detyron që veprimtaria shtetërore të ndërtohet mbi disa standarte ligjore, proceduriale, dokumentare, protokollare, të tilla që të mundësojnë funksionimin burokratik pozitiv të aparatit shtetëror. Rregullat dhe doracakët mbi të cilat ngrihet dhe funksionon veprimtaria ligjore e një administrate, ministrie, ose edhe e një Agjensie Ligjzbatuese janë të tilla që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohen në asnjë rast. Fakti është se Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Policia e Shtetit jo vetëm që kanë dështuar plotësisht në përmbushjen e detyrimeve që i ngarkojnë ligjet e këtij vendi, por i kanë shkelur këto ligje. Sjellja e trupës Këshillit të Ministrave, Ministrave, Kryeministrit si dhe Drejtorive që varen nga qeveria është totalisht jashtë çdo standarti minimal shtetëror. Kryeministri ka mohuar duke gënjeyr hapur se në Shqipëri nuk mbillet drogë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka gënjyer sistematikisht në të njëjtën mënyrë, në një kohë që e verteta është fakt dërmues; Në Shqipëri janë mbjellur me mijra tonë drogë nga Mafia Shqiptare dhe Krimi i Organizuar në të gjithë territorin e vendit, me dijeninë dhe bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, dhe direkt të Kryeministrit Edi Rama dhe gjithë Ministrave të tij.
5. Në këtë rast këto përfundime nuk janë “dyshime të arsyeshme”, por ato kalojnë përtej çdo dyshimi. Duke qenë se detyra themelore e qeverisë, objekti i parë i punës së saj, si dhe arsyeja pse ajo egziston; (dmth është arsyeja absolute kryesore pse egziston shteti dhe ligjet e një vendi) është të kontrollojë territorin, të mbrojë rendin dhe sigurinë publike, të mbrojë jetën dhe pronën e shtetasve, por ajo dështon plotësisht në përmbushjen e këtij qëllimi kushtetues dhe detyrimi ligjor, atëherë nuk mund të ketë intepretim tjetër ligjor përveçse “Kryeministri Edi Rama, ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, përtej çdo dyshimi janë fajtor për veprimet dhe mosveprimet e tyre, dhe si rezultat i kësaj veprimtarie ata kanë rrezikuar seriozisht rendin publik, interesat e shtetit shqiptarë, jetën, pasurinë dhe pronën e qytetarëve.
6. Kryeministri Edi Rama dhe ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk mund të sillen sikur nuk kanë patur ndonjë përgjegjësi, nuk kanë qenë në Shqipëri, ose sikur nuk janë ata njerëzit e ngarkuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të qeverisur këtë vend. Sjellja e papërgjegjëshme dhe tallja me ligjet e këtij vendi, duke i injoruar ato plotësisht, ose duke i shkelur hapur ato, sistematikisht, në të gjithë territorin e vendit, në çdo fshat dhe rreth të Shqipërisë, duke mos përmbushur asnjë nga detyrat themelore kushtetuese dhe ligjore, i ngarkon ata, Kryeministrin Edi Rama, ish Ministrin Saimir Tahiri dhe ish Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli me përgjegjësi të rënda penale. Fushat e përgjegjësisë së tyre i përcakton dhe i parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në Kapitullin e Pestë të saj.
7. Përfshirja e Saimir Tahirit në aferën e Grupit Mafioz Kriminal të Habiljave nuk është e re dhe e panjohur për shqiptarët. Fashikujt e akt akuzës së Prokurorisë së Katanias flasin qartë se ky grup mafioz i referohej dhe bashkëpunonte ngushtësisht me ish Ministrin e Brendshëm. Provat në tërësinë e tyre, përfshirë këtu edhe faktet e paraqitura nga ish oficeri i policisë Dritan Zagani që në vitin 2015, janë të forta, të qarta, dhe të gjitha të çojnë në një përfundim, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se Saimir Tahiri është bashkëpuntori kryesor i këtij grupi, mbrojtësi dhe protektori real i tyre. Rrjedhimisht, përmasat e paimagjinueshme, sistemike, të mbjelljes dhe kultivimit të drogave në të gjithë tërritorin e vendit tonë, krijojnë bazën më solide të përfundimit se:
Përfundime
Kryeministri Edi Rama duhet të shkarkohet menjëherë nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dërgohet për ndjekje penale, me akuzën:
1. Shkelje e rëndë, për qëllime të caktuara e rendit dhe sigurisë publike,
2. Shkelje e rëndë e Sigurisë Kombëtare,
në bazë të neneve 213, 214, 215, 217, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duhet të hetohet dhe të procedohet si një anëtar i Grupit Mafioz të Habilajve, dhe si një bashkëpunëtor i ngushtë i shtetasit Edi Rama.
© Erl Kodra
20 Tetor 2017