Nga Fatmir Ali Guda/ PD duhet t’ia heq median nga sqetulla Edi Ramës.

Media shqiptare në tërësi, televizive apo e shkruar qoftë, sikundër së fundmi gjithë moria e portaleve on-line të përhapura masivisht, ashtu si rëndom në të 4 këto vite të shkuara, në vënd që t’i ofroheshin në ndihmë publikut me pasqyrimin e të vërtetës, njëanshmërisht dukshëm janë devijuar pothuajse të gjitha, aty ku nuk i prishet punë pushtetit, për të mos thënë, pikërisht aty ku i leverdis interesit të pushtetit. Pothuajse në bllok televizionet kombëtare e lokale, gazetat dhe portalet i janë qepur me bukë në trajsë opozitës, goditjes kryesisht ndaj PD, lidershipit të saj, madje për ta perifrazuar më saktë këtë raport qartazi të konsatueshëm, më së miri do vlente shprehja, “Media i është turrur opozitës “si Skënderbeu turqve”.
Në fund të fundit, normal që rezultati i arritur nga PD në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte një ngjarje që padiskutim do të merrte vëmëndjen e mediave, por ama është i pajustifikueshëm gjithë ai fokusim i vëmëndjes totale të tyre mbi zhvillimet post-zgjedhore brënda partisë së opozitës, duke arritur deri aty, sa të lënë gjithçka tjetër jashtë pasqyrimit dhe vëmëndjes së opinionit publik. A thua se në këtë vënd të mos ekzistonte gjithë ai aktualitet problematik, shkaktuar kryesisht prej keqpërdorimit të pushtetit me të gjitha nivelet e tij.
A thua, se pas votimeve të 25 Qërshorit, Shqipëria e shqiptarët ju dhanë fund halleve dhe e vetmja gjë e keqe që duhet kryqëzuar a bërë lanet është pikërisht opozita. Në fakt të marrurit me kaq zell të madh me PD edhe do t’i bënte asaj një shërbim, pasi do ta impostonte në qëndër të opinionit publik, por mbushja e faqeve të të përditshmeve dhe e minutazhit mediatik vetëm me komente negative, aludime, spekulime dhe fake news për partinë e demokratëve me qëllim prezantimin e saj, si forcë politike në shpartallim dhe si nënën e të gjithë të këqijave, padyshim ka krijuar atmosferën më të paimagjinueshme të medias, e cila sa vjen dhe ngjason frikshëm me atë të periudhës më të errët të ekzistencës së saj, atë gjatë 45 viteve të diktaturës, ku me përdorimin e saj si keqinformuese e publikut u kthye në propaganduese dhe shërbyese për shtimin e jetëgjatësisë së sistemit komunist.
Mjafton të sjellim në vëmëndje situatën raportuese pas votimeve, ku qytetarëve më shumë se sa interesi për politikat dhe reformat që do të ndërmarrë qeveria e re në 100 ditëshin e saj të parë dhe 4 vitet në vijim, të cilat dhe janë me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë familjare dhe atë kombëtare, më shumë se sa investigimi dhe denoncimi i situatës së zjarrvënies në pyje, raportimi i situatës së sigurisë, krizës prej mungesës së ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike etj etj, media ua ka lidhur kabllin me propogandën e oborrit qeveritar duke ushqyer vëmëndjen e publikut me show masovik, ku drejtorë militantë të partisë shtet, ashtu kokë-unjur e vetëmohues edhe pse antiligjshmërisht vetëofrohen të shkojnë drejt gijotinës së gjyqeve popullore për t’ju shitur qytetarëve si koka turku, kurban për keq-qeverisjen e deritanishme.
Madje më tej akoma, dërgimi i vëmëndjes së medias tek telenovela me subjekt të stisur, mbi gjoja “katraurën” brënda opozitës, e cila sipas interesit të pushtetit, pas humbjes domosdoshmërit duhet edhe goditur për t’a çuar në kuotat afër zeros masën e besueshmërisë ndaj saj. Me ç’duket tashmë është realitet i pakontestueshëm fakti i gjithëpranuar, se media në Shqipëri e presionuar nën darrët e pushtetit politik të kryeministrit, vijon besnikërisht çfokusimin prej problematikave aktuale, bërjen e yzmetit ndaj propogandës qeveritare dhe mos lënien pa goditur të kundërshtarit politik të qeverisë. Të dukshme janë rastet, ku më së shumti po stiset me marrifet një minutazh i mjaftueshëm televiziv dhe hapësirë e bollshme në faqet e gazetave për t’ju vënë kinse në dispozicion disa zërave brenda demokratëve, që në mënyrë dyshuese midis parimeve apo prej pragmatizmit të tyre të pakënaqur nga vendim-marrja e lidershipit të PD, po i bëjnë iso këngës së një opozite të shpartalluar.
Në të tilla kushte demokratëve pra u lind e drejta dhe përgjegjësia njëkohësisht, që përpos riorganizimit të subjektit të tyre politik, të fillojnë merren seriozisht me gjetjen e instrumentave demokratike ligjore për rikthimin e medias në misionin e saj organik, siç është informimi i patjetërsuar i realitetit me fakte konkrete. Nuk dihet se ç’mekanizma legalë apo nisma të ngjashme që rezultuan të suksesshme sikundër ligji i dekriminalizimit të politikës do t’i duhet të përdorë PD në axhendën e vet legjislative për ta zhbërë këtë raport të keq informimi mediatik me tendencë të dukshme pro qeveritare që është krijuar në Shqipëri, por sigurisht që do jetë ajo përgjegjësja, nqs nuk do të mundë ta rikuperonte pa humbur kohë këtë andikap serioz të shoqërisë së sotme.
Domethënë, një i ashtuquajtur dekriminalizim edhe pushtetit të 4-t, siç konsiderohet media ndryshe, duke kaluar në filtër deklarimi e verifikimi financiar dhe pasuror secilin prej drejtuesve të këtyre mediave, duhet të ketë qëllim final krijimin e kushteve edhe këtu për një treg me rregulla të ndershme, gjë që do të minimalizonte mundësitë e kapjes së tyre prej tre pushteteve të tjera që janë dhe zotërueset e parasë dhe drejtësisë në vënd. Në mos kjo, detyrimisht nevojitet së paku krijimi i hapësirave të reja mediatike me vokacion opozitar, ç’ka do i shërbente informimit sa më afër realitetit dhe ndërgjegjësimit të opinionit publik me aktualitetin, që deri më sot vidhet i fshehur pas fasadave dhe oratorisë plot batuta të transmetuara 24 orë në 24 në shumicën e mediave ekzistuese. Pra, më shumë se shërbim ndaj vehtes, opozita duhet ta konceptojë këtë aksion edhe si një detyrim ndaj opinionit publik.
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author