Front Kombëtar opozitar, LSI-PD

0

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka hedhur e para, që pas zgjedhjeve të 25 qershorit, idenë e bashkimit të opozitës. Në komunikimet e saj, në media dhe forumet e LSI-së, ka theksuar idenë se bashkëpunimi me gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë civile për të krijuar frymën e reagimit nga keqqeverisjes, është detyrë kombëtare.

Dje, në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë një tjetër hap drejt krijimit të një opozite të strukturar dhe të bashkuar në qëllime dhe në ide. Në forumin e LSI-së, Kryemadhi tha se koha nuk pret më për të krijuar një Front të përbashkët Opozitar në vend. “Koha nuk pret më tashmë për të krijuar një front të përbashkët opozitar me të gjithë faktorët politikë, të majtë, të djathtë, shoqëri civile, botë akademike dhe çdo qytetar kundrejt kësaj qeverisjeje arrogante që kërcënon të tashmen dhe të ardhmen e gjithë qytetarëve shqiptarë”,- tha liderja e LSI. Ajo u shpreh se ky front mund të quhet edhe Fronti Kombëtar kundër krimit të organizuar, pas emergjencat më të cilat përballet sot vendi kanë të bëjnë më krimin, që ka kapur nivele të larta të qeverisë. “Ne jemi të hapur dhe nuk kemi asnjë lloj kompleksi sa i përket bashkëqeverisjes të frontit opozitar ku për mua do të ishte shumë e drejtë të quhej fronti kombëtar kundër krimit të organizuar sepse rrezikun më të madhe që ka sot Shqipëria është krimi i organizuar, i cili është i kapur që në majat e saj duke filluar që nga kreu i qeverisë dhe duke vazhduar më pas në çdo segment qeverisës”,- deklaroi Monika Kryemadhi.

Deklarata e drejtueses së LSI-së është një ftesë për gjithë elementët opozitarë në vend, por mbi të gjitha ajo drejtohet për Partinë Demokratike. Selia blu, pas pazarit Rama-Basha, humbjes së zgjedhjeve dhe periudhës së sherreve brenda saj ende ka qenë e paqartë për aksionin opozitar që do të ndjekë. Lulzim Basha, në jo pak raste ka dhënë sinjale kontradiktore mbi mënyrën sesi do të organizojë opozitën e re të PD-së. Por humbja e zgjedhjeve, faktimi i blerjes së votës nga OSBE/ODIHR dhe zhvillimet e fundit me krimin e organizuar në vend, duket se e kanë detyruar Bashën që të mendojë dhe për krijimin e një koalicioni të gjerë opozitar. Disa sinjale janë dhënë në Kuvend për bashkëpunimin mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Bashkimi i votave PD-LSI kundër nismave të qeverisë edhe pse nuk është i mjaftueshëm për të rrëzuar ligjet, jep mesazhe të forta politike për elektoratin dhe qëndrimet kundër qeverisë. Gjithashtu, Lulzim Basha nuk e ka përjashtuar bashkëpunimin me LSI në komunikimet publike. Deputetët të ndryshëm afër Bashës, si Edvin Salianji kanë folur hapur për bashkëpunim dhe organizimin e kampit opozitar. Bile Salianji thekson fort të emisioni i Artur Zhejit se duhet pa asnjë mëdyshje koalicioni PD-LSI për të bllokuar dhe rrëzuar qeverinë e PS.

Por veç deklaratave, partive të opozitës, duhet bashkëpunim i konkretizuar në marrëveshje dhe aksion konkret. Në kalendarin politik ka mjaft zhvillime, siç është reforma zgjedhore, ku mazhoranca do të përpiqet të krijojë diversione. Janë lëvizje politike që do përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe parlamentare. Ndaj nëse bashkëpunimi konkret mes partive të opozitës lihet për më vonë, kjo i jep kohë vetëm mazhorancës për të përfituar nga rrëmuja opozitare. Edi Rama është mjeshtër diversioni dhe përçarës ekselent, kur ia do karrika e tij.

Bashkimi i opozitës nuk është i nevojshëm vetëm nga pikëpamja numerike, por edhe si mesazh për qytetarët që ndjehen të përjashtuar dhe të anashkaluar nga zhvillimet në vend si dhe dhunuar nga keqqeverisja. Opozita në këto muaj ka qenë e përqendruar vetëm në deklaratat në Facebook dhe kërcënimet në media. Është koha që jo vetëm të kritikojnë, por edhe të japin alternativën e re qeverisëse.

FRONTI I MADH OPOZITAR është një zgjidhje e pritshme nga gjithë shoqëria shqiptare, ndaj fjalët duhet ti kthejnë në vepra me nënshkrimin e një Pakti të dyja partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI.

Më pas fillon zgjimi i madh kombëtar!

Q.Xhani

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author