Memecit i erdhi goja/ Rama i kujton Metes videon e Priftit

Edi Rama ka pranuar publikisht se vendimin për të bërë marrëveshje me Lulzim Bashën, e mori kur u ndje i tradhëtuar nga Meta dhe Idrizi. LSI dhe PDIU u bënë pjesë e tryezës që thirri opozita në 17 Maj, si shansi i fundit për zgjedhje me opozitën.

U duk sikur ky i Ramës, ishte një vendim i momentit, i frymëzuar nga ndjenja e hakmarrjes dhe mllefi i të qënit i tradhëtuar.

Por jo. Gjatë takimit që pati me të rinjtë e FRESSH, Rama u kthye pas në kohë, në kohën kur bëhej reforma në drejtësi. Pikërisht atëhere filloi krisja me Metën, ka shpërthyer kryesocialisti, duke kujtuar pafajësinë që fitoi Ilir Meta nga gjykatat, për çështjen e videos me Dritan Priftin.

“Sistemi ynë politik është i ngritur prej vitesh mbi një marrëveshje të heshtur por që ka dalë haptas prej vitesh mes politikanëve që zgjedhin gjykatësit dhe gjykatës që mbyllin çështjet e politikanëve dhe prandaj politikanët nuk kanë qenë kurrë të gatshëm t’i hyjnë reformës në drejtësi, sepse është si të hysh dhe të sharrosh degën ku rri. Ne i hymë dhe e bëmë. Dhe aty filloi krisja e koalicionit”.

Por nëse kujton nxitimin, vrullin dhe këmbënguljen e Ilir Metës për të bërë reformën në drejtësi, llogaritë nuk dalin. Ose Edi Rama gënjen për të palarat që po i nxjerr sot Ilir Metës, ose asokohe ka pranuar të bëjë kompromis për gykatësit, që thotë se mbajnë degën ku rri Ilir Meta.(Lapsi.al)