Mirela Papuçiu/ Poezi

ME KALOI NJE MAKINE.

Më kaloi një makinë përsipër,
para ca ditësh
Por, asgjë nuk u thye.
Të pashë ty që shkundje veshjet
prej pluhurit të ngritur,
ndërsa buzëqeshjet
morën të krisura brinjëve.
Mëngjesi i ndali një çast hapat.
Më pas, vazhdoi rrugën,
krejt indiferent.
Hëna u mrrol sa një kosë e florinjtë.
Gjithë pëshpërimave të ëmbla
ua këputi kokën.
Me tepsi argjendi ua nxori përpara
të arratisurve nga burgjet e egër të mërzisë.
Pastaj, vajti e iu ul në prehër harresës.

Më kaloi një makinë përsipër,
para pak ditësh
Veç, unë nuk ndjeva të më kërcasë gjë.
As trupin, as shpirtin nuk i kam më të mitë,
që prej syve të tu.

TI FLET

Ti flet dhe syte i mban lart.
Ndersa une nuk di t’i mbaj
veçse përmbysur,
me drojen se zogjte,
qe m’jane ulur ne telat e drites, 
nisin e cicerojne
ndersa te shoh.

Nga kenga e tyre
mund ta lije nje cast qiellin
per te marre llastiqet qe perdora
kur zogu ….ishe ti.

KA DITE…

Ka dite kur gdhihemi me nje sy te vetem
Ne retinen e tij nuk qendron dot
me shume se nje njeri,
as me shume se nje e vertete.

Pastaj, zgjohemi nga klithmat e drites
se 6 999 999 999-ve qe nuk i shihnim
Ekrani i zbrazët mbushet me zera,
skena, heronj te vetmuar, si ne,
qe luftojne ne tokat e harruara
te shpresave.
Ne secilin prej syve nje kaleidoskop.

Sot, pashe fqinjet tek flisnin
me nje te posaardhur
qe i kish duart plot lule.
Mengjesin e pata kaluar ne kopsht.

PUTHJEN E KA MBJELLE SI PEME ARRE.

I dashuri im është pak shtrigan.
Ai ka duar të gjata si fashat e dritës
Që zbresin agimet nga male errësire
E më zgjon me gishta rrezesh.

Lira që mban në kraharor,
Rend jehonë pas jehone e më përkund
Me këngë qe më shkundin brinjsh
Si thirrje orësh mali.

Puthjen e ka mbjellë si pemë arre,
Dhe karshi mban koshere bletësh.
Mjalti që i hedh cajit çdo mengjes,
Ka shijen e buzëve të tij.

Nën diellin e mallit bëhet lum që avullon
E më pushton me krahë rrebeshesh vjeshte.

I dashuri im është pak shtrigan
Ndërsa unë i dukem ende manare
Çudi, s’ e sheh që n’ardhje m’ pagëzoi
Tash, unë vet, pak shtrigë jam.

M’U KUJTUA NENA.

M’ u kujtua nëna
tek më tregoi për tri pika lot
derdhur kur linda.
Qau për tri pikat e gjakut
që do derdhja çdo muaj, -tha.
Por, më shumë për ditën
kur si një pikturë e shtrenjtë
paketuar me letër dhuratash
e fjongo gjithfarë,
do të përfundoja drejt
e në një koleksion privat.

M’ u kujtua edhe babai
Theri një viç
Ftoi gjithë të afërmit
në një festë të huaj nën tendë.
Pati muzikë si për të harruar
që shpejt do mbetesha pa shtëpi.

U habita pak
nga shtrëngimet e ftohta të duarve.
Por, sytë pa shkrepëtima të urimeve
i anashkalova,
përmbysur, siç isha, në ditën “D”
të jetës.

Kokrrat e orizit mbi makinë
afruan pëllumba të dridhur në sy
Unë qeshë betuar se do të isha e lumtur
Nuk lashë asnjë pikë shi të bjerë.

Pati përmbytje mbi çarçafët e bardhë
grirë me makinë….

Shpinën e rrëzuar të prindërve,
lutjet e tyre të ethshme i marrim në pajë –
strehë ku takohemi me mallin për veten.

KJO NUK ESHTE POEZI

Oh, e pashë shpirtin e valles!
U ngrit mbi vallëtarët,
si vala që vjen,
e u drejtua nga turma
me një përqafim
që e derdhi në krahërore frymësh.
Ama, tek unë qendroi më gjatë.

I pashë buzëqeshjet e vallëtarëve!
Varg rruazash veshur me filigranë.
Fole xixëllimash në sytë e njerëzve.
Veç, stoli iu bënë ballit tim.

Shpirti im fërfëlliu …

E marrtë dreqi shpirtin tim!
Çel si mendër e butë
thjesht nga lindja rutinë e diellit.

NGARKUAR DRITHERAT E ÇMENDURA.

Ç’bukë të mirë gatuan, ti, i dashur!
Prej gruri e misri rritur arave
Ku zemra rreh si e marrë.

Ngarkuar drithërat e çmendura,
Mbi karvanë të shtruar resh.
Me to, agime te arratisura,
Shkarkohen në mullirin e Zotit.
Buzet e kuqe te mokrave
Bluajne imët errësiren e trupit.

Ç’bukë të mirë gatuan, ti, i dashur!
Brumin e zë me qumështin qe te kullon Gishtash, kur me prekin bute
Dhe pak kripë nga kristalet e bregut të shpirtit.

Ku je ti nuk ka fjalë
Dridhet violina ime
Si purteka në ujë.
Këmbëzbathur vij
Me trëndafilat e gjakut
Që mbinë rrugës
Në duar.

Kur me shtrëngon,
Përzihet aroma e bukës
Dhe e gjakut.
Bëhem ditë.

Ç’ bukë të mirë gatuan, ti, i dashur!
Në duar mbaj çyrekun që ruaje për mua…