Nga Sokol Gjoni/Koreografi që valëvitej skenave të kalave. (Kushtuar valltarit, koreografit z. Riza Hoxha ‘Qytetar Nderi’ i bashkisë Pukë)

Sot, rreth të 70-ve, ai nuk njeh moshë, por përkundrazi, e gjen në mes të rinjve dhe të rejave duke u ndezur atyre dëshirën dhe pasionin për vallen, për motivet e bukura popullore dhe të gjuhës artistike me të cilat interpretohet kërcimi. Si gjithnjë, energjik, pasionant në debate dhe diskutime që lidhen me problematikat e artit dhe të kulturës, herë-herë i “pamëshirshëm” me kritika ndaj rrjedhave joprofesionale të drejtimit dhe të afirmit të vlerave të trashëgimisë si dhe i pakompromistë me artin spontan dhe me vulgaritetin që përcillet në shfaqje të ndryshme kulturore, Riza Hoxha, i jep adrenalinë dhe ritëm kafes së mëngjesit si rit përditshmërie me kolegë dhe artdashës të shumtë që mbushin universin e qënies së tij. Koreograf i dimensioneve të tejkohësisë, me talentin dhe zellin që e karakterizonte do të shpaloste karakterin prej të paepuri në të gjithë karrierën e tij artistike prej më shumë se katër dekadash në përmbushjen e përsosmërisë artistike të krijimtarisë dhe të interpretimit të tij. Impenjimi i tij në fushën e artit dhe të kulturës, si një vetëdije e brendshme për atë çka do të arrinte, do të përvijohej më së miri në sektorin e koreografisë, ku krahas pasionit për interpretimin e valles, ai bëhet hulumtues dhe kërkues i materialit burimor, duke pasuruar me gjetje dhe krijime të reja vlerat e korpusit të trashëgimisë sonë popullore. Ekspeditat e organizuara prej tij, në të gjitha zonat e trevës së Pukës, besimi në pashtershmërinë e gurrës popullore, si dhe ngasja për vlerat tipologjike të etnokulturës, shtuan zellin e tij për të qëmtuar thellë në memorien kolektive dhe për të krijuar subjekte dhe karaktere koreografike të mirëfillta si përfaqësuese të trevave tona. Kështu, falë profesionalizmit, punës së palodhur, zellit prej një koeografi të devotshëm, si dhe e pajisur me argumentinmin shkencor të bërë prej tij, u arrit dhe u bë përfaqësuese “vallja e Kabashit”, e cila tipologjikisht përfaqëson një bashkësi të caktuar vlerash të trashëgimisë sonë popullore.

Pjesëmarrës i të gjitha festivaleve folklorike kombëtare që nga viti 1973, Rizai do të skalitej në memorien e plejadave të artistëve pjesëmarrës në këto evente, si vallëtari që i jepte “jetë” skenës duke u valëvitur dhe duke u shkrirë me vallen, ku me një plastikë të admirueshme dhe me ekspresivitet koreografik transmetonte plot emocion rolin dhe karakterin që mishëronte në valle. Si një kreshnik i vërtetë në interpretimet epike, bedenat e kalave të Gjirokastrës dhe të Beratit vringëllinin nga kumbimi i vitalitetit skenik dhe figuracionit artistik “të besës së burrave”. Lirizmin e shprehte në ndjeshmërinë e gjestikulacionit, të frazës, të emocionit dhe të finesës së lëvizjeve, duke afirmuar përmes motiveve të përzgjedhura dhe që mbajnë autorësinë e tij, botën ndjesore dhe shpirtërore të gëzimeve, festave, hidhërimeve, etj, të trevës së Pukës. Portretizimi plot emocion i figurës së sharrtarit, loja e bariut me gjarprin, raporti i bariut me bareshën, si dhe një sërë vallesh të tjera të vëna në skenë nga vetë ai dhe të interpretuara nga grupi i valltarëve, të cilin, po Rizai e kishte krijuar, mbeten akoma të pëlqyeshme për publikun, si dhe vazhdojnë të rivihen dhe të jenë pjesë e programacioneve artistike nga grupet e Qendrave Kulturore të Fëmijëve Pukë dhe Fushë-Arrëz.
Impresionuese dhe të pashlyera janë interpretimet dhe motivet koreografike të grupit të valltarëve nën drejtimin e Riza Hoxhës jashtë kufijve të Shqipërisë, mes shqiptarëve të Kosovës, të Malit të Zi, apo dhe në evenimente të tjera si: Egjipt, Gjermani, Zvicër etj.
I lauruar me vlerësime dhe tituj të ndryshëm për cilësi interpretimi, për origjinalitet të materialit burimor, për vlera të spikatura koreografike, për kontribut të shquar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave etno-grafike etj, etj, ku vlen të veçohen titujt “Qytetar Nderi” i bashkisë Pukë, si dhe “Anëtar Nderi” i Unionit Artstik të Kombit Shqiptar, janë tregues i vlerësimit të punës të tij, duke e vendosur Riza Hoxhën në përmasat e personaliteteve të shquara të koreografisë shqiptare.
Nuk ka dyshim, që Riza Hoxha, me punën e tij të palodhur për afro gjysëm shekulli në fushën e koreografisë, do të linte një trashëgimi të vyer për gjeneratat krijuese dhe interpretuese, pasi falë punës së tij profesionale dhe shkencore janë në fonotekën e krijimtarisë popullore dhjetëra interpretime vallesh të larmishme që vazhdojnë të jenë një referim i vazhdueshëm për vallëtarët e të gjitha moshave në evente lokale dhe kombëtare.
Vitet ecin sipas ligjësisë së natyrës dhe tek Rizai kanë zbehur plasticitetin e lëvizjeve, ritmin e kërcimit, zhdërvjelltësinë skenike, por aspak nuk kanë atrofizuar mendimin dhe vlerësimin objektiv dhe profesional që ai jep nëpër mediume, takime dhe simpoziume të ndryshme që organizohen nga shoqata dhe institucione, duke apeluar gjithnjë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë popullore. Të tillë, si Rizai, i cili jetën e tij e përmblodhi në valle dhe në motive vallesh, janë një fanar ndriçues në ecjen para të civilizimit qytetar, përmes sintezës së njohjes dhe të ruajtjes së vlerave të identitetit kombëtar, ku trashëgimia popullore zë një vend të rëndësishëm.

Rezultate imazhesh për riza hoxha valltari puke

 

Rezultate imazhesh për riza hoxha valltari puke

Rezultate imazhesh për riza hoxha valltari puke

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author