‘Ajo vajza e vogël dua të jem’/ Poezi nga Ada Dardha.

Poezi

KESAJ JETE

Kësaj Jete
kam filluar
që t’ia njoh të fshehtat
e rrugës,
me kalldrëme smeralde 
lotësh
është e shtruar,
atje ku dashuria,
si yjet e Hollivudit
një ditë do i hedhi hapat,
dhe koha si një grimcë rëre
do bëhet,
kur lumenjtë e ndjenjave
do rrjedhin
mbi trupat tanë…

AJO VAJZA E VOGEL DUA TE JEM.

Ajo vajza e vogël dua të jem,
që mblidhte thërrimet
e bukës
nga cepat e buzëve e
i hidhte 
si karrem mbi parmakët e ballkonit,
që të uleshin paqshëm dallëndyshet.
Atje brenda syve të saj të parritur
lodronin cicërimat e zogjve
që fluturonin përtej lumit
dhe sillnin fijet e barit bashkë
me baltën e njomë të arave.
Me sqepin e fildishtë i lidhnin kurorat
si tufat e flokëve të grurit, ashtu
siç lidhet dhe besa e njeriut,
ndër kyçet e kanunit
vraponin të ndërtonin
themelet e folezes pranverore..
Bashkë me ëndrrat e vajzës
rriten
zogjtë e vegjël nga një thërrime në çdo stinë,
Dashuria e saj për jetën,
merr flatra tek
buzëqeshja e qiellit
ndërsa perëndimi i diellit
mbulohet nga një krah dallëndysheje.
Fluturonte
fluturonte
fluturonte
andej ku dielli lindte e nuk të ngrohte!
Sot une jam ai zogu
i mërguar nëpër planete
ku dallëndyshet flenë pa ëndrra
në shtëpitë prej kartoni
dhe malli
rritet me flatrat e palidhura të zogjve
për vajzën e vogël
dhe për folezën e rrëzuar nga ballkonet e atdheut!

MJAFTON TA PROVOJME.

Mjafton ta provojme,
te ecim neper rrugicat e parkut,
te kapemi per dore,
te heshtim gjer ne fund te rruges,
gjethet do fillojne te bien
nga magjia e fjaleve,
ne do te puthemi,
por mos harro,
kur t’i shtrosh endrrat siper gjetheve,
me merr me vete,
mos me lere hije qe te te ndjek nga pas!

 

VJESHTË. 

U nisa mysafire nëpër agimin e zverdhur,
Plot mall drejt teje.
Erdha të të takoja,
Të shëtisja shtigjeve të tua, 
Që s’kishin mbarim,
Central Park !
Sot mbështillesh me mjegull
Pemët u lakuriqëzuan nga Vjeshta,
Gjethet lëvrijnë nëpër tokë
e përkunden në faqen e erës.
Kjo ditë kryeneçe më valëvit
edhe mua ndjenjat.
Zogjtë cicërijnë këngën e lamtumirës,
me krahët e vegjël
Duan të shtegtojnë,
kërkojnë pranverën në anën tjetër të ikjes.
Kurrë nuk do e harrojnë gjirin tënd të gjelbërt.
Ashtu siç ikin do të vijnë në gjethet e reja.
Bari, si qylym i vjetër, i dalë boje,
është shtruar poshtë teje,
Tokën e mban ngrohtë,
këmbët tona flenë poshtë tij.
Stolat kanë ngrirë,
i ftohti u ka hyrë në dhimbje,
Nuk kane me kë të flasin,
kush t’ua prekë krahët.
Është vjeshtë e verdhë,
si rrezet e fshehura të diellit,
brenda reve të murrme
që shtegëtojnë të lodhura.
Bën ftohtë, edhe për kalin e bardhë,
harruar gjithmonë rrobat
Në garderobën e të zotit,
nxituar për nusërimin e dëborës.
Por, vjeshta nuk harron t’i hedh
duke buzëqeshur hapat,
Gjurmët lëshon mbi asfalt
si rrahjet e kohës,
nga këpucët e hekurta prodhuar në pranverën e shkuar.
Ketrushat, shëtisin e brejnë
me dhëmbët e bardhë degët,
Sodisin vitrinat e pemëve, lodrojnë me mua,
më kërkojnë një foto së bashku,
për të më thënë vitin tjetër sa janë rritur!
E shkrep aparatin në kujtime të mbetura,
në cepin e një kënge të lënë përgjysëm,
nga zogjët që morën arratinë..
Në rrugët e tua vjeshtë
pas pak muajsh në Central Park
do të mbërrijnë!

KUJTIMI YT.

Kujtimi yt
si nje gote e thyer
me ngelet ne dore!
Ciflat e qelqit
dhe te vrarat e shpirtit
kane filluar te bien si gjethet
nga trungu i vjeshtes.
Heshtjes tende i fashoj syte
me dashuri
qe mos te shikoj
trishtimin tim te hedhur
rremujshem neper dhome.
Kurse vetes
qe sot kam filluar qe
ti bej nje vend
ne buze te fatit.
Dua qe
mos te me dridhen
me duart,
dua qe
mos te me qaj me zemra,
dua qe
dashuria te bjeri
permbi kujtimin tend!

LAMTUMIRË, O GJYSH, LAMTUMIRË,!

Na mblodhe gjysh rreth vetes, natën e krishtlindjeve,
si korba rreth teje rrinim, na rrihte zemra,
të qëndisnim jastëkun me dhimbjet tona, 
ti flije me kostum, në gjumin pa ëndrra.

Një nur i bukur të kish rënë mbi ballë,
Sikur s’ishin më të bardhë flokët gjithë diell,
Me 65 vite gjysh si yll i fikur
Ia hipe brengës sonë e kalërove në qiell.

Dimri u ul përmbi trupin tënd, të zbardhi faqet,
nëpër gjak lëshoi ngricën, të rrëmbeu ndjenjën,
nuk pyeti për zjarrin e ndezur në vatër,
për dhimbjen tonë, që përcëllonte zemrën.

Na mblodhe, me qirinj për Krishtlindje
Po Zoti të mori o gjysh, në ditën e madhe!
Ashtu t’i falëm buzët e djegura, që dridheshin në vaj
nga lotët e dhimbjes, që rropateshin faqeve.

Në ditën e festës qante për ty oda e vjetër,
rënkoi balli i oxhakut… dhe themelet e shtëpisë,
qanin lulet mbi arkivol dhe plloçat e oborrit
kur u nise me adresën e përjetësisë…

Botuar ne librin “Shpirti ka lot”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *