“Desha të di”/ Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
VETËM
I kishin marrë
Të gjitha lulet, rrezet
Edhe zogjtë i kishin ndaluar
Të lodronin në hapësirat
E ëndrrave të fëmijës
Që ende beson
Brenda trupit
Të rritur…
Me mbeti jeta
Pa poezinë që më thurte
Çdo ditë secili moment
Me ndjesi te fshehta
Nga gjithë bota….
Mbeta bosh
Pa vend në të mirët
Të pagabueshmit
Përjashtuar isha:
U ula mbi gabimet e mia
Dhe u ndjeva
E vërtetë
E bukur
Si natyra!
MASKA E DLIRËSISË
(Një burri)
I thashë se e njoh gjer në palcë
Atë dlirësi burrërore të pjesshme
Atë mirëkuptim të sajuar prej dëshirës
Për t’u besuar se s’bën prej femrave…
Për të shitur shtrenjtë
Të vërtetën
Deri aty ku nuk preket
Sedra dinake e dikujt që di mirë,
Të rrotullojë fjalët
Si një qyp prej balte
Që përkulet e merr formë
Prej syve të atyre që e shohin
Prej zemrës së atyre
Që dashurojnë të bukurën.
Çfarë është e vërteta e pyeta,
Mos vallë pamundësia
Për të qenë i vërtetë?
Ta shihnit,
Se si e hoqi maskën prej “të vërteti”
U skërmit
Duke shpjeguar
Vetveten siç e dëshironte;
Dhe shkoi…
LUTJE
Për t’u dashuruar
Duhet të digjet perëndimi
Dielli me detin të shkrijnë dallgë
Sytë të shohin zjarret e nxehta
Duart të shuajnë
Mallet e fshehta…
Dil mbi veten
Të lutem harroje
Atë që duhet të jesh
Behu ajo që je vërtetë:
Forma ujore
E lakimeve të trupit tënd
Vala e shkrumbuar
E detit të dëshirave të tua!
Bëhu sytë e mi
Mollëzat e gishtave të mi
Bëhu
Lëngu i nxehtë
I syve të mi!
Dashuromë
Përmes lutjeve të mia
Hyr në vende të errëta të shpirtit
Dhe ndriçomi.
Më shih
Me shih
Lermë të jem
Gota e qeltë me ujë
Të ftohtë
Për etjen tënde
Të fshehur pas buzëqeshjes.
Thjeshtë
Më thuaj të vërtetën sonte!
Lejoje
Dashurinë tënde
Të bëhet dashuria ime
Lëre trupin tënd
Në duart e mia….!!
Kështu
Më lutej
E më lutej,
Dashuria.