Gazetari përshkruan mbresat nga udhetimi i tij në Mekën e Shenjtë. FOTO+VIDEO

Aktualitet Te tjera

Nga Dritan Laçi:

Ne Medina, në shtëpinë e Profetit

Nëse Meka është shtepia e Zotit, Medina është shtëpia e Profetit. Quhet kështu pasi ketu profeti Muhamed gjeti shtëpinë e tij pasi idhujtarët që nuk pranonin mësimet e Zotit që ai predikonte, e përzunë nga Meka e tij e dashur. Në qendër të këtij qytet ndodhet edhe Xhamia e Profetit edhe varri i Pejgamberit A. S si dhe dy miqve të tij besnik që e ndoqën në kalvarin përndjekës; Omerit dhe Ebu Bekrit. Qyteti reflekton qetësi që në hyrje të tij. Në njërin krah ndodhet stacioni i vjetër i trenit i ruajtur si në fillimet e veta. Më tej shfaqen xhamitë madhështore të dy miqve të Profetit, Omerit në të majtë dhe Ebu Bekrit në të djathtën tonë. Ndërtesat e qytetit ruajnë me besnikëri stilin oriental, gjë e dukshme në të gjithë shtrirjen e tij. Portikët e mëdhenj me harqe veshin kudo ndërtesat.

Rrugicat e shumta jo fort të gjera, por mbi të gjitha pastërtia, dhe vitrinat e veshura në pjesën më të madhe me reklama të markave të njohura botërore, përnjimend të japin përshtypjen se nuk ke të bësh me një qytet të orientit. Edhe pse jashtë duhma e nxehtë e erës së shkretërirës të përzhit fytyrën, ky qytet mbart në vetvete një dimension hyjnor që fillon dhe e zbulon teksa njihesh me disa prej vendeve të tij të shenjta. Banorët e Medinas janë shumë miqësorë me të huajt. Edhe pse në të shumtën e herëve ata me të cilët të takon të shkëmbesh biseda janë tregtarët, dyqanet e të cilëve rrethojnë më së shpeshti Xhaminë e Profetit Muhamed.

Një detaj aspak shqetësues për rrethimin e një xhamie si kjo e Profetit, i cili edhe vetë ka qenë tregtar përpara se të predikonte fjalën e Zotit. Kryesisht dyqanet që mund të gjesh këtu janë ato të floririt dhe parfumeve, ku dominon Oud, një parfum tipik arab, i fortë dhe i ëmbël për flegrat e hundëve, që këtu mund ta gjesh kudo për një shumë të përballueshme Riyals (njësia monetare vendase). Por ajo që të befason dhe të magjeps është vetë Xhamia e Profetit Muhamed, e dallueshme për së largu nga muri rrethues me portikë. Një hapësirë e pamatë mermeri së jashtmi, e veshur në të gjitha skajet me kolona të gdhendura që mbajnë mbi krye lule ornamente të stërmëdha prej qelqi që shërbejnë si fanar ndriçues gjatë netëve, apo edhe si ventilator për të shuar disi zhegun rraskapitës të orëve të ditës ku temperaturat arrijnë deri në 50 gradë celcius.

Një oborr i pafundëm qetësie që besimtarët e shfrytëzojnë qoftë për tu lutur por edhe për të pushuar për orë të tëra në prehjen që të ofron. Po kaq madhështore është edhe vetë brendia e Xhamisë së Profetit. E veshur e gjitha me kolona të bardha dhe abazhurë të praruar që për pak sa nuk prekin kokat e besimtarëve, të cilët thirrja e ezamit i nxiton të shtrojnë sixhadet dhe të respektojnë vaktet e faljeve. Nuk ka se si të jesh në Xhaminë e Profetit dhe të mos vizitosh varrin e tij.

Kur e pyes Emërimin udhërrëfyesin tonë, përse Profeti Muhamed zgjodhi Medinën si vendin e tij të prehjes së përjetshme dhe jo Mekën, vendin e tij të lindjes, përgjigja lidhet me vetë mikëpritjen që banorët e Medinës i bënë Profetit Muhamed pasi banorët e Mekës e përndoqën. “Ky vendim ishte një shpërblim për Medinën që e mirëpriti dhe e besoi në predikimet e tij, të cilëve ai nuk mund tu kthente shpinën, ndaj edhe vendosi që kjo të ishte shtëpia e tij e fundit”

 

 

 

 

 

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?