Nga Agron Duka/ Platformë falimentimi, por jo program zhvillimi

0

Ajo çka kryeministri Edi Rama paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë si program për bujqësinë, në rastin më të mirë mund të quhet një paaftësi dhe padije, ndërsa produkti real është rrënimi i mëtejshëm i këtij sektori. Politikisht nuk do të qe gabim nëse quhet edhe “Projekti i falimentimit të fshatit”. Fakte? Po! Ja nja dy shifra:

Bujqësia, ekonomia pyjore dhe peshkimi, kontribuojnë në PBB te vendit me rreth 8% më tepër se industritë përpunuese, minierat, furnizimi me ujë, energjia elektrike, etj, të marra së bashku. Rreth 5 në 10 shqiptarë banojnë në fshat dhe kanë jetën të lidhur me këtë sektor. Asnjë logjikë aritmetike, pale ekonomike, nuk shpjegon se si mund të zhvillohet ky sektor dhe kjo popullsi nëse në axhendën e Qeverisë renditet ne aktivitetet me financim më të ulët. Asnjë hesap nuk del se si kjo qeveri, që thotë se është interesuar të zbusë nivelin e gjithanshëm të diferencave me zonat urbane, ka kaq pak fonde, financime e skema zhvillimi. Pa folur për mungesën e një strategjie më të gjerë për këta sektorë. Ekspertët e Partisë Agrare Ambientaliste kanë konstatuar se hartimi i kryeministrit me temën “bagëti e bujqësi” është një letër bakalli, konglomerat idesh konfuze të huazuara nga programet e mëparshme, pa një radhë përparësish dhe pa skema e rrugë zgjidhjeje. Vështirë të besosh se ia mund të jetë hartuar nga persona kanë ndonjë lidhje me këtë sektor. Dhe kjo është e pafalshme sepse kapacitetet intelektuale, përvoja dhe ekspertët nuk mungojnë. Në demek programin nuk saktësohen problematikat, edhe pse sot në Shqipëri ato janë evidente. Duke mos vendosur problematikat, vetvetiu mungojnë edhe politikat përkatëse. Kjo mungesë sjell nxjerrjen jashtë loje të institucioneve shtetërore që mbulojnë këto sektorë, duke i kthyer de facto në shtabe emergjence që rendin pas çështjeve rutinë.

Ky kryeministër na ka mbushur mendjen se jemi përpara hapjes se negociatave për anëtarësim në BE. Por në programin e paraqitur …ku i ka objektivat e zhvillimit dhe detyrimet e këtij sektori në fushën legjislative e institucionale? Këto janë detyrime sasiore dhe kërkojnë kohë për tu realizuar. Meqë kjo puna e “këshilltarëve të këqij” është si në modë, le të themi se ATA e kanë fajin. Sepse mbase prej vet formimit artistik kryeministri nuk e ka idenë se ç’është një program qeverisës për një sektor. Duke analizuar përmbajtjen e këtij të bujqësisë bie menjëherë në sy se shumë aktivitete që merren përsipër të realizohen nuk shoqërohen me buxhetin përkatës. I gjithë programi shoqërohet me tre deri katër shifra, në përgjithësi përmbledhëse, që thjesht rrisin konfuzionin dhe errësojnë transparencën.

  1. Ne program trajtohet çështja e përfundimit të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi dhe përfundimi i regjistrimit të tokës bujqësore brenda këtij mandati qeverisës. Pavarësisht se përfundimi i reformës së privatizimit të tokës bujqësore (konsolidimi i pronësisë) brenda këtij mandati duhej të qe prioritet, në program nuk flitet se si dhe me çfarë rritmi do kryhet ky proces. Nëse do nisemi nga shifra që. ministri citon në raport për realizimin e këtij procesi (12153 certifikata ose rreth 15 mije ha tokë) në mandatin e parë qeverisës, atëherë rezulton që ky objektiv nuk mund të realizohet brenda këtij mandati. Për më tepër që ky aktivitet nuk shoqërohet me buxhetin përkatës. Ekspertët e e PAA janë shprehur se ky proces dhe procesi i konsolidimit të tokës (fermave) duhet ti nënshtrohen Reformës së Administrimit të Tokës, ku të parashikohen përmirësime institucionale, ligjore dhe teknike.
  2. Në program flitet për uljen e TVSH të disa imputeve bujqësore kryesore. Nga mënyra se si është trajtuar (me një rresht në fund të programit) kuptohet që ky objektiv nuk është prioritet, për më tepër nuk specifikohen cilat janë këto “impute bujqësore kryesore”. Gjithashtu, ndryshe nga programi i vitit 2013, qeveria ka hequr dorë nga ulja e akcizës së naftës për përdorim në bujqësi. Ne si PAA jemi shprehur me kohë që të gjitha politikat që ndikojnë në uljen e kostos së produkteve bujqësore duhet të jenë prioritet për arsye se ndikojnë në mënyre zinxhir në uljen e çmimeve të produkteve bujqësore, rritjen e konsumit nga popullata të prodhimeve të vendit, shtimin e prodhimit, ndryshimin e raportit import-eksport për produktet ushqimore, shtimin e produkteve të industrializuara, etj
  3. Mënyra se si është trajtuar mbështetja financiare e fermerëve është konfuze, e paqartë, gjë që le shteg për abuzime dhe korrupsion. Në program nuk shpjegohet se çfarë politikash mbështetëse do të ndiqen për katër vitet e ardhshme, çfarë skemash mbështetëse do të aplikohen, cilat do të jenë aktivitetet prioritare që do të mbështeten etj. Së pari duhej parashikuar reformimi i AZHPR dhe rritja e kapaciteteve njerëzore në mënyrë që brenda një periudhe të shkurtër ky institucion të behej i besueshëm për thithjen e financimeve nga BE. Nëse marrim të mirëqenë shifrën që jepet nga ministri, BE nga programi IPARD do te financojë 71 milion euro ose 17.7 milion në vit, ndërkohë që për Maqedoninë financon mbi 140 milion euro dhe Kosovën mbi 60 milion euro në vit.

Nga ana tjetër është shumë i rëndësishëm aplikimi i skemave që mbështesin direkt familjet fermere. Përvoja e deritanishme tregoi se nga skemat ekzistuese të mbështetjes, fermerët nuk kanë përfituar asgjë.

  1. Ujitja dhe kullimi. Megjithëse pretendohet që është dyfishuar sipërfaqja e ujitshme, në këtë program qeveria ka hequr dorë nga deklarimi i shifrës që do të investohet për katër vitet e ardhshme. E njëjta gjë thuhet edhe për kullimin. Kjo tregon mosnjohjen e situatës dhe paaftësinë për të parashikuar investime. Ndërkohë që përveç rehabilitimit të sistemit ujitës dhe kullues, qeveria duhet të sigurojë një reformë institucionale efikase për mirëmbajtjen e këtij sistemi. Tani është koha që për të rritur aftësinë ujitëse duhet të parashikohet shtimi i burimeve ujore.
  2. Ndoshta më e rëndësishmja është siguria ushqimore. Edhe pse pranohet që jemi ende larg standardeve të sigurisë ushqimore, trajtimi i këtij problemi në program është i cekët dhe nuk të çon në zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve. Gjatë katërvjeçarit të kaluar kanë qenë të shumta rastet e cenimit të shëndetit të njerëzve, ndërkohë si rezultat i mos përmbushjes së standardeve, akoma vendi ynë nuk eksporton produkte me origjinë shtazore ne BE. Për këtë qeveria duhej të kishte parashikuar një reformë të gjerë institucionale dhe ligjore, ndërkohë që duhet të sigurojë buxhet të mjaftueshëm për modernizimin e instrumenteve të kontrollit, monitorimit dhe sigurimit të kapaciteteve teknike e njerëzore.

Një faqe paraqiti Rama program, diçka më shumë po paraqes edhe unë përmbledhtas, ekspertizën e PAA për një ndër sektorët kyç të vendit. Nëse ky kryeministër dhe qeveria e tij e kanë seriozisht se me atë letër bakalli do të udhëheqin bujqësinë në katërvjeçarin e ardhshëm, e përsëris: ajo mund të jetë platforma e falimentimit të Bujqësisë, por kurrsesi një program zhvillimi i një qeverie serioze.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author