Nga Arian Galdini/ Era e Ndryshimit apo Ndryshimi i Erës?

Analize Shkrime

Për të thënë të vërtetën kjo fushatë elektorale për parlamentin e ri shenjon një pikë kthese në përpjekjen e saj për tu ravijëzuar si ndryshe, nga të mëparshmet. Stili dhe mënyrat e komunikimit që kanë përzgjedhur partitë për të tërhequr vëmendjen e publikut janë së paku në formë, plotësimi i le të themi me notë kaluese i standartit të parë europian nga vendi ynë i varfër që ka vite që mbetet në nivelin e aspirantit qëndrestar dhe kokëshkretë që nuk ia shqit fytyrën xhamit të trashë prej nga e sheh Europën.
Gjëja e dytë që të bie në sy është fakti që ligjërimi pothuajse dominant politik që po dëgjojmë nga partitë dhe nga liderët, është se ata dhe vetëm ata secili për veten apo për krahun e tij, përfaqësojnë: “fuqinë e ndryshimit”, “frymen e re politike” , “politikën e re”, “gjeneratën e re politike”, “shqiperinë që po ndryshon”, “rilindjen”, republikën e re”, “ndryshimin e madh”, etj, etj, gjëra të kësollojshme që kanë brenda përcaktimin “ e re” dhe “ndryshim”.
A thua se partitë tona politike , dhe kryetarët e tyre në veçanti janë në një garë me kohën dhe po rendin që të gjithë së bashku për ta kapur atë. Në fakt ky është një lajm i mirë për shqiptarët sepse nëse partitë dhe drejtuesit e tyre politike kanë kuptuar se duhet ta kapin kohën dhe i jane dorëzuar gjithashtu faktit që kjo garë me kohën është e pashmangshme atëherë ata kanë pranuar unanimisht si rrallëndonjëherë , KOHEN si standart. Lajmi i keq është se partitë tona dhe liderët e tyre e dinë se po nuk kapën kohën, dalin jashtë kohe. Ndaj ata bëjnë manovra forme, për të ndalur a arrestuar formën.
Vini re sesi kjo fushatë elektorale me mungesën e zhurmës dhe përdhunës së flamujve, stendave e posterave në çdo pëllëmbë të Shqipërisë ka plotesuar paraprakisht në formë, dy standartet e sapopërmendura më sipër , njëri prej tyre: standart europian , dhe tjetri standart individual, social, politik, kulturor dhe universal njekohësisht.
E të mendosh që këto dy standarte janë sajdisur në një kohë kur Shqipëria endet e rraskapitur në këtë cep te Ballkanit e keqpërdorur në mënyrën më cinike të mundshme nga një grup drejtuesish dhe politikanësh që vetmandatohen apo tentojnë të vetëmandatohen sipas rastit.
Në një mënyrë apo një tjetër të krijohet përshtypja se këtu ka vetëm njerëz që duan të ikin dhe njerëz që duan të qeverisin, pavarësisht nga kostot.
Por le ta pranojmë haptazi dhe me kurajo se ata që e braktisin apo dëshirojnë ta braktisin Shqipërinë me ëndrrën për ta rigjetur, apo ata që vendosin të “arratisen” nga realiteti dhe struken në jetët e tyre të përditshme duke e “asgjësuar” vëmendjen nga ajo ç’ka ndodh rreth tyre, dallojnë thelbësisht nga ata që duan ta qeverisin këtë vend me babëzinë për ta vjedhur .
Ne që qëndrojmë dhe besojmë se ky vend ende prodhon shpresë, kemi ekzaminuar dhe është mirë të vazhdojmë ti ekzaminojmë mundësitë tona ngase jam besimplotë që jemi shumë, ndaj edhe duhet ti ushtrojmë të gjitha të drejtat, kapacitetin, energjitë, dijet, eksperiencën, dëshirat, vullnetin për të qenë shërbetorë dhe autorë të së mirës ndërkohë që së bashku të gjithë si shoqëri të vendosim të punojmë për ditën kur Shqipëria do të bëhet Europë.
Nëse sot ne qëndrojmë stoikë në këtë vend ku “tirania e shpërfilljes” është moral mbi moralin , ligj mbi ligjin , e drejtë mbi të drejtat, nëse qëndrojmë duke e ditur se ne kemi të drejtë të flasim por kurrësesi nuk kemi të drejtë të dëgjohemi, nëse jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se Shqipëria, është bërë “pengu i paçmueshëm” i një grupi drejtuesish dhe politikanësh të cilët dhunën e diktaturës së Enver Hoxhës e kanë zëvendësuar me dhunën e interesave personale meskine të individëve dhe grup-individëve të caktuar, atëhere le të shohim pas në historinë tonë, dhe thellë në burimet tona të brendshme qoftë individuale qoftë si shoqeri, e le tu referohemi edhe demokracive dhe shoqërive të shëndetshme gjithashtu, mendimtarëve të mëdhenj që ka bota dhe kësisoj të shestojmë shanse dhe kohë ndryshe.
Jam i kthjellët se për “Çifligarët e Politikës” shqiptare , është e vështirë të thuhet se funksionojnë me rregullat e lojës demokratike .
Shpesh herë qasja që të vjen në mendje është se, për ata, Shqipëria është bërë Bronksi apo Harlemi i tyre, ku ligji i më të fortit përcakton fatet e lojës.
Është e qartë kristal se drejtuesit dhe politikanët tanë janë në një kompromis e konsensus negativ të fortkuruar.
Askush nuk e vë më në dyshim se politikanët tanë funksionojnë pothuajse njëlloj sikurse “familjet e malavitës” të cilat pasi kanë ndarë zonat e influencës bazuar në marrëveshje të fshehta, me dyer të mbylluara, vazhdojnë njëkohësisht edhe luftën e egër për më shumë ekspansion dhe dominim. Demokracia që na ofrohet është një demokraci me dyer të mbyllura, pra një demokraci e vrarë.
Madje edhe debatet gjatë krizës parazgjedjore, edhe negociatat , edhe përplasjet , marrëveshjet apo mosmarrëveshjet janë bërë të gjitha pas dyerve të mbyllura, ndonëse të gjithë ne i kemi patur sytë tek Cirku që na shpalosej rrugëve e televizioneve.
“Miqtë e mij , na takoi që të rinj një fat i ashpër . Kemi vuajtur nga rinia jonë , si nga një sëmundje e rëndë. Kjo qe pasojë e kohës në të cilën lindëm , kohë e dekadencës së madhe të brendshme , e dekompozimit , që me gjithë paaftësinë dhe forcat e saj vepron kundër shpirtit të rinisë.
Shkatërrimi dhe pasiguria janë karakteristikat e kësaj kohe : asgjë nuk bazohet në baza e besim të shëndoshë. Jetohet për të nesërmen, sepse e pasnesërmja është e dyshimtë…” (Niçe)
Ndonëse këto fjalë të Niçes i shkojnë shumë për shtat realitetit tonë, une jam plot shpresë dhe besim se ne jemi shumë, e në çdo zemër të qytetarëve shqiptarë gjen vend e fjetur apo e ndrojtur, “shpresa dhe ngasja për të mirën”. Ne jemi përnjimend shumica e heshtur. Ne jemi forca e vërtetë lëvizëse në shoqërinë shqiptare, ndonëse ka vite e mbase dekada qê e keqja në pakicë ushtron kontroll mbi pushtetet e këtij vendi.
Për të shkuar më thellë në shpresën time do të thoja se edhe brenda vetë vendimmarrësve shqiptarë, udhëheqësve, deputetëve, drejtuesve qendrorë apo lokalë, qoftë si qenie njerëzore qoftë si grup social, është dhe mund të marë forcë kahja e së mirës. Ka dhe mund të zbulojmë apo ngremë drejtues që i kanë karakterin, integritetin dhe parimet si element themelor të formimit të tyre si bartës dhe ushtrues të detyrave publike, dhe pushtetit në shërbim të vendit, ligjit dhe qytetarit.
Sikurse e kam shkruar edhe më parë, pushteti ka qenë kahera esencial për lidershipin.
E ndoshta ky është edhe thelbi i problemit e pse jo edhe substanca e shpresës.
Politikanët njihen gjerësisht dhe kahkohësisht, madje prej nga dita kur në shoqërinë njerëzore ngriti kokë autoriteti apo lideri i parë, për shqisën e tyre për ta ndjerë pushtetin.
Drejtuesit në nivel qendror apo lokal, në institucione apo parti politike, deputetët, mëtonjësit, të gjithë e nuhasin dhe ndjejnë më mirë se gjithçka tjetër Erën e Pushtetit dhe e ndjekin atë me këmbëngulje e durim të admirueshëm.
Nuk është e kotë ajo shprehja që thotë, se politikani shkon nga fryn era.
Nëse era e pushtetit që kanë ndjekur deri tani drejtuesit dhe politikanët tanë ka qenë ajo e konjukturave dhe intrigave politike, nënshtrimi, besnikeria(????) dhe servilizmi ndaj Liderit Providencial, abuzimi me fondet publike, korrupsioni, amoraliteti, mashtrimi, aleancat afatshkurtra dhe marrëveshjet aspak parimore, aftësia për te shitur shpirtin dhe karakterin, apo vjedhja e votave, shanset janë të mëdha që ne gjithësesi të ndërtojmë shpresë përmbi këtë komponent.
Kushtimisht, fushatat elektorale bëhen që individe apo parti të vijnë në pushtet, të marrin pushtet në duart e tyre. Rasti është pothuajse paradoksal , pasi në keto 27 vite në të gjitha fushatat elektorale të gjithë kandidatët , apo të gjitha partitë kanë shpallur para dhe gjatë fushatës se ata janë “fryma e re”, “fytyra e re”,”gjenerata e re”, “forca e re” , “rilindja”, “republika e re” dhe se ata po sjellin :”Erën e Ndryshimit”.
Por të nesërmen e ditës së votimit gjithmonë jemi zgjuar nga gjumi plot ëndrra e shpresë, ndërsa të pasnesërmen jemi zhytur sërish në makth, e dëshpërim. Të pasnesërmen ne kuptojmë se Pushteti që u kemi dhënë apo që e kanë marë vetë në dorë politikanët apo drejtuesit e rradhës ishte dhe mbetet qëllim në vetvete. Asnjëri prej tyre nuk e ka kërkuar e as po e kërkon pushtetin si instrument për ti shërbyer Qytetarit.
Era që kanë ndjekur e po ndjekin politikanët ishte po e njëjta dhe u ka dhuruar pushtet e të mira vetëm atyre, sepse sidoqoftë ata dhe qytetarët kanë luajtur në fusha dhe lojra krejt të ndryshme, e distanca ka qenë e thellë, duke shkuar vit pas viti, muaj pas muaji, e ditë pas dite, përherë e më e thellë.
Alternativa jonë për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të drejtë, për një demokraci të shëndetshme, e për më shumë liri, mbetet në çdo rast dhe në cdo kohë partneriteti i Politikanit me Qytetarin.
Që edhe kjo fushatë elektorale e këto zgjedhje të mos shkojnë dëm, e që të kemi mundêsi të fillojmë një proçes në favor tê së mirës dhe shpresës, do të na shërbente shumë durimi dhe marrja për sipër e rolit të autorëve të ndërtimit të mirëbesimit. Vendosja e komunikimit, ringritja e mirëbesimit në shoqërinë shqiptare, më së pari brenda vetë qytetarëve, e po ashtu edhe brenda vetë klasës politike, e më pas mes qytetarëve dhe politikanëve do të ishte një premisë e shkëlqyer për ta ndryshuar Erën.
Në respekt të nevojës që ka vetë demokracia për ushtrimin e pushtetit si instrument për shërbim dhe shërbesa, për më shumë drejtësi, për institucione të forta dhe për më shumë përfaqësim, e në të njëjtën kohë në respekt të nevojës dhe ambicjes që kanë politikanët për Pushtet, ngritja dhe forcimi i Partneritetit mes Qytetarve të mirë e guximtarë, mund të sjellë përmbushjen e të dyja këtyre nevojave dhe ngopjen e gjithfarë ambicjeje apo aspirate.
Në Partneritet së bashku ne qytetarët e mirê e guximtarë mund ta ndryshojmë Erën, dhe të bëjmë që Era e vetme që do të sigurojë Pushtetin dhe mbivlejë në favor të Pushtetit, si atij Pushteti për të cilin ka nevojë sistemi, si atij pushteti për të cilin ka nevojë, ambicje dhe aspiron individi, mund të jetë ajo Erë prej nga ku nisim dhe ngremë si standarte e pritshmëri reale, të vërteta, bazike, të palujatshme, karakterin, ndershmërinë, moralitetin, përgjegjshmërinë, integritetin, vullnetin e mirë, shpirtin e shërbesës, mirësinë, meritokracinë, zotësinë, dijen, talentet, etj.
Kontributi në vendosjen e këtij Partneriteti, mund të bêjë që ato dy standarte të cilat i kemi përmendur krejt në fillim, të mos jenë veç në formë e të jenë në fakt pararendësit e Ndryshimit të Erës dhe fillimit të një proçesi të përthellimit të këtyre standarteve ose hap pas hapi të instalimit të disa standarteve të tjera. Ripërseris jo paqëllim se deri tani kjo fushatë elektorale shenjon nen formë një pikë kthese ne performancën dhe kapacitetin e saj për të ndërtuar një imazh ndryshe nëpërmjet Stilit dhe mënyrave të komunikimit që kanë përzgjedhur partitë dhe kryetarët e tyre për të tërhequr vëmendjen e publikut, por këtë e bëjnë vetëm e vetëm per një grusht vota më tepër.
Me sytë nga ana pozitive ne së bashku mund dhe duhet të punojmë që Imazhi, Stili, dhe Mënyrat e Komunikimit, të shndërrohen në instrumenta të përputhshme me kerkesën dhe nevojën tonë ultimative per alternativa, zgjidhje, meritokraci, talente, zotësi, politikanë me karakter e integritet, dije dhe përvojë. Vetëm kështu mund të ketë haoësira për lindjen e një bashkëbisedimi, marrëveshjeje dhe aleance të dukshme dhe të frytshme mes Qytetarëve dhe Kandidatëve dhe Partive.
Ne po të njëjtën mënyrë standartin Kohë, të gjithë së bashku mund ta marrim në konsideratë jo më si ndjekës të pështirë të Kohës që na lë gjithmonë pas, por si pararendës të saj që dimë ta drejtojmë atë dhe jetët tona për nga e mira e përbashkët.
Le ti paraprijmë Kohës duke Ndryshuar Erën.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?