Nga Fatmir Ali Guda/ Edi Rama, je shumë i gjatë për tu fshehur pas një copë ylli.

Aktualitet Shkrime

Ai që ti vendos cep xhakete është yll i shuar, o Ramë. Sado të kapesh pas yjesh të venitur, maksimumi do lumturosh ndonjë gërxho të lajthitur. Kështu ke zgjedhur të provokosh, si ushqimi i helmuar stomakun, me shpresë se lavazhi shpëlan. E nise mandatin e dytë me një yll pa shkëlqim në cep të xhaketës, duke harruar mbase, se si dielli edhe ylli duket që në mengjez. Me një copë llamarinë pesë cepëshe mendon të mbulosh rrufjanllëkun dhe fukarallëkun e mbjellë ndër shqiptarë? Me të tillë send, mos kërkon të trëmbç Evropën, që të të qasënj në derë?

Me kështu ndryshkësire mendon të fanitesh trendy? Dukesh, zhdukesh dhe prapë dukesh nëpër tv-ra me lloj-lloj brekësh, penevrekësh, ushkuresh, poturesh, xhekesh dhe atletesh me simbole italiane e partizane, vetëm e vetëm që të dukesh ai që s’je dhe të fshehësh atë që në të vërtetë ti je. Mendon se u ke gjetur midenë shqiptarëve? Me timon, pa timon të gjithëve po thua se ua kalon?

Po, po, në kthesë mbase, por pas kthese ama vazhdon të gjendet ai, po i njëjti fshati yt i madh me emrin Shqipëri në pikë të hallit, me ata pak shqiptarë të mbetur, që vriten mes tyre, vetëvarren e vetëvriten. E ke të vockël yllin për ta fshehur pyllin e tre fletëshit, që vaditet dhe rritet, mbulon dhe jeshilon çdo skaj të atdheut. Nuk dihet më ç’të prodhon mëndja, me ç’tjetër send do u hedhësh shqiptarëve trutë e gomarit, por me këtë metalin 5 cepësh në distancë vetëm 5 centimetra larg trurit, padiskutim na vure të gjithëve një damkë turpi. Ku e gjete? Kush ta dha? Kush ta shturri ndër mend? Si guxove?

Ç’deshe të na thuash apo të mos na thuash me anë tij? Edhe “kazani” ama, me kujdesjen tënde të pamunguar ja bëri jehonën xhaketës së stolisur, siç e deshe tinë, sepse ti e ke tepsinë. Siç ke timonin dhe kazanin, që kur voga ta do e drejton mbi nje cep xhakete dhe jo psh në një realitet Shkoze, që klith e përzënë me dajak nga shtëpitë me britma fëmijësh, grash dhe lotë burrash. Me atë yll pa dritë të thotë mëndja se po i jep ndriçim dhe ujë një Shqipëri në terr dhe në etje? Je shumë i gjatë për ta fshehur vehten pas një ylli me myk çerek shekulli.

Mbase ti Edi Rama do të jesh ai që shfaqesh, ai që llafos, por aspak ai që bën, sepse edhe ajo që bën nuk është asgjë më shumë sesa cipë me bojë të zvordhitshme, vitrinë me magazinë bosh. Fundja tek endesh syresh, vallahi “kabull” po t’i bëjmë atletet, poturet, brekët, penevrekët. Edhe në gjumë i mbath! Veç yllin o “YLL”, fute … andej nga e nxorre!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?