Gruaja nga Tirana: Burri më la për një mashkull, por një hall tjetër kam me personin që jam tani

EKSKLUZIVE/ Psikologia e NOA, Loreta, jep përgjigjen që gjeni më poshtë, pas rrëfimit të plotë të gruas nga Tirana

Jeta bashkëshortore që nisi me mashkullin të cilin mendonte se do ta kishte deri në fund të jetës, ishte shumë e shkurtër për Lindën (redaksia e NOA rezervon të drejtën e censurimit të identitetit të plotë dhe të dhëna të tjera personale të zonjës dhe personave të përmendur në rrëfim).

Shumë kaloi me të dhe e vetmja gjë që dëshiron t’i gëzohet nga ato 18 vjet është jeta me dy fëmijët e saj.

Sa për të shoqin tashmë 45-vjeçar, ai kurrë nuk diti ta mbajë si grua duke e përfshirë në një “lumë” përplasjesh me njerëzit e tij.

E për t’i vënë kapak, iku në Greqi ku u lidh me një mashkull më të vogël se vetja.

Linda nga Tirana e cila jeton aktualisht jashtë vendit, tregon për NOA.al në këtë rrëfim të gjatë se duke dashur të ecë përpara me jetën e saj, nisi një lidhje kohët e fundit me një burrë. Me kohë mësoi se ai ishte i martuar por ai këmbëngul se e shoqja është e sëmurë psikike.

Dilema e Lindës është tanimë shumë e madhe. Ajo nuk di se ç’të bëjë në këtë fazë të jetës së saj, të lërë edhe këtë burrë apo të pranojë kërkesën e tij për t’u martuar me të.

Çështja qëndron se gruaja e personit e ka kontaktuar duke i kërkuar prova për lidhjen e tyre, duke shtuar se edhe ajo vetë është e lidhur. “Kur i them burrit të saj se ajo do një tjetër ai nuk beson dhe thotë janë budallallëqe”, – citon Linda.

Ajo është e shqetësuar sepse nuk di kë të besojë: “Dua të di a po luajnë me mua të dy”, – pyet Linda duke shtuar se asnjë provë dhe asnjë fjalë nuk i ka thënë të shoqes së personit me të cilin është e lidhur.

Në të kundërt, ajo i këmbëngul se e di lidhjen e tyre nga vetë i shoqi, por Lindës vetë ai ia mohon duke thënë se e shoqja është e sëmurë psikike.

“Kujt t’i besoj unë tani?

Ju lutem psikologes më jepni një përgjigje se ajo gruaja me dhimbset, por dhe këtij unë s’mundem me e tradhtuar me i çuar prova gruas së vet se ky është njeri shumë i mirë dhe ka karakterin tim kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Si t’ia bëj nuk e di. Ju lutem me ndihmoni.”

Rrëfimin e plotë ju mund ta lexoni më poshtë ashtu siç është dërguar nga Linda.

“Unë qe po ju shkruaj jam një zonje nga Shqipëria dhe aktualisht jetoj dhe punoj ne Gjermani. Dhe une si te gjithe dua te prezantoj historinë time. Ka 20 vjet qe jam martuar me ish bashkëshortin tim dhe martesa jone qe ne fillimet e para nuk shkonte mire se ish bashkëshorti im ishte nje burrë i dobët dhe nuk ishte i zoti me i dal gruas se vet për zot.  Me pak fjale nena e vet dhe motra e vet te dyja ishin ne dore te keqe dhe ishin xheloze per mua se une isha e shkathet i respektoja njerezit aq sa kisha mundësi.

Pra isha e kompletuar ne gjithcka por sa me mire te sillesh me ato njerëz qe janë me dy fytyra mundi, djersa dhe respekti te shkonin kot.

Bashkëshorti im ishte njeri punëtor po kishte nje gje sepse kishte frike nenen dhe mua nuk me respektonte fare po veç shpifte per mua kur une nuk isha ankuar asnjëherë atij per ndonje gje se e dija se ky nuk nxjerr qimen nga qulli si i themi ne shqiptaret.

Veç shamatë. Përherë me ngatërronte me njerezit e vet duke me thene mua qe ky te shan ty, kjo thote fjale te keqija per ty, kur askush nuk thonte asnje fjale te keqe per mu se njerezit e kulturuar me kuptonin mua qe une skisha burre dhe me thonin mos u merzit se ai eshte llafazan i madh.

Ai keshtu bente dhe ma para kur nuk ka qene i martuar me mua, e ka fut me mijera here babin e vet ne ngaterrese me njerezit.

Kisha gocën e vogël 5 muajshe dhe me ndau ish vjehrra me te për dy jave po une ika dhe e mora gocen time. Nejse. Ai iku ne kurbet dhe aty u lidh me një çun në Greqi dhe atij ia jepte te gjitha leket dhe neve na dërgonte shumë pak lekë.

Ju mund te thoni se nuk është e vërtete kjo qe po them po jo është 100% e vërtetë sepse nuk kam arsye për të gënjyer. Nejse kaluan vitet dhe jeta ime me të ishte kthyer ne një makth. E durova kaq vite tani jemi ndarë dhe kurrë nuk bashkohem më me të dhe kurrë nuk e kam tradhtuar atë njeri, po ai prapë nuk besonte se i folshin keq për mua nëna dhe motra.

Por unë prapë jam e forte dhe e përballoj jetën shumë mire me fëmijët e mi. Tani kam nje lidhje me nje person tjeter, por ai ne fillim me thoshte qe gruan e kam te sëmurë me ka thëne shume here qe a do te martohesh me mua po une si kam dhënë asnjë pergjigje se e kam jeten shume mire dhe nuk kam nevoje per martese më. Tani ai na del qe e ka gruan dhe nuk e ka te semure fare por ajo e ka kuptuar qe ky e ka tradhtuar shume here dhe normal kane filluar problemet. Si te cdo çift. Nderkohe gruaja e tij me kërkon mua nje prove qe te ndahen se mua ajo me thote se ti s’me ke faj se ai nuk është hera e pare qe me tradhton, ajo me thote merre ti tani se per mua ai s’vlen më. Une nuk dua te martohem më jo, se kam dy fëmijë te mrekullueshëm qe janë shume mire me mësime ndërkohë qe une punoj per ta. Kur i them unë burrit te saj qe kjo do te ndahet nga ti se ka nje lidhje tjeter ai me thote mua jane veç budallallëqe se ajo eshte e sëmurë. Kujt t’i besoj une tani?

Ju lutem psikologes më jepni një përgjigje se ajo gruaja me dhimbset, por dhe këtij unë s’mundem me e tradhtuar me i çuar prova gruas së vet se ky është njeri shumë i mirë dhe ka karakterin tim kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Si t’ia bëj nuk e di. Ju lutem me ndihmoni.”

Psikologia e NOA, Loreta, jep këtë përgjigje:

E nderuar Linda,

Nëse ajo zonjë është e sëmurë psikike apo jo, këtë nuk ju takon ju të vendosni, por ju mund të shikoni nëse ajo ka shenja të tilla.

Nëse ajo ju kërkon prova për t’u siguruar se i shoqi ka një lidhje tjetër, nuk është detyra juaj që ta bëni këtë.

Nga ana tjetër, ju duhet të uleni dhe të flisni shtruar me personin që jeni lidhur. Është e qartë se raportet martesore janë prishur nga të dyja palët. Sikurse thoni ju, gruaja e tij ka një raport intim me një mashkull tjetër dhe burri i saj, është i lidhur me ju.

Në këto kushte, problemin kam përshtypjen se nuk e keni më shumë ju, një grua e lirë dhe e ndarë, sesa çifti me martesë formale dhe me lidhje paralele të secilit. Ata janë duke treguar qartësisht se martesa e tyre ka marrë fund bashkë me ndjenjat e tyre për njëri-tjetrin.

Ndaj vendimin duhet ta marrë çifti, ose më së paku, bashkëshorti.

Këshilla më e mirë në këto rrethana do të ishte shumë pranë asaj që dëshironi dhe ju: Mos bëni një martesë të dytë, pa u siguruar se martesa e parë e personit që është kandidat për bashkëshort, ka përfunduar ligjërisht.” /ekskluzivisht për noa.al/