Luli Bitri debuton si regjisore në Egjipt. Foto

Art

Dy vajza të vogla, dy gonxhe të humbura në lojëra fëmijërie. Në sfond era që fryn, zhurma e gjetheve të pemëve, një buzëqeshje e brishtë fëminore, që pasohet nga një zë i shqetësuar, ai i gjyshes që thërret mbesën e saj. Lena, gjyshja dhe qeni i tyre Bobi duhet të transferohen, sa më parë. Shtëpia që do lënë pas është e vjetër, e dëmtuar, sikur mbart mbi supe një plagë të madhe, aq të madhe sa dashuria e gjyshes për të… Këto janë imazhet e para të filmit me metrazh të shkurtër, “Ujë për trëndafilat”, me regji dhe skenar nga Luli Bitri. Sytë e përlotur të gjyshes, përqafimet që ajo u jep edhe mureve me shikimin e saj dhe një derë e vjetër që mbyllet pa dëshirë. Jashtë është Lena që rend drejt gjyshes në oborrin e asaj shtëpie të vjetër, si dhe disa trëndafila të kuqërremtë që thyejnë atë panoramë të trishtë, të vetmit që duket se kanë mbetur gati të paprekur nga ajo që po ndodh…

Është viti ’97-të, dhe Firmat Piramidale në Shqipëri kanë shpallur falimentimin, atë të njerëzve të thjeshtë, të familjeve të brishta, si ajo e Lenës së vogël. “Kanë ardhur kohë të vështira, del tjetri përpara dhe të grabit”, kështu shprehet zotëria, që shoqëron gjyshen dhe Lenën drejt një shtëpie të re, duke mbajtur në vend të parë një “pasagjer” të rrezikshëm, një armë që për një moment preket nga duart e vogla të vajzës…  Gjyshe dhe mbesë hyjnë në portën e shtëpisë tjetër, në dorë Lena mban një vazo lulesh, atë që e mbanin në dritaren e vogël të shtëpisë së vjetër… Gjyshi ujit lulet, po po ujit lulet në kohë lufte! Brenda në shtëpi e shtrirë me të birin përkrahë, e ëma e Lenës, e cila ka pak kohë që ka lindur. Shtëpia dhe gjithçka tjetër reflekton dritë dhe pastërti, aq sa të gënjen për një gjendje paqeje, që në fakt zgjat pak…  Krisma armësh dhe pastaj disa njolla gjaku ndotin lehtësisht dyshemenë e shtëpisë, janë të një djaloshi të panjohur.

Në një dorë mban pistoletën, në tjetrën plagën e marrë më kotë, për një fjalë që mund të mos ishte thënë, apo të mos ishte dëgjuar! Por është ’97-ta, dhe lufta bëhet nga shqiptarë, mes tyre, edhe pa arsye! Por edhe në luftë rriten trëndafilat, edhe në luftë shpresa mbijeton e gjen një cep për t’u shfaqur, qoftë edhe në rite në dukje të pafuqishme. Nuk janë gjithmonë të tilla për një gjyshe, e cila pavarësisht krismave ëndërron një të ardhme për nipin e mbesën e saj. Ajo shpreson ndaj ujin ku lahet vëllai i sapolindur i Lenës e derdhë jashtë, “sepse është djalë, të bëhet burrë, të dalë jashtë shtëpisë”. Kështu ndoshta si me babanë e Lenës, që ndodhet jashtë shtetit në këto kohë të vështira, e që siç i ka thënë nëna Lenës do dhe pak që të kthehet “sa të rritet vëllai”. Por ëndrrat e gjysheve janë edhe për mbesat, edhe ujin ku ato lahen e derdhin në rrënjët e trëndafilit, që “të bëhen të bukura” se janë vajza.

Në rrënjët e trëndafilit, aty ku gjyshja e Lenës, derdh edhe ujin e përgjakur nga plagët e djaloshit të panjohur që u mësyu në derë. I ujit edhe Lena rrënjët e trëndafilit, sepse ndoshta është e vetmja “lojë”, që e ndriçon disi përbrenda asaj porte të ftohtë akull prej nga vëzhgon një lojë e shoqëri të munguar e të rrezikuar po ashtu. Nuk është me të as qeni i saj, Bobi, i cili është kthyer te shtëpia e vjetër dhe qëndron para saj, pret të hapet… Është luftë po rrënjët e trëndafilit, i ujit gjyshi, gjyshja dhe Lena po ashtu “që të rritet e të zbukurohet”, sepse është vajzë… Premiera e filmit “Ujë për trëndafilat” me regji të Luli Bitrit, ku protagoniste janë Amelia Ndoni e Gora Bardho është dhënë në Nju Jork, në Pogradec në Festivalin e Filmin “Ballkan film fond” dhe në tetor do të jetë në garë në Festivalit të Filmit “Alexandria” (edicioni 33) Selman, Egjipt.

Biografia

Luli Bitri (1976) është lind në Lushnjë dhe është rritur në Tiranë. Është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Në vitin 2001 ka debutuar në teatër me një tekst të Samuel Beckett. Në vitin 2010 luan si protagoniste në filmin “Amnistia” me regji të Bujar Alimanit, prezantuar në Festivalin e Filmit në Berlin (edicioni 61) dhe vlerësuar më çmimin “C.I.C.A.E” të kritikës. Filmi është prezantuar në Festivalin e Filmit në Sarajevë e në festivale të tjera, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme.

Gjithashtu Bitri ka qenë protagoniste në filmin “Dimmi che destino avro” me regji të Peter Marcias. Ka interpretuar në “Un bacio sul cuore. Le donne nella vita e nella musica di Verdi” me regji nga Michele Placido. Luli Bitri së fundmi ka interpretuar edhe në skenën e Teatrit Kombëtar, në shfaqjet “Vrasja e Maratit”, “Equus” etj. Bitri është vlerësuar, si aktorja më e mirë në festivale të ndryshme. “Ujë për trëndafilat” është filmi i parë me metrazh të shkurtër, si regjisore dhe skenariste./Shekulli

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author