Nga Koloreta Cukalli/ Si do të votojnë delet këtë vit?

0

Kur jua ka prerë për herë të fundit rrugën një lopë? E kam fjalën, lopë me 2 këmbë, me pantallona ose fustan, vetëm ose në grup? Sado politikisht jo-korrekte mund të duket, nuk besoj se ka shofer (në Tiranë të paktën) që nuk ka shfryrë duke përdorur fjalinë “ja si e presin rrugën, si lopë” për bashkë-qytetarët e vet këmbësorë që hidhen në mes të rrugës pa menduar, pa procesuar asnjë lloj informacioni, me GPS-në e brendshme të prishur që në lindje.

Por, a jemi ne një popull lopësh? Sigurisht që jo. Ata që kanë bërë rrugë të gjata mes fshatrash e dinë që problemi më i madh në rrugë nuk janë lopët, por delet.

 

    A jemi ne një popull delesh?

Përgjigja e kësaj pyetjeje, vjen vetëm duke hapur televizorin e duke dëgjuar në daç lajmet, në daç emisionet me analiza politike. Mënyra sesi trajtohet populli televiziv është ajo prej delesh.

Delet, sidomos kur janë në numër të lartë, nën komandën e një bariu të lig ose të paaftë, mund të bllokojnë trafikun dhe për orë të tëra. Bjeri sa të duash burisë, delet, nuk lëvizin dot për të hapur rrugën, sepse shtyjnë e bllokojnë njëra tjetrën. Imagjino 1 milion dele!

Edhe nëqoftë se një dele ka frikë nga makinat, nuk e lënë të tjerat të dalë nga rreshti. Deleve, duhet t’u vësh qen që t’i mbledhësh. Qeni, është ai që leh (a nuk dëgjoni shpesh të lehura nga TV juaj?). E lehura e qenit për delet është komandë e brendashkruar në kodin gjenetik, ato duhet thjesht të binden.

Deleve, ua marrin fëmijët (pronën e tyre) që të vegjël dhe delet binden, mendojnë që ai i madhi (sipas rastit, lexo: i gjati, i shkurtri dhe i bukuri) e di më mirë atë punë. Ose, thjesht pranojnë fatin që u ka rënë (filozofia bastarde urbane: “kur u ndanë, kaq na ranë”).

Delet, duan vetëm të hanë bar dhe nuk kërkojnë asgjë tjetër (unë njoh njerëz që hanë vetëm lajme e bukë thatë). Nuk kanë pretendime.

Delet, milen çdo ditë (nga qumështi që duhej t’u shkonte fëmijëve të tyre të dërguar në thertore) dhe rrinë të urta, me kokën ulur. Janë mësuar të përdoren.

Deleve nuk u intereson në ç’haur i vënë (Tirana e krejt Shqipëria është kthyer në një haur të madh arikitekturor, urban e mjedisor).

Delet lindin në të njëjtën tufë ku kanë jetuar dhe prindërit e tyre (parti), nuk e zgjedhin atë. Deri ditën që i shesin tek një tufë tjetër, sipas interesit të bariut.

Delet dielli i fortë i shushat, i ngordh. Nuk e mbajnë dot iluminimin.

Delet, janë një qënie pa të ardhme: çunat në thertore (në parti), gocat për të pjellë të tjera dele.

E vetmja gjë pra, që i dallon shqiptarët nga delet e vërteta, është që një herë në ca vjet, bariu u kërkon të shkojnë dhe në votime.

 

A e duan shqiptarët demokracinë?

Përtej folklorizmit, ka një çështje që më shqetëson seriozisht, thellësisht e thelbësisht. Një çështje, me të cilën duhet të përballemi përpara se të përpiqemi (ata pak që e bëjnë) të ndërtojmë një shoqëri normale njerëzore. Çështja është, a e duan shqiptarët demokracinë? Përgjigja e kësaj pyetjeje mund t’i japë shpjegim edhe shumë problemeve shtetformuese e shoqërindërtuese që kemi, probleme që nuk i kemi kapërcyer dot në 100 e pak vjet. Duke gjykuar sjelljen politike të shumicës së shqiptarëve (që Ciniku e përmblodhi para 4 vjetësh me shprehjen: 1 milionë shpulla), dyshimi im është që shumica e shoqërisë shqiptare nuk e do demokracinë. Nuk është se nuk e njohin, sepse edhe më të pashkolluarit prej nesh kur dalin jashtë shtetit janë në gjendje t’i mësojnë shpejt, t’u binden e t’i  përdorin rregullat e demokracisë. Thjesht, nuk e duan.

SHQIPTARËT NUK E DUAN DEMOKRACINË.

 

Pse nuk e duam demokracinë?

 

Arsyet mund të jenë të shumta.

Së pari,

ne vijmë nga tradita jo demokratike, një perandori e huaj;  një mbret i huaj; Noli që erdhi me armë e iku me armë; një President i ardhur me armë të huaja që vendosi të bëhej mbret; një republikë e pas luftës që u piratua që në zgjedhjet e para të 46’s për t’u shndërruar realisht në një diktaturë; dhe më pas, minidiktatorët e vegjël të pas 90-s: psikopati, kumarxhiu, hajduti, drogaxhiu. Pra, prapa na vjen jodemokracia.

 

Së dyti,

demokracinë ne nuk e ndërtuam (dhe zbuluam) përmes një procesi të gjatë e të dhimbshëm, përmes përpjekjeve e luftërave qytetare, por përmes një terapie shoku disa javore që na telendesi të gjithëve në 90’n. Demokracia jonë erdhi kryesisht prej falimentimit ekonomik të sistemit të mëparshëm dhe presionit nga jashtë, dhe jo prej shtysave të brendshme të një popullsie që para lirisë politike nuk vë asgjë tjetër. Ata pak njerëz që luftuan kundër sistemit politik, tani na japin mend nga jashtë shtetit.

 

Së treti,

demokracia kërkon njerëz me identitet të fortë qytetar. Por, xhungla jonë i ka skarcuar qytetarët. Ata kanë marrë rrugët e botës, të pamundur për ta përballuar ferrin e përditshëm. Tani, ligjin e bëjnë të fortët dhe qentë e tyre. Idealistët e 90’s janë ose në mërgim, ose milionerë.

 

Së katërti,

iluminimi vjen përmes arsimimit. Dhe, ajo që kemi parë ndër vite është shndërrimi i arsimit në treg qepësh dhe shkatërrimi i çfarëdolloj komuniteti mendimi, vlerash, idealesh e idesh që do duhej të gjallonin në shkolla. Shkollat, duhej të ishin fabrika e qytetarëve në të vërtetë janë thertore qingjash.

 

Së pesti,

ne nuk kemi respekt për Republikën – ne kemi rrugë që mbajnë emra gazetash, emra anonimësh, deri edhe emra kriminelësh, por nuk kemi një bulevard a shesh me emrin e Republikës. Kjo është diçka e vogël por shpreh një mentalitet të thellë, Republika, sistemi ku populli është mbret është një koncept i huaj për ligjvënësit dhe delet e Shqipërisë. Ne kemi liderë (barinj) që në mitingje betohen në zot, por jo në Republikë. (Sa për kërshëri, Uruguai, një nga vendet më të zhvilluara e të demokratizuara të Amerikës së Jugut, me nivelin më të ulët të korrupsionit, etj., ka vetëm diçka që e dallon nga diktaturat e tjera jugamerikane: kultin e Republikës – Republika atje është një koncept i shenjtë). Pra, ne nuk jemi përpjekur kurrë, me aq sa kam unë kujtesë, të ndërtojmë në sistemin tonë të të menduarit një shoqëri të shumicës. Zgjedhja dhe të zgjedhurit, kanë funksionuar jashtë këtij sistemi vlerash.

 

Së fundmi,

tek ne kushdo e çdo gjë blihet. Dhe kjo, jo gjithmonë për arsye ekonomike. Shpesh ne shesim një gjë që është e pavlerë jo se jemi duke vdekur urie. Por, demokracia dhe blerja e saj nuk mund të ekzistojnë njëkohësisht. (Psh, ai që shet votën, nuk mund të justifikohet se është i varfër. Nëqoftëse nuk do ishte, kjo thjesht do rriste çmimin e votës, sepse ai e ka predispozitën për tregëti malli).

 

Kthimi te delet

Kur shoh fushatën e Ramës, Bashës e Metës (dhe nuk po llogaris bishtat, partitë e vogla me vetëm 1 anëtar-kryetar) e para gjë që më shkon ndër mend është formula që, disa lloje popujsh mjafton t’u japësh “bukë e cirk” që t’i shalosh për tërë jetën.

Personalisht, ndjehem tmerrësisht i ofenduar për mënyrën sesi po e (ri)trajtojnë Shqipërinë votuese, jo vetëm duke e mashtruar sy për sy, por dhe duke e tallur sheshit. Nuk dua ta zgjas argumentin këtu, sepse atyre që nuk janë dele nuk kam asgjë për t’u thënë që nuk e dinë. Mjafton të flasim me kode: 1 Prilli, blloku i Priftit, Rruga Durrës-Kukës, 11 janari, Vilma Nushi, Stadiumi, Plehrat, Parku, lejet e ndërtimit.

Çështja është, që e tërë fushata e Ramës, Metës e Bashës nuk është ndërtuar për t’u bërë thirrje njerëzve të ndjeshëm e me integritet. Jo, fushata ka si synim të manaxhojë popullatën e deleve. Dhe, përderisa kjo ndodh, do të thotë që delet janë shumicë dërrmuese, me fjalë të tjera, janë masa kritike. Delet, do të zgjedhin dikë që qendron jashtë demokracisë, sepse, ato nuk e duan demokracinë. Ato duan një bari. Një bari që t’u japë barin, t’u marrë qingjat, t’u lëshojë qentë, etj. Delet, kanë dhjetëra argumente me të cilat duan t’i mbushin mendjen vetes dhe të tjerëve që bariu i tyre ka të drejtë, që alternativat e tjera janë plot të meta. Të flasësh me to, do të thotë të dëgjosh “beeee-beeee” nën stop.

 

Demokracia, si dele e zezë

E zeza qendron në faktin që fati jonë, fati i pakicës që ka zgjedhur demokracinë si mjetin për të ushtruar të drejtën e vet sovrane për të përzgjedhur llojin e qeverisjes e si pasojë formësimin e shoqërisë si liri alternativash, varet nga vota e deleve. Nga vota e deleve të bardha.

Demokracia nuk është me doemos, thuhet, alternativa më e mirë politike. Por, kakistokracia është zgjidhja që po aplikohet, falë manipulimit të mendjeve të deleve të bardha.

Liderët autokratë në botë ofrojnë diçka për të pasur mbështetjen e deleve. Ofrojnë një rritje ekonomike ose një përfitim individual për masën e deleve. Delet shqiptare, me aq sa gjykoj unë, nuk përfitojnë asgjë. Pra, edhe në specien e deleve, janë delet më të abuzuara. Dhe prapë, duke blegërirë me të madhe, mbështesin kakistokracinë.

Në këtë pikë, është gjithmonë dikush që pyet (shpesh dhe pa edukatë): “E çfarë zgjidhjesh na jep ti?“

Zgjidhja që ju jap unë është vetëm një, por si fillim duhet të bëni testin më poshtë për të verifikuar që nuk jeni dele.

 

Testi i deleve

  1. Bën retweet, like dhe share të Ramës, Metës, Bashës e Veliajt dhe kopjativëve të tyre? (dele)

  2. Ke kuptuar që lideri i Partisë nuk zgjidhet me vota reale brenda partisë, por nuk të duket problem? (dele)

  3. argumenti yt i preferuar është se lideri yt “vërtet vjedh, por aman bën dhe punë”? (dele)

  4. ke kuptuar që Parlamenti i fundit ishte plot me kriminelë, por nuk të duket arsye e mjaftueshme për të mos ia dhënë votën liderit suprem? (dele)

  5. voton liderin, thjesht për urrejtje ndaj liderit tjetër? (dele)

  6. Emocionohesh me përurime rrugësh e fasadash në TV, dhe je i bindur se Shqipëria po begaton? (dele dhe e droguar)

  7. mendon se meqë punët e tua shkojnë mirë, Shqipëria po shkëlqen? (nuk je dele, je kalë)

  8. në Instagram, të interesojnë më shumë videot me gafa sesa denoncimet e krimeve të pushtetit? (dele)

  9. biznesi yt vuan, por prapë do votosh të njëjtët monopolistë, sepse “nuk ke kë voton”? (dele)

  10. je i palumtur, por prapë do votosh të njëjtët hajdutë, sepse “nuk ke kë voton”? (dele)

  11. je i pasigurt, por prapë do votosh të njëjtët kriminelë, sepse “nuk ke kë voton”? (dele)

  12. financiarisht mezi ia del, por prapë do votosh të njëjtën listë deputetësh-milionerë, sepse “nuk ke kë voton”? (dele)

  13. kërcen përpjetë po të kriktikuan ose shanë liderin? (dele, mbase dhe dhi)

  14. të pëlqejnë shumë batutat e liderit gjatë fushatës? (dele)

  15. nuk të bën përshtypje ose nuk e beson që e tërë Shqipëria vjet ishte e mbjellë në hashash? (dele)

  16. Nuk të shqetëson fakti që do votosh të njëjtin lider edhe pse nuk ka realizuar asgjë nga gënjeshtrat që të tha para 4 vitesh? (dele)

  17. Voton përsëri një parti që ka qenë të paktën 1 herë në pushtet gjatë këtyre 25 viteve? (dele)

  18. Voton një parti se ke shpresë që po fitoi do të të japin punë të mirë, do të të rregullojnë patentën, do ndërtosh lokal pa letra, do të të legalizojnë? (dele)

  19. Të kujtohet që Lul Basha i është shmangur gjykimit Durrës-Kukës me procedurë, edhe që ka qenë Ministër Mbrojtjeje i 21 janarit, por prapë do votosh për të? (dele)

  20. Mendon vërtet se Rama është Skënderbeu? (dele, ose qen që leh)

  21. Mendon vërtet se Rama ka bërë shtet (që ia paska shkatërruar LSI)? (dele)

  22. Komenton poshtë artikujve me gabime drejtshkrimore dhe duke sharë artikullshkruesit personalisht? (dele dhe analfabet)

  23. Urren për vdekje Lubonjën? (dele)

 

Pasi të kesh verifikuar që nuk je dele, nuk ke nevojë për këshilla se çfarë duhet bërë.

Nëqoftë se thirrja e deleve është shumë fortë për të të lënë të qetë të mendosh, mund të të jap një sugjerim: shko dhe voto një parti që nuk ka qenë kurrë në pushtet. Mund të mos jetë zgjedhja perfekte. Mund të mos jetë fituese. Mund të mos kalojë dot asnjë deputet. Por, të paktën, është votë kundër partive të deleve. Mund dhe të të tradhëtojë më vonë. Por, ti do i japësh vetëm një shans. Sepse ti nuk je dele./Lapsi.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author