Nga Feti Zeneli/ Kur na qeveris një ‘tregtar flamujsh’
Që nga thirrja e parë, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!” dhe deri në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, të dielën që vjen, kanë kaluar plotë 27 vite. Përgjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 7 palë zgjedhje të përgjithshme, po kaq lokale, si dhe 2 referendume për Kushtetutën, të cilat si moto të fushatës së tyre kanë pasur një objektiv të tillë madhor për fatet e vendit dhe kombit tonë. Por në fund të çdo mandati qeverisës, me pak ndryshime midis tyre, jemi përballur me zhgënjimin që përshkruan Koliqi tek “Tregtar flamujsh”: “Posi… u ba Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqipëria! Ti i mençëm përgjigje tue bërtit në kupë të qiellës: rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesitë tona…”.
Gjatë daljeve të ndryshme publike, sidomos në ditët e fushatës zgjedhore, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, bilancin e punës së tyre 4-vjeçare e përqendrojnë tek “të paktën dhjetë reforma të rëndësishme”, siç u shpreh ministrja e ekonomisë, znj. Milva Ikonomi në një emisionin televiziv, duke nisur me reformën e taksave, atë territoriale, reformën në drejtësi, në arsimin e lartë, në pensione, formalizimin e biznesit, energjitikë, nxitjen e punësimit, rilindjen urbane, etj. Natyrisht, numërimi i reformave, pa treguar efektivitetin e tyre në ekonomi apo rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, nuk shërben për asgjë.
Ashtu siç pohon edhe z. Selami Xhepa, Presidenti i Institutit Europian “Pashko” dhe një prej ekspertëve tanë më të mirë të fushës së ekonomisë dhe financave; ndikimi i reformave të mësipërme në rritjen ekonomike dhe jetën sociale është i debatueshëm dhe i papërfillshëm; cilësia e investimeve publike ra ndjeshëm; papunësia, veçanërisht midis të rinjve, është shumë e përhapur; pagat dhe pensionet nuk pësuan asnjë indeksim për të ruajtur fuqinë blerëse të pandryshuar dhe investimet private, veçanërisht ato të huaja, munguan…
Kësisoj, të varfërit u bënë; gjithnjë e më të varfër, kurse të pasurit; gjithnjë e më të pasur, sepse kompleksiteti i faktorëve apo agjentëve në zhvillimin ekonomik të vendit është i tillë, që çfarëdo reforme apo politikë publike të ndiqet, duhet të merret në konsideratë, së pari, se cilat janë nevojat e shtresave të varfra dhe jo interesat e një grushti të pasurish.
Aq më keq akoma kur në disa raste, nuk kemi të bëjmë me reforma të mirëfillta ekonomike por me aksione sporadike për të fituar kredo politike, siç ka ndodhur rëndom këto 3-4 vitet e fundit, duke filluar nga veprimet liruese të hapësirave publike dhe deri tek masat shtrënguese për mbledhjen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike apo detyrimet e tjera qytetare me synim shëndoshjen e financave publike, pa menduar gjatë për pasojat afatmesme apo afatgjata, që rrjedhin nga këto iniciativa burokratike, pa indicje të mirëfillta ekonomike.
Motua e këtyre veprimeve ka qënë, mbushja me çdo çmim e arkës së shtetit, kryesisht atje, ku të ardhurat nuk vijnë nga shtimi i investimeve, rritja e prodhimit, forcimi i bashkëpunimit qeveri-biznes e kështu me radhë, ndërkohë që vendi ka nevojë për adaptimin e “përvojave më të mira” të qeverisjes së financave publike, duke marrë në konsideratë gjendjen aktuale të ekonomisë dhe të biznesit, pse jo dhe mentalitetin qytetar të njerëzve. Eksperiencat më të mira të botës demokratike tregojnë, se për të udhëhequr njerëzit duhet të ecësh pas tyre, dhe jo të qëndrosh mbi ta, siç thoshte filozofi i lashtë kinez i mesit të shekullit të VI-të, p.e.s., Lao Tze.
Pastaj, “Është ekonomia, o budalla!”, do nënvizonte Bill Clinton në fushatën e vitit ‘92, e cila i dha tij fitoren përballë George Bush, që për momentin konsiderohej si i pamundshëm pas sukseseve diplomatike dhe fitores në Luftën e Gjirit. Amerikanët perceptuan dhe votuan z. Clinton si zgjedhjen më të mirë, sa kohë që Presidenti Bush nuk kishte mundur të punonte për ekonominë, e cila kishte kaluar në recesion.
Faktet tregojnë se përveç problemeve sociale pa fund, këto reforma nuk arritën që ta rrisin mirëqënien qytetare, qoftë edhe një lekë të vjetër. Sipas statistikave më të fundit rezulton, se të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30 për qind e mesatares së BE-së, njësoj sa ç’kanë qënë në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas, vendin tonë.
Rritjen më të madhe e kanë shënuar Maqedonia dhe Turqia, duke u zgjeruar përkatësisht me 4 dhe 11 për qind të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit në raport me vendet e BE-së. Prej vitit 2012, procesi i konvergjencës, që nënkupton një rritje më të shpejtë të Shqipërisë në raport me shtetet europiane, në mënyrë që t’i afrohemi gradualisht mesatares së BE-së, jo vetëm ka ngecur, por është përkeqësuar.
Që prej vitit 2016, në renditjen totale të vendeve të BE-së dhe atyre që aspirojnë të bëhen pjesë e hartës së përbashkët europiane, Shqipëria është e fundit. Edhe Bosnjë Hercegovina, që ishte e fundit në këtë renditje para një vitit, tashmë e ka lënë pas vendin tonë. Shqipëria ka ndërkohë, edhe pagën minimale më të ulët në Europë, jo vetëm në vlerë absolute, por edhe të matur sipas fuqisë blerëse të qytetarëve të saj. Kjo statistikë sintetizuese dhe dëshpëruese mbi stanjacionin e mirëqenies së shqiptarëve, të lë pa fjalë.
Ajo kulmon me treguesin e largimit masiv të njerëzve nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian. Raporti më i fundit i “Gallup”-it, publikuar këto ditë, tregonte se shqiptarët, që kanë dëshirë të migrojnë, renditen të dytët në botë pas Sierra Leones. Sipas “Gallup”-it, më shumë se gjysma e qytetarëve tanë, përkatësisht 56 për qind e popullsisë së vendit, duan të largohen nga Shqipëria. Pas Shqipërisë dhe Haitit, vijnë dy vende të tjera afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria në gjëndje lufte rezulton në vendin e nëntë.
Gjetjet e sondazhit i përkasin periudhës 2013-2016. Sipas “Gallup”-it, në periudhën 2010-2012, pjesa e shqiptarëve që donin të emigronin nga vendi i tyre ishte vetëm 36 për qind. Ndërsa në 3-4 vitet pasardhëse të qeverisë “Rama”, ky numër gati do të dyfishohej, duke arritur në 56 për qind. Përveçse, në tre vendet me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë, që dëshiron të emigrojë, Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të këtij treguesi vitet e fundit, duke u dyndur masivisht drejt Gjermanisë.
Po përveç njerëzve gjatë kësaj periudhe qeverisëse, nisën të “emigrojnë” jashtë vendit edhe paratë e bankave apo vetë subjektet e tjera private, për shkak të klimës së papërshtatshme të të bërit biznes në Shqipëri. Është vetë Banka e Shqipërisë që pohon, se pjesa më e madhe e parave të fituara nga bankat e nivelit të dytë në tokën tonë janë investuar jashtë vendi, ose si investim ose si kreditim për bizneset e huaja. Janë rreth 3 miliardë dollarë investime jashtë, që e bëjnë Shqipërinë të jetë një kreditor neto të botës, pasi detyrimet që bankat shqiptare kanë ndaj jo rezidentëve, banka ose individë të huaj, janë vetëm 45 miliardë lekë ose pak më shumë se 400 milionë dollarë.
Vetë bankat private thonë, se janë të detyruara t’i investojnë fondet e lira jashtë për shkak të mungesës së kërkesës për kredi në tregun e brendshëm, por edhe të mungesës së projekteve bindëse nga biznesi. E njëjta gjë po ndodh edhe me bizneset e tjera private. Revista “Monitor” jepte para pak kohësh një pasqyrë të qartë të asaj që po ndodhte me biznesin, për sa i përkiste tendencës së disa sipërmarrjeve të huaja, por edhe vendase për ta zhvendosur aktivitetin në vendet përreth nesh, me kushte tregu më të përshtatshme.
Është kjo arsyeja, fjala vjen, që vetëm numri i sipërmarrjeve italiane ka rënë aktualisht në 872 subjekte nga 1643 që ishte në fund të vitit 2013. Shumë domethënës janë në këtë drejtim të dhënat e një studim të biznesit gjerman në Shqipëri, i cili tregonte se në vitin 2013, 80 për qind e investitorëve gjermanë ishin të kënaqur me klimën e biznesit në vendin tonë, ndaj do t’i investonin këtu fitimet e tyre, kurse vitin e kaluar 67 për qind e tyre ishin të pakënaqur me klimën e biznesit në Shqipëri, duke menduar për t’i transferonin jashtë fitimet. Nga ana tjetër tregun e huaj, për të njëjtat arsye, po e synojnë edhe vetë kompanitë shqiptare të biznesit.
Këto shifra janë të mjaftueshme për të treguar se ndodhemi në një vorbull të rrezikshme stanjacioni dhe krize ekonomike, për të cilën shqiptarët, sipas një sondazhi të NDI, në përgjithësi fajësojnë mazhorancën qeverisëse të katër viteve të fundit, e cila tani është hedhur e ndarë në fushatë. Pasi “gjetën shesh e bën përshesh” për katër vite me radhë, tani duan pushtet si “Tregtar flamujsh” të partive të tyre, duke “…qit bejta”, si personazhi i Koliqit, e duke lënë pas liste flamurin e konsolidimit të ekonomisë së tregut. Një ndër këto “bejta” është edhe ajo e kreut të PS-së, Edi Rama, se nuk e ka lënë të qeverisë si duhet aleati i tij.
Ky është një justifikim i rëndomët i tipit “buono per Albania”, pavarësisht pozitës së vështirë në të cilën e vendos atë mungesa e realizimit të programit qeverisës. Është absurde të mendosh, se si një ministër apo një drejtor i përgjithshëm mund të pengojnë ekzekutivin dhe kryeministrin përkatës në realizimin e programit qeveritar!?… Po të qe e vërtetë një gjë e tillë, nëse kryeministri nuk donte t’i çonte përpara ligjit këta “sabotatorë”, atëherë, pse ai nuk e prishi koalicionin qeverisës dhe të kalonte në zgjedhje të parakohshme? Apo ka menduar si shitësi i Ernset Koliqit: “U shitnë a s’u shitnë flamujt, qëndroi a s’qëndroi Shqipnija, unë kam mjaft shyqyr, me jetue. A more vesh, e tash jashtë…”.
Nga ana tjetër, si mund të thuhet në fund të mandatit një gjë e tillë? Këto s’janë gjë tjetër veç “bejta” të tharta si kumbullat e papjekura. Janë ca sjellje tipike të udhëheqësve tanë politike, që kanë dashur të bëjnë parti dhe jo Shqipëri nëpërmjet zgjedhjeve, duke arritur deri në manipulimin e tyre. Analistë të ndryshëm mendojnë, se duke përjashtuar zgjedhjet e 22 marsit 1992, të cilat u certifikuan nga ndërkombëtarët si “të lira dhe të ndershme”, Shqipëria e mbylli këtu kapitullin e zgjedhjeve me standarde demokratike. Gjithë të tjerat, pastaj, kanë synuar devijimin e vullnetit të votuesve tanë në interes të konsolidimit të partisë dhe jo të ekonomisë e të Shqipërisë.
Kësaj psikologjie i duhet thënë ndal në zgjedhjet e 25 qershorit, pavarësisht se tendenca për të bërë parti në kurriz të Nënës – “Ekonomi”, vazhdon ta dominojë edhe këtë fushatë. Është momenti që zgjedhësit ta refuzojnë me votë flamurin e partive dhe t’i bashkohen flamurit programor të ekonomisë, duke e hedhur vështrimin edhe në histori, se kush parti ka bërë më shumë për zhvillimin dhe mirëqënien në këto 27 vite tranzicion.
Faktet e deritanishme tregojnë se kanë qënë kryesisht demokratët, ata, të cilët kanë ardhur në pushtet mbi bazën e programeve të mirëfillta qeverisëse në shërbim të qytetarëve dhe përparimit të vendit, pa tensione si në ’97-ën apo pa makinacione si në 2013-ën, sikundër janë të vetmit me program qeverisës në këtë fushatë zgjedhore. Kujtojmë këtu zgjedhjet e 92-shit, të ‘05-ës apo ’09-ës, ku nën pushtetin e demokratëve, u bë jo pak edhe Shqipëri, sepse u kryen reformat dhe investimet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe integrimin euro-atlantik të shoqërisë shqiptare përgjatë gjithë viteve të pluralizmit.
Tashmë është lideri demokrat, z. Lulzim Basha, i cili shpreson, që duke respektuar këtë traditë pozitive në zgjedhjet e 2017-ës, ta rikthej të djathtën në pushtet nëpërmjet rikthimit së pari, të besimit dhe shpresës tek “…politika si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve”, siç thotë ai. Natyrisht ai ka një program konkret reformash politiko-ekonomike, të hartuar në kuadrin e mbështetjes që Fondacioni Conrad Adenauer pranë CDU-së së znj.
Merkelit, i ofron Partisë Demokratike, që në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, mund të konsiderohet një model i ri “Ostpolitik” i shtetit më demokratik dhe më të fuqishëm të Europës dhe botës për vendin dhe qytetarët tanë, në çdo pikpamje. Madje Basha kështu shkon më tej se paraardhësit e vet, duke ju referuar edhe përvojave më të mira që ka bota perëndimore në këtë drejtim, për të ndërtuar një program qeverisës sa më realist, sa më konkret, të matshëm dhe të mundshëm për t’u realizuar në çdo pikë të tij.
Ulja e TVSH-së në masën 15 për qind, taksa e sheshtë 9 për qind, pensione jo më pak se 25 000 lekë, lehtësi e financime për shkollimin e të rinjve, investime dhe subvencione për bujqësinë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, ndërtimi i korridoreve rrugorë me ritmin e qeverisë së kaluar të demokratëve, e kështu me radhë, janë disa prej pikave të këtij programi integrues.