Nga Erl Kodra/ Bajrami i Vogël, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Keku dhe Byreku

(Më ndje, o Skënderbe!)

Më kujtohet falja e sivjetme e Bajramit të Madh në Sheshin “Skënderbej”. Pas një muaji sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, besimtarët mysliman shqiptarë, për mua më të mirët në botë, falën Fiter Bajramin. Menjëherë, vanitozët e përjetëshëm të fejsbukut publikuan një foto (mund të ketë qenë edhe fotomontazh) ku nën shikimin e rreptë të statujës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, faleshin masa e madhe e besimtarëve sipas riteve të njohura muslimane.

Fotoja, montazh apo jo, kishte ngarkesë të theksuar negative, tallëse dhe përçmuese për shqiptarët që besojnë në Zot sipas riteve muslimane, thua se “zoti” i këtyre besimtarëve është i ndryshëm, më i “keq” se sa “zoti” i këtyre fanatikëve idiot të fejsbukut. Disa nga padija, disa të tjerë sepse u dukej shumë “funny” fotoja dhe diçiturat që e shoqëronin, e një pjesë me një fjalor tejet fyes, përçmues dhe radikal, e kthyen atë fotografi në një objekt talljeje dhe histerie kolektive. Shëmti më të madhe nuk më kanë zënë sytë ndonjëherë!

Them shëmti, sepse Heroi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe besimtarët musliman shqiptarë nuk e përjashtojnë njëri tjetrin. Përkundrazi, duke qenë se shqiptarët musliman janë shumica e popullsisë në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët, e meqenëse kjo shumicë absolute e adhuron Gjergj Kastriotin si Heroi më i madh të gjitha Kohërave ndër shqiptarë, e mbi të gjitha për Flamurin Kuq e Zi të Gjergj Kastriotit është derdhur gjak shqiptarësh të krishterë, shqiptarësh musliman dhe shqiptarësh ortodoks, atëherë pse(?!).

Pse gjithë kjo marrëzi kolektive?

Eshtë e tepërt për të shpjeguar këtu faktet historike, se feja është një besim individual, një marrëdhenie që qenia njerëzore ka zhvilluar me Krijuesin, me Zotin që është vetëm Një, dmth ka vetëm Një Zot, për të krishterët, për mulismanët, për budistët, për hindutë, shkurt, për të gjitha fetë monoteiste dhe për gjithë njerëzimin.

Po ashtu, është përsëri e tepërt për të dhënë shpjegime historike, për mënyrën se si erdhi islami në trojet tona. Historia është histori, prandaj është naive të mendohet të ç’bëhet ajo që ka ndodhur para 300 apo 400 vjetëve!

Sot, në ditën e faljes së Bajramit të Vogël, përsëri, mbase duke ra viktimë e asaj fotos së famshme të Bajramit të Madh dhe Skënderbeut të Madh, mbase edhe për arsye të tjera për të cilat unë nuk mund të spekulloj, e njëjta zhurmë, nga të njëjtit njerëz, fanatikë që, më ndjeni, vërtetë ngatërrojnë Kekun me Byrekun. Kaq banale është kjo histori!

Më ndje, o Skënderbe!