Fushata mbaroi, tani fillojnë punë bandat e drogës për votat

Partitë politike mbyllën dje fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Kjo ka qenë një nga fushatat më të çuditshme nga pikëpamja politike. Opozita formale, Partia Demokratike në këtë proces elektoral ishte zyrtarisht pjesë e pushtetit me ministrat teknikë në kabinet. Të treja partitë që pretendojnë fitoren, LSI, PS dhe PD janë në qeveri. Ndërkohë që opozita reale në këtë fushatë rezultoi të ishte Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila bëri fushatën më të fortë kundër PS dhe PD. Por sidomos kundër Edi Ramës dhe Rilindjes, pasi siç ka deklaruar Ilir Meta nuk kemi asgjë kundër socialistëve të ndershëm. Dy partitë e tjera, pas paktit të 17 majit nuk u kuptua qartë nëse ishin në garë apo ishin aleatë për të marrë qeverisjen së bashku. Kjo aleancë e çuditshme Rama-Basha funksionoi derisa kreu i PD-së vendosi të flasë qartë dhe të hidhte poshtë mundësinë e bashkëqeverisjes. Sidomos kur u kthyer nga SHBA ku takoi Presidentin Trump. Në gati 30 ditë u bënë akuza, sulme, batuta, humor dhe shumë pak politikë. Kryeministri në vend që të paraqiste ofertë për shqiptarët si dhe të jepte llogari për mosmbajtjen e premtimeve, akuzonte sikur të ishte lider opozite partitë e tjera të koalicionit.

Sot është heshtje zgjedhore dhe ndalohet çdo aktivitet i partive dhe politikanëve. Nesër qytetarët do ti drejtohen kutive të votimit për të shprehur se cila prej tre partive kryesore do të drejtojë Shqipërinë.

Politika foli këto ditë. Politikanët e patën mundësinë për të treguar se çfarë do bëjnë për shqiptarët. Tani është koha e heshtjes së partive dhe radha që të flasin qytetarët. Pas mbylljes së fushatës, gjatë heshtjes zgjedhore, procesit të votimit dhe deri në daljen e rezultateve zbresin bandat që blejnë votuesit, komisionerët, numëruesit. Në të gjitha fushatat e kaluara, ky moment shënon dhe nisjen e operacioneve në terren, të koordinuara nga politikanët. Njerëz me precedentë penalë, struktura të shtetit dhe gjithë soji i “të fortëve” që njeh shoqëria lëshohen në qytete dhe fshatra me thasët me lekë. Qëllimi është të bëjnë blerjet e fundit të votave. Të njëjtët punojnë edhe gjatë fushatës, por qëndrojnë në hije, larg politikanëve dhe larg zhurmës së medias. Ndërsa fundi i fushatës elektorale shënon dhe rënien e gongut për të kapur votuesit e  lëkundur apo edhe kundërshtarë.

Këto janë banda kriminale droge, të lidhura me pushtetin. Nëse nuk do te kishin prapavijë dhe fije me qeveritarët e PS-së nuk do të guxonin të dilnin në tregun e blerjes së votave, pra në deformimin e votës. Janë të njëjtët grupe që monitorojnë qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve, për të parë se kush prej atyre që u paguan shkoi për të votuar. Janë të njëjtët që rrethojnë qendrat e numërimit të votave dhe mbajnë nën kontroll numëruesit dhe komisionaret, duke u bërë oferta në lekë dhe euro, por edhe presione direkte ose kërcënime ndaj familjarëve.

Sot dhe nesër vihet në lëvizje një ushtri e tërë me manipulues, sekserë, biznesmenë, tregtarë vote dhe përfaqësues të botës së krimit që qëndron afër pushtetit. Informacionet janë se kjo bandë ka mision për të mbajtur Rilindjen në pushtet. Është kategoria më e errët e shoqërisë shqiptare që në 2-3 ditë punë siguron ekzistencën e saj për 4 vitet e ardhshme. Është kjo ushtri që sot hap thesin e eurove për blerjen e votave dhe pas zgjedhjeve zë radhën të qeveria për të marrë tenderin apo koncesionin. Për këto banda, kjo javë është njëlloj investimi ekonomik që u kthehet nesër i shumëfishuar nga deputetët dhe partia e tyre. Në këtë listë bëjnë pjesë zyrtarë që mbrojnë vendin e punës për të vjedhur nesër, por janë edhe kultivuesit e shumtë të hashashit, apo përfituesit e tenderave. Ndërkohë nuk mungojnë dhe kriminelët dhe njerëzit me precedentë penalë që i kthejnë nderin Rilindjes apo ndonjë partie që i kanë shpëtuar nga telashet me drejtësinë.

Dalja e këtyre bandave në zgjedhje këtë herë pritet të jetë edhe më e madhe dhe më e sofistikuar se herët e tjera. Shenjat kriminalizimit të zgjedhjeve janë dhënë që në nisje të fushatës me incidentet dhe denoncimet e bëra publike. Vetëm në 48 orë  ka pasur 150 denoncime për blerje vote në Ministrinë e Brendshme. Incidentet e ndodhura me rrahje dhe dhunime të militantëve kanë qenë më shumë se 30. Ndërkohë shkeljet e ligjit dhe abuzimet e strukturave të shtetit kanë qenë pa fund. Mbrëmë vone kandidati Nasip Naço ish-ministër drejtësie bëri thirrje prokurorisë se në Berat ka filluar blerja e votave nga Rilindja.

Policia e Shtetit, institucioni që garanton zgjedhjet dhe të drejtën e votes, rezulton se është më e implikuara në incidente dhe abuzime gjatë fushatës. Rastet e incidenteve me anëtarët e LSI-së në Berat, Pukë etj, kanë për protagonistë direkt drejtues të policisë lokale. Politizimi i policisë në këtë fushatë dhe thirrja që bëri Kryeministri Edi Rama për pjesëmarrjen e efektivave në fushatë për Partinë Socialiste e bënë edhe më alarmante situatën.

OSBE-ODIHR, vëzhguesit e huaj dhe vendas dhe sidomos ambasada amerikane duhet të jenë vigjilentë, pasi bandat e blerjes së votave nga sot deri të dielën në darkë janë në punë ditë-natë. Bandat e krimit për blerje vote këto dy ditë kanë ditë aksioni dhe më pas rrijnë e vjelin paratë katër vite, nëse fiton partia e tyre e Rilindjes.

Ndërkohë PD dhe LSI kanë mobilizuar mijëra të rinjë në ruajtje të votës së votuesve, të cilët do të jenë ushtarët e garancisë përballë bandave dhe një pjese të policisë së inkriminuar. Nga burime brenda selisë së PD-së tregojnë se janë mbi 70 mijë të rinjë të gatshëm në qendra votimi dhe numërimi për të përballuar bandat e vjedhjes. Kurse LSI deklaron se ka mobilizuar që mbrëmë 200 mijë të rinjë në ruajtje të votave dhe mos tjetërsimit nga bandat e drogës dhe krimit. Të gjithë janë pajisur me celular për regjistrim videosh apo foto për këdo që turret në blerje votash.

Beteja sot shpallet mes bandave dhe të rinjve që duan votë të lirë.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments