Carlo Bolino turret kundër Ramës: Po na rjep me taksa. Këtë nuk e bëri as Berisha

Carlo Bolino, një botues që njihet si mbrojtës i qeverisë Rama, sot ka shpërthyer kundër qeverisë së tij dhe më konkretisht ndaj ministrisë së Kulturës.

Sipas asaj që ai shkruan në gazetën e tij, “Shqiptarja.com” është marrë një vendim  “i fshehtë” gjatë muajit Gusht, kur të gjithë ishin me pushime, në favor të katër OJF-ve të cilat tashmë “me ligj” do të vjelin një taksë të majme ndaj Televizioneve, radiove dhe WEB-beve, si pagesë “për të drejtat e autorit”.

Sipas Bolinos, i cili publikon edhe tekstin e vendimit dhe faksimilen e tij, ky vendim është abuziv, klientelist dhe godet direkt financat e medieve; madje, edhe vetë autorët për të cilët në pamje të parë duket se është bërë e gjitha kjo.

Bolino zbulon edhe skemën se si këto katër OJF, do të vjelin nga 1 deri në 4 përqindje të reklamave, nën sebepin për t’ua dhënë autorëve, por ndërkohë 30 përqindje të kësaj takse do ta mbajnë për vet si komision, për punën e tyre “të lodhshme”.

Ja çfarë shkruan mes të tjerave për këtë aferë të radhës së qeverisë Rama, në kurriz të mediave, Carlo Bolino:

“Ishte e premte, kur drejtoria e të drejtave të autorit në ministrinë e Kulturës (nderkohe qe redaksitë ishin boshatisur për pushimet dhe niveli i vigjilencës për rrjedhojë ishte më i ulët e jashtë temperatura ishte 42 gradë) nxorri Vendimin numër 3, që fut një taksë të çmendur në ngarkim të radiove, televizioneve dhe ëeb-eve.

Sikurse e shpjegojmë më në hollësi në faqen e gazetës, ky rregull përcakton se mediat duhet të paguajnë nga 1 deri në 4 për qind të të gjitha të ardhurave të tyre nga reklama, për t’ua dhënë autorëve. Për t’i arkëtuar këto shuma direkt nga arkat e televizioneve, radiove dhe ëeb-eve do të merren katër organizata joqeveritare shqiptare, të grumbulluara në të ashtuquajturin “sportel unik”, të cilat do të mbajnë për vete 30 për qind të tyre dhe pastaj do t’u shpërndajnë atë çka mbetet autorëve shqiptarë e të huaj, që do të jenë regjistruar pranë agjencisë së tyre.

Absurdi i parë është që ministria e Kulturës detyron mediat ta paguajnë aforfe’ këtë shumë, domethënë pa llogaritur efektivisht se sa dhe cilat vepra ka transmetuar secila media. Dhe, si rrjedhojë, agjencitë do të futin në xhepa këto shuma pa asnjë kriter transparent për shpërndarjen tek autorët, pasi, për ta bërë këtë, do të duhej të imponohej me ligj një sistem monitorimi i të gjithë materialeve të transmetuara, çka ministria ka harruar ta parashikojë: kështu, kemi të bëjmë me një taksë të vërtetë në dëm të mediave, që nuk do të favorizojë asnjë artist, por 4 OJF-të.

Problemi i dytë i madh është se kjo taksë do të llogaritet mbi të gjitha të ardhurat nga reklamat e secilës media dhe jo vetëm nga reklama e prodhuar nga vepra e transmetuar, si p.sh për sponsorizimin e një filmi, apo të një festivali muzikor. Kjo është si të thuash që, në rast se një televizion arkëton 10.000 euro reklamë sepse organizon bukur lajmet, ai është i detyruar t’u derdhë një pjesë të kësaj shume agjencive që përfaqësojnë këngëtarët apo aktorët. Çfarë lidhje kanë këngëtarët apo aktorët me prodhimin e një lajmi? Asnjë. Taksa, kështu, transformohet në një vjedhje të vërtetë në dëm të mediave.

Aspekti paradoksal i këtij ligji është se ai nuk favorizon as autorët. Që nga viti 2010, katër OJF-të kanë filluar të bëjnë lobbing me qeverinë Berisha që ligji për të drejtat e autorit të modifikohej. Por madje as Berisha nuk pati kurajën për të miratuar këtë abuzim në dëm të mediave.

Në vitin 2016, këtë e bëri ministria e Kulturës nën drejtimin e socialistëve dhe në gusht 2017 e çertifikoi vendimin e saj, duke llogaritur përqindjen që duhet të paguajnë mediat. Përpara se të ndryshohej ligji, secili autor mund të negocionte në mënyrë individuale të drejtat e tij me secilën media (ashtu siç ndodh në shumë vende të Bashkimit Evropian), ndërkohë që ligji i ri e ndalon një gjë të tillë: të drejtat e autorit duhet të administrohen ekskluzivisht nga katër OJF-të, të cilat duket që me këtë ligj kanë fituar super-bingon. Dhe, në rast se autorët nuk pranojnë të regjistrohen pranë katër agjencive, atë pjesë të parave që u takon e ndajnë të tjerët, pra kemi të bëjmë me një vjedhje edhe në dëm të autorëve.

Por ligji për të drejtën e autorit i godet mediat edhe në një mënyrë tjetër, domethënë duke u mohuar gazetarëve dhe botuesve përkujdesjen që u rezervon këngëtarëve, aktorëve, piktorëve apo muzikantëve. Neni 12 i ligjit, duke listuar “krijimet që nuk janë objekt mbrojtjeje nga e drejta e autorit”, citon me hollësi “lajmet dhe informacionin e shtypit, i cili ka karakter të thjeshtë informimi” Rezultati është ai që një artikull i shkruar nga një gazetar për një lajm të caktuar nuk ka asnjë lloj mbrojtjeje dhe kështu që mund të kopjohet pa problem nga dhjetëra media të tjera.

Fenomeni i piraterisë godet mbi të gjitha botën e web-it, në të cilën ekzistojnë sot jo më shumë se 10 faqe online shqiptare, të cilat kanë një redaksi të vetën me gazetarë që kërkojnë lajmet dhe i shkruajnë ato, ndërkohë që janë 300 faqe të tjera ëeb me nga një gazetar të vetëm, që kopjojnë dhe ngjitin lajmet që u vjedhin të tjerëve.Ja pra, ligji i ri i mbron këta piratë, duke mbajtur qendrimin se ata pak gazetarë që bëjnë punë kërkimore dhe krijuese, ashtu si dhe botuesit të cilët i paguajnë që të bëjnë një gjë të tillë, nuk meritojnë asnjë mbrojtje, pasi nuk konsiderohen “autorë”. Paradoksi është se pikërisht portalet ëeb të organizuara në mënyrë profesionale, pra të regjistruara rregullisht, duhet të paguajnë taksën e re mbi të drejtën e autorëve të tjerë, të cilën faqet pirate nuk do ta paguajnë.Ky ligj jo vetëm që është një padrejtësi jashtëzakonisht e madhe, por është edhe sulmi i radhës që lëshohet kundër lirisë së mediave dhe profesionalizmit të tyre. Mbetet të shpresojmë se qeveria e re do ta kuptojë se ka gabuar dhe do ta modifikojë atë urgjentisht, para se të jetë tepër vonë”.

Image

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author