Uran Kostreci: 400 fëmijë vdiqën në Tepelenë, këtë nuk ia fal kurrë regjimit

Aktualitet Te tjera

Fatmira NIKOLLI

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, organizuan më 23 gusht një takim në kuadër të Ditës Europiane në Kujtim të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit. Ky takim u zhvillua në ambientet e muzeut me pjesëmarrjen e Uran Kastrecit, ish-i dënuar politik, Çelo Hoxhës dhe Azem Qazimit, përfaqësues të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Çelo Hoxha, nëndrejtor i ISKK foli për vdekshmërinë foshnjore në komunizëm, ndërsa për raportet e shtetit me komunitetet fetare në vitet e para të pasluftës foli Azem Qazimi. Për të treguar më shumë rreth asaj kohe, ishte i pranishëm poeti dhe shkrimtari Uran Kastreci që rrëfeu përvojën e tij si ish-i dënuar për motive politike.


“Në fillim pati probleme babai im. Se si do e përmbyste pushtetin popullor im atë me armë, nuk e di, po e akuzuan. U thanë që jeni mbledhur 26 veta e keni marrë udhëzime nga jashtë dhe u dënuan me 101 vjet. Më vonë hyra unë. Unë ç’ është e vërteta kam qenë çikë zevzek. Edhe i pëlqenin ato që shkruaja, edhe nuk i botonin. Edhe këto, edhe fakti që u mërzita se nuk po ecte më, më mërzitën”, tha Kostreci.

Rrëfeu më tej se kur qe mësues në një fshat në Vlorë vendosi të arratisej. “Dhe më zunë, më zunë dhe më dënuan prapë. Por me një amnisti më 1962 do më mbeteshin edhe 12 vjet. Por, siç e thashë, për shkak se nuk kam qenë ndonjë burrë i urtë, më dhanë edhe 8 vjet të tjera se shava qeverinë dhe u bënë njëzetë. Po dhe kjo qe pak. Më lanë një vit të punoja hamall dhe një natë në terrin e mesnatës më morën brenda. Nuk më arrestuan, më internuar. Internimi zgjati derisa ra komunizmi. Po të mos kish rënë, akoma atje do isha po të isha gjallë”, tha Kostreci.

Ai rrëfeu se “ mund t’ua fal vitet e mia të burgut, madje edhe ato të babait tim, por nuk ua fal dot atë që i bënë popullit tim, popullit tonë. Ajo që hoqi ky popull për mua është edhe më shumë se fakti që ne bëmë burg”.

Për Kostrecin, një mëkat i madh i regjimit ishte ajo që u bë me fëmijët. “Në internime nuk çonin vetëm të rriturit, por edhe fëmijët. Vetëm në kampet e Tepelenës kanë vdekur 400 fëmijë. Kanë vdekur nga uria, vetëm kjo mjafton, nuk ka nevojë për të tjera- lëmë mënjanë që vdiqën 6 mijë, u vranë të tjerë, u internuan 23 mijë, vetëm këta 400 fëmijë që vdiqën në mënyrë kaq njerëzore.

Tjetra e keqe e madhe që i erdhi popullit është se izoluan, do ishim bërë si Zvicra”, përfundoi ai.

GSH.al

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?