Nga Erl Kodra/ A është e besueshme gazetaria shqiptare?

Ne të gjithë kemi pëlqimet dhe mospëlqimet tona. Por… kur ne bëjmë lajme, kur shkruajmë lajmet për faqen e parë, jo në faqen e prapme, jo në faqet e opozitës, por kur bëjmë lajmet e përditshme që mbulojnë politikën- aty është edhe e ardhmja jonë. Ne duhet të jemi të sigurtë se nuk po lejojmë paragjykimet tona të dalin të parat. Kjo është gazetaria bazë” – thotë Walter Cronkite (1916 – 2009), gazetari legjendë amerikan, i cilësuar shpesh si “Njeriu më i besueshëm në Amerikë”.

Por a është e besueshme gazetaria shqiptare?

Në të vërtetë është e vështirë për të dhënë një përgjigje për këtë pyetje themelore, pa bërë një përkufizim të saktë mbi atë se çfarë është një Media dhe çfarë është një gazetarë. Këto fjalë bazë që përdoren rëndomë në fjalorin tonë të përditshëm, shpesh ngatërrohen me njëra tjetrën, ose më mirë të themi konfondohen mes tyre, duke sjellë një lloj konfuzioni në përceptimin e saktë të rolit që ka një media si institucion i informimit publik, dhe gazetari/ reporteri (duke përfshirë edhe analistin dhe opinionistin) si një punëtorë i të vërtetës dhe vetëm të vërtetës në një media.

Të përpiqemi të shohim nga largësia Mediat tona. Ato janë të fuqishme, të forta, të mirëorganizuara, përdorin teknologjinë e fundit; japin dhe bëjnë lajme gjithë ditën, me stafe të jashtëzakonshme drejtorësh dhe kryeredaktorësh informacioni, me një ushtri punonjësish administrativ dhe me gazetarët/reporter “bletë punëtore” të palodhura, që rendin gjithë ditën, kryesisht dhe veçanarisht në Tiranë, për të plotësuar çdo detyrë dhe urdhër të Mbretit-Pronarë i Medias.
Domethënë, ata ngjajnë si krijesa tejet altruiste, që plotësojnë çdo urdhër dhe dëshirë që u jepet, pa bërë asnjë pyetjë “pse?!”. Thjeshtë lëvizin nëpër korridoret e ndërtesave plotë fuqi, por të pafuqishëm të thonë një fjalë të tyren, qoftë edhe një te vetme, sipas asaj që ndjejnë dhe mendojnë si qenie humane dhe të lira. Këtu është fjala për ushtrinë e madhe të gazetarëve dhe reporterve të thjeshtë dhe jo për specien tjetër, pak më të lartë në hierarkinë e institucioneve mediatike në Shqipëri.

Specia pak më lartë në hierarkinë mediatike janë opinionistët dhe analistët. Se pse kam përshtypjen se këta terma janë të pasaktë, sepse në fakt këta më ngajnë më shumë si përpunues dhe deformues të opinionit publik sipas axhendave të përcaktuar nga kryetarët e partive politike, se sa intepretues dhe lexues asnjanës të zhvillimeve politike. Ose që të thuhet e vërteta troç, në fakt këta “opinionistë dhe analistë” vetëm këtë punë bëjnë më së miri, deformojnë dhe përpunojnë opinionin publik në mënyrë sistematike, gjithmonë në dëm të publikut, dhe në interes të kryetarëve të partive politike. Me “kryetarë të partive politike”, megjithëse kjo mund të jetë temë tjetër, nënkuptohen vetë partitë politike kryesore në Shqipëri, të gjitha strukturat e tyre organizative, plus pothuaj e gjithë shtresa e pasunarëve shqiptarë.

Tashmë të gjithë e dimë se Ilir Meta ka gazetarët e tij, ndërsa Edi Rama përveç zërave të spikatur të opinionistëve majtist, ka përfunduar operacionin “Pushtimi i Heshtur” i mediave kryesore të vendit.

Nuk e di nëse është e nevojshme për të përmendur emra të përveçëm të arradhës së këtyre “opinionistëve dhe analistëve politikë”, por unë do të merrja guximin të shkruaj emrat e disa syresh, dhe përkatësinë e tyre të varësisë, prej nga marrin “ushqimin dhe axhendat” e përditshme, nëse ky do të ishte një “zbulim eksluziv i imi, me prova dhe fakte” se, ta zëmë, “Mero Baze është në shërbim të Edi Ramës, së bashku me Henri Çilin, Mustafa Nanon, Sokol Ballën dhe të tjerë, se Lorenc Vangjeli së bashku me Artur Zhejin dhe të tjerë është në shërbim të Ilir Metës”. Por këto janë vetëm “hamendësime subjektive” dhe nuk janë zbulim eksluziv i imi; këto janë vetëm përceptime të fituara nga qëndrimet, analizat, artikujt dhe opinionet kësaj rrace gazetarësh, që shpesh herë, edhe vet ata kanë qenë tepër subjektiv dhe oportunist në qëndrimet e tyrë tejet “koherente” në funksion të “ushqimit dhe axhendave” të përcaktuara në kohë dhe rrethana të veçanta. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë vlera. Në fakt vlerat e tyre janë përcaktuese edhe në fitoret ose humbjet e partive politike, duke ndikuar fort në jetën e çdo shqiptari, që jeton në Shqipëri ose jo.

Problemi në fakt nuk është kaq i thjeshtë, sepse dikush mund të thotë; -Po mirë, çfarë të keqje ka, sa kohë që mund të ketë edhe zëra të tjerë, kritikë dhe alternativë, që shkruajn “me duar të lira” opinionet dhe analizat e tyre? Kjo llogjikë qëndron në pamje të parë, por, për fat të keq, përnjëherë të vjen në mendje hapësira mediatike që kanë “të tjerët”. Këtu është fjala për hapësirë reale mediatike, në televizionet kryesore të vendit, në emisionet politike të përnatëshme, siç është “Opinion” në Klan Tv i Blendi Fevziut, në “Top-Story” të Sokol Ballës në Top-Channel, në “Dritare” të Rudina Xhungës në “Vizion Plus”, në “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në News24, ose në “Tonight” Ilva Tares në OraNews. “Të tjerët” janë gjithmonë në plan të dytë, sepse tek ata “të përnatëshmit” janë gjenitë e “gazetarisë në shërbim”, të gatshëm të masakrojnë, zhurmonë dhe manipulojnë çdo alternativë “tjetër”.
Duke u përpjekur të bëjmë një përmbledhje të asaj se çfarë është dhe si është gazetaria shqiptare sot, mund të arrijmë në këto përkufizime, gjithmonë sipas mendimit tim subjektiv.

1. Institucionet mediatike si televizionet, gazetat, revistat, radiot dhe webfaqet e tyre në internet janë tejet të fuqishme, por, fatkeqësisht ato kanë pushuar së qëni “Institucione të paanshme” të informimit dhe kontrollit të pushtetit ekonomik dhe politik. Ato, tashmë janë kthyer në “Institucione të mirëfillta propogande” në funksion të politikës, biznesit, dhe jo vetëm.

2. Për pasojë, ka vdekur gazetaria e mirëfilltë, ka vdekur raportimi i saktë dhe hulumtimi gazetaresk, i cili së fundmi ka shenja se është zhvendosur drejt rrjetit social facebook. Praktikisht në mediat tradicionale dhe me ndikim të pazëvëndësueshëm në publik siç është televizioni dhe gazeta, lajmet jepen në mënyrë lineare, post fakt, dmth vetëm çfarë ka ndodhur, pa bërë asnjë përpjekje për të shkuar përtej lajmit, përtej asaj çfarë raportojnë politika, institucioni dhe pushteti. Janë shumë të rralla kauzat e ngritura nga media, megjithëse, për hirë të së vërtetës duhet thënë se ka patur përpjekje të vazhdueshme nga gazetarë të veçantë për ngritjen e çeshteve madhore për shoqërinë, siç ishte kanabizmi masiv i territorit të Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Nisur vetëm nga ky moment, është e neveritëshme se si gjatë vitit të kaluar, pothuaj në të gjitha emisionet televizive dhe raportimet mediatike, nëpër studiot televizive “debatohej” nëse ky fenomen është apo jo masiv, nëse është kthyer apo jo Shqipëria në një fermë gjigande droge apo jo. Në një kohë që fakti real injorohej sistematikisht, “analistët dhe opinionistët”, rrekeshin me një elokuencë të rrallë, të minimizonin malet e larta dhe fushat e gjera, nga jugu në veri, duke i futur ato në “thesin e ndërgjegjeve” të tyre të shqyer nga babëzia dhe lakmia. Por, me sa duket, raporti me të vërtetën nuk i interesojnë institucioneve mediatike, prandaj ato kanë mbledhur rreth vetes vetëm njërën palë, kryesisht vetëm palën në shërbim të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

3. Opozita nuk ka qasje në “institucionet mediatike”. ajo denigrohet sistematikisht dhe rregullisht (është e nevojshme të përdoren të dy fjalët e mësipërme), ajo deformohet në ato çfarë deklaron, keqinterpretohet në çdo aksion të saj opozitar, nuk i jepet hapësira e domosdoshme mediatike, injorohet në bllok nga “gjithë ushtria e analistëve dhe opinionistëve të majtë”, çka ka sjellë, dobësimin e Opozitës shqiptare përtej çdo përfytyrimi.

Media është institucion publik, i parashkruar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gazetarët janë punëtorët e saj, që për fat të keq janë kthyer në një lloj të veçantë mercenarësh, që luftojnë në dëm të interesave publike. Media duhet të ndryshojë. Raporti me të vërtetën duhet të bëhet problem për ndërgjegjet e këtyre njerëzve që mëtojnë të mbeten në mendjet dhe memorien kolektive të shqiptarëve. Përndryshe, ata do të kujtohen vetëm si gëlbaza që e kanë mbushur me neveri fund e krye hapësirën kibernetike shqiptare.

Vijon…

 

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments