Nga Sokol Gjoni/ Partia Demokratike, dega Pukë e çorollepsur në zjarrminë e garës së brendshme zgjedhore

Aktualitet

Partia Demokratike, dega Pukë e çorollepsur në zjarrminë e garës së brendshme zgjedhore, duke u përfshirë ethshëm dhe njëanshmërisht në garë, ka harruar misionin e saj politik, duke lënë tek anëtarësia shijen e braktisjes së tyre dhe nxjerrjen në dritë të pazareve dhe të interesave okulte të drejtuesve të partisë me segmente të pushtetit mavi. Kështu, drejtuesit e kësaj force politike në entuziasmin e “fitoreve të reja që na presin” kanë hequr dorë me vetëdijësim nga aksionet opozitbërëse dhe të fryrë nga deliri i bashkëqeverimit, të japin imazhin e aparatçikëve të ardhshëm, të cilët me zellin e pazareve të kryera gjatë “çadrës”, mezi pritet të tregojnë se çfarë kanë për të ofruar në drejtim të cilësisë dhe performancës së “tepsisë”.

Nuk është aspak rastësor mosreagimi i kësaj force politike për grevën e urisë së dy vëllezërve Isa dhe Besnik Shkreli, ndaj të cilëve “thundra e përdhunës” së individëve të veshur me pushtet kërkon t’i shtypë dhe t’i mbajë të gjunjëzuar në ekstremet e mbijetesës.Misionin sensibilizues dhe vetëdijësues kjo forcë politike e ka humbur që me afirmimin e një modeli drejtuesish, të cilët pazaret e rëndomta dhe alishverishet e shumta me fije të pushtetit lokal këtu në Pukë, i marketojnë si politikë “e moderuar”, duke shpërdoruar mbështetjen e dhënë nga strukturat, ndaj të cilave është abuzuar deri në përqeshje dhe përtallje.

Drejtuesit e kësaj dege, më e pakta që mund të bëjnë për rastin e grevës së urisë së dy vëllezërve, do të ishte sensibilizimi dhe solidarizimi qytetar dhe politik i kauzës së tyre, pasi çështja në fjalë ka brenda dhe motive politike dhe nëse drejtuesit e degës nuk e artikulojnë si të tillë, atëherë shprehja: “Këtu ka tradhëti, burra”, nuk ka percepsion folklorik por është e mirëfilltë sintezë përshkruese dhe perfifrazuese e veprimtarisë politike të drejtuesve të kësaj dege. 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?