Salianji: Raporti faktoi kasaphanën zgjedhore, kritikët e Bashës në PD

0

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i ri i zgjedhur i PD-së, Ervin Salianji: Të jesh kundër Bashës nuk të bën as fraksion as jo demokrat

Intervistoi: Redjon Shtylla

Ervin Salianji, një ndër figurat e reja të spikatura në PD, në një intervistë për “Koha Jonë” Salianji, rrëfen mbi sfidat që e presin në mandatin e parë si deputet dhe përgjegjësitë që ka për qarkun e Korçës, aty ku fitoi mandatin. Për veprimtarinë politikë, ai është shprehur se: “Veprimtaria kryesore do të jetë reforma zgjedhore, kontrolli i plotë parlamentar i qeverisë, përfaqësimi dhe propozimi për zgjidhje i problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve të Qarkut Korçë”. Për zërat kundër kreut Basha, kritikëve ai thotë se mllefi nuk është platformë. “Në PD ka një grup njerëzish që janë kundër Lulzim Bashës, por mllefi nuk është platformë, të jesh kundër Bashës nuk të bën as fraksion sikundër nuk të bën të jesh jo demokrat”,- thotë Salijani. Duke marrë shkak nga raporti i ministrave teknikë, deputeti i PD-së i cilëson zgjedhjet e 25 qershorit si “kasaphanë zgjedhore në favor të Rilindjes”.

Në shtator do të uleni për herë të parë në kuvend si deputet i qarkut Korçë. Si e keni menduar veprimtarinë politike jo vetëm në Parlament?

Për definicion kushtetues deputeti në momentin e zgjedhjes përfaqëson gjithë qytetarët, interesat e tyre apo të kombit. Unë kam marrë mandatin si përfaqësues i qytetarëve që kanë besuar tek programi i PD-së dhe gjithë demokratëve që kanë shkuar pa asnjë interes përveçse të udhëhequr nga vlerat më të larta morale dhe qytetare për të kërkuar votën për programin dhe ekipin e PD-së. Ne kemi kërkuar votat duke bindur qytetarët që rruga e ri-ngritjes nis nga një plan i mirë ekonomik dhe jo nga mbushja me demagogji. Kemi adresuar problematika për çështjet më të rëndësishme të jetës së qytetarëve, e kemi konceptuar qeverisjen si shërbyese ndaj qytetarëve dhe jo si padronë të jetës së tyre. Por ajo me të cilën jemi përballur në kahun tjetër nuk ka qenë beteja politike e ofertës për një qeverisje më të mirë, por një shtrirje kapilare në çdo QV, lagje apo fshat të personave të inkriminuar, të cilët janë liruar nga burgjet në shkëmbim të përdorimit të çdo mjeti kriminal në marrjn e votave nëpër zonat kryesisht të varfra. Kjo e ndërthurur me administratën publike e cila i shërbeu Partisë Socialiste, si të ishte një seksion partiak i saj, duke i shtuar sasinë e pamatë të parave ku u arrit të paguhej deri 200 euro për një vote, e deformoi vullnetin e votuesve duke prodhuar një pushtet që i përulet krimit dhe ku nuk kuptohet ku fillon shteti e ku mbaron krimi, aq të ndërthurur janë. Në mendimin tim kjo fushatë mund të konsiderohet fushata më e keqe për nga përdorimi i mjeteve kriminale dhe blerjes së votës. Programi dhe oferta politike kishte vlerë zero. Është pikërisht kjo nga do ta nisim; do të kërkojmë dhe duhet të imponojmë njëherë e mirëdhënien fund të tregut të votës që ka shkatërruar jo vetëm politikbërjen në Shqipëri, por të gjithë rendin shoqëror nga i cili nis dhe zhvillimi i vendit. Është pikërisht shitblerja e votës që kulmon në nxjerrje në krye të sistemit jo të më të aftëve por me problematiket e shoqërisë. Sigurisht veprimtaria kryesore do të jetë reforma zgjedhore, por paralelisht dhe me të njëjtin intensitet do të jetë kontrolli i plotë parlamentar i qeverisë, përfaqësimi dhe propozimi për zgjidhje i problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve të Qarkut Korçë, të cilët janë fokusi i plotë i punës sime.

Shtatori pritet të ketë zhvillime të rëndësishme. E sigurtë është krijimi i qeverisë, por pikëpyetje ka nëse do të ketë zgjedhje për kupolën drejtuese të PD-së, apo puna do të fokusohet vetëm tek analiza për humbjen e 25 qershorit?

Përgjegjësitë dhe analiza për rezultatin do të ketë një rëndësi të madhe për të krijuar fizionominë e opozitës që duhet por edhe për të korrigjuar nga ana organizative defektet e vërejtura për secilin në zonën e vet të përgjegjësisë. Nga ana tjetër tagrin për organizimin e zgjedhjeve e ka Kryetari i Partisë dhe një Kryetar Partie i zgjedhur me një anëtar një votë, ka fuqi të madhe ekzekutive, besoj se në përputhje me vullnetin e shumicës dërrmuese të demokratëve që e votuan, Lulzim Basha do të bëjë ndërhyrjet e duhura në përputhje me statutin e PD-së.

Zgjedhja e kreut të PD-së kaloi jo mes shumë debatesh dhe akuzash brenda partisë. Si e shihni rrugën e PD-së, a do të arrihet bashkimi i demokratëve, apo beteja mes fraksioneve do të thellohet?

Një tjetër dimension i atij që quhet mendim ndryshe, është nëse kjo lidhet me sulmin ndaj një individi apo një formule organizative funksionale qasje politike. Ajo ç’ka ndodhur është veçse antagonizëm qëndrim kundër ndaj kryetarit të partisë, pikërisht në momentet kur veprimet e tij shkonin ndesh me pritshmëritë e disave, as më parë dhe as ndonjëherë tjetër. Në PD ka një grup njerëzish që janë kundër Lulzim Bashës, por mllefi nuk është platformë, të jesh kundër Bashës nuk të bën as fraksion sikundër nuk të bën të jesh jo demokrat. Unë mendoj që në këto kushte politike kërkohet të mos tolerojmë moduse të natyrës ”Kalova lumin, të marr edhe kalin”, siç tentojnë disa kritikë. Sigurisht PD-ja ka historinë e vet politike në të mirë e në të keq, në këtë kuptim PD-ja është e gjitha kjo dhe gjithë pjesëmarrësit e saj. Por aktualiteti politik dhe fakti që zgjedhjet në parti u zhvilluan, kërkon bashkimin e të gjithë kontributeve vlerave humane dhe eksperiencës për të mposhtur vetëm Ramën si e keqja e vendit.

Zërat kritikë ndaj Bashës dhe aleatët e PD-së, u shprehën se një pazar Basha-Rama i mbajti në detyrë ministrat teknikë?

Ministrat teknikë dorëzuan dorëheqjen pasi zyrtarizuan raportin për zgjedhjet. Nuk ka një pazar, por një marrëveshje politike të arritur dhe të marrë me forcën e qëndresës qytetare prej 90 ditë e netë  në “Çadrën e Lirisë”. Raporti i ministrave teknikë, faktoi që në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje, por kasaphanë zgjedhore në favor të Rilindjes.

Pas zgjedhjeve ka pasur sinjale për një bashkëpunim PD-LSI, si një opozitë e përbashkët. Duke parë që PD-ja gjatë 4 vjeçarit në opozitë nuk arriti të sfidonte qeverinë, e shihni të nevojshëm një koalicion me LSI, për të qenë një opozitë më efikase, e përbashkët?

LSI-ja ka mbajtur dhe ka ushqyer Ramën në qeverisje për katër vjet edhe kur shikonte kanabizimin e Shqipërisë edhe shkatërrimin e ekonomisë, rritjen e tarifave në arsim, shkatërrimin e shëndetësisë apo çdo dështim tjetër qeverisës, LSI-ja deri sot duhet gjykuar si forcë qeverisëse dhe është gjykuar edhe për këto dështimet që sot i njeh dhe i konstaton shumë mirë, por deri dje llokmat e pushtetit i kishin errësuar arsyen, nesër pasi të lajë mëkatet dhe të mbajë qëndrime të qarta mund ti bashkohet opozitës së PD-së, si opozita morale e këtij vendi.

Kryeministri Rama prej disa ditësh në Facebook publikon raportin e dëgjesave. Si e shihni këtë komunikim mes Kryeministrit dhe qytetarëve? A duhet të besojnë ata se me timonin në qeveri, problemet e tyre do jenë në optikën e Kryeministrit?

E padëgjuar se si raporti i Ramës, i zbulon qytetarëve sa halle kanë! Nuk ka asnjë sektor të padenoncuar për dështim. Turi i dëgjesave është mashtrim i plotë populist. Rama ka qeverisur katër vjet, ka bërë fushatë për të rimarrë votat pas katër viteve qeverisje, por nuk di çfarë duan qytetarët. Kjo ironi i kalon edhe caqet e teatrit mediatik me të cilin ka qeverisur katër vjet. Cili është qëllimi i Ramës i cili po “pushon” duke dëgjuar hallet që me punë qeverie nuk i zgjidhi dot siç e vërteton vetë ai? Është të qetësojë patologjinë e vet. Ai s’po kryen veçse një truk terapie psikologjike. Rama shkon dëgjon rrëfimin e halleve me iluzionin që populli do të shfryjë dufin dhe kaq mjafton! Mendon që mund të kryejë një tur kombëtar psikoterapie kolektive. Qytetarët përsërisin hallet e para katër viteve si të burgosur të fatit të cilët flasin pas hekurave të pamundësisë, me kënaqësinë që do ndëshkohet ndonjëri dhe qartësinë që asgjë s’do bëhet për ta. Zbulesa më e madhe dhe e vetme e Ramës është që ai vetë në raportin e tij jep provën e plotë për kauzën e opozitës që Rilindja nuk kishte asnjë arsye për t’u votuar.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author