Nga Sokol Gjoni/ Kësaj i thonë: ‘Pirdh, o prift’…
Përgjegjësit kryesorë të humbjes dhe dështimit katastrofal të PD-së Pukë predikojnë moral.
Inercia e kundërpërgjigjeve pa sens dhe e reagimeve me gjuhën “e lojës së kungulleshës” vazhdon të mbajë të kapluar si në kllapi drejtuesit e degës së PD-së Pukë, të cilët të kapur në panik nga dalja në sipërfaqe e pazareve të tyre të nëndheshme me segmente të caktuara të qeverisjes, po prodhon një situatë paradoksalisht të çuditshme, çka nuk i shërben aspak perpsektivës së ringritjes së strukturave dhe të analizimit me përgjegjësi të humbjes katastrofale që pësoi dega e PD-së së Pukës në zgjedhjet e datës 25 qershor 2017. Përtej etiketimit që mund të më vihet nga ndokush si “komentues i zellshëm”, sqaroj çdonjërin, qoftë dhe etiketuesin, se “zelli” im buron nga fuqia e idealizmit dhe e koherencës sime politike dhe jo nga skutat e errëta të oportunitetit që karakterizon individët përgjegjës, të cilët po përpëliten “të fshihen pas gishtit” dhe po jargëzohen me justifikime të shpëlara, që, jo vetëm nuk transmetojnë mesazhe ndjesore tek anëtarësia, por përkundrazi, përçojnë frymën e destruktivitetit dhe të vijimësisë pa rrugëdalje. Askush, s’ka pse të ndjehet i pezmatuar nga ky “orkestracion” siç ua ka qejfi ta quajnë, pasi debati mbi rezultatin e 25 qershorit dhe pikëpyetjet e mëdha mbi mënyrën e të bërit fushatë këtu, do ta shoqërojnë gjithmonë degën e PD-së, pasi i tillë ishte dhe rezultati. Kam patur keqardhje për anëtarësinë e PD-së, e cila u trajtua karagjozllëqshëm nga drejtuesit e fushatës, duke imponuar hendekun e madh në mes tyre dhe për pasojë kemi këtë rezultat të paimagjinueshëm. Të matësh kontributin me prezenca statistikore në zyrat e partisë, aq më tepër, kur këtë ta evidentojnë një nga njerëzit që ka bunkerizuar dhe i ka mbyllur dyert demokratëve, duke spekuluar me mbështetjen e dhënë (ndoshta dhe të pamerituar), përveçse është vizion dritëshkurtër i njerëzve me botë të mjegullt, është dhe tregues karakterial i të tillë idividëve që shfrytëzojnë çdo lloj mekanizmi pervers në përmbushje të egos së tyre. Kam parasysh këtu, mjetet e përdorura në këtë fushatë, veçanërisht grupin e ”spiunëve dixhitalë”, të cilët të vetmin kontribut real kishin monitorimin e facebook-ut të kundërshtarëve politikë dhe të brendapartishëm, apo dhe sms-të anonime në adresa të caktuara, me qëllim denigrimin dhe përbaltjen e çdo individi që nuk është në sintoninë e pislojës së tyre. Meqë, jemi në këtë pikë, dua t’u them, drejtuesve, se besoj e dini për çfarë e kam fjalën?
Nëse, ndokush mendon se nxitja e një debati të tillë çon në premisa të gabuar, unë pohoj të kundërtën, duke marrë dhe i vetëm përgjegjësinë e të bërit publike të shumëçkaje, që sipas meje është fokusi i duhur i adresimit të shkaqeve të humbjes. Për skeptikët, dua t’u bëj me dije, se do të vazhdoj të jem prezent në median e shkruar si opozitar pa mëdyshjen më të vogël, ashtu siç isha gjatë këtyre 4 viteve, me artikuj të shumtë, që janë produkt i botëkuptimit tim dhe të qasjes sime ndaj qeverisjes së vendit si; analiza, komente, opinione, editoriale, fejtone, skica dhe reportazhe të ndryshme.
Këta drejtuesit e PD-së së këtushme, le të hamendësojnë ç’ të duan!
Nesër avazi, nesër…!