Lindita Nikolla kallëzon Ben Blushin për shpifje

0

Lindita Nikolla vendos të padisë kreun e LIBRA-s Ben Blushi për shpifje. “Dua t’ju bëj me dije se sot kam nisur procedurën e padisë për shpifje për Ben Blushin. Nuk do t’i ndahem këtij shpifaraku profesionist, derisa ai të marrë dënimin e merituar në gjykatë. U bë e disata herë që njeriu më parazit që kam njohur në jetën time, më sulmon paturpësisht me gojën e tij të shthurur nga ligësia e mediokritetit” – shkruan Nikolla në rrjetet sociale duke hedhur akuza të forta për ish-kolegun e saj.

“Një karrierist i llastuar nga jeta, që tri herë u bë ministër dhe tri herë u largua nga detyra pa bërë asnjë punë, nuk mund të shitet sot si politikë e re, pas 20 vitesh në korridoret e pushtetit. Një personazh i pangopur, që i kërkonte ministrave “mediokër” të Edi Ramës, favore. Kur ky njeri e pa që nuk i’u hapën dyert për çudirat që kërkonte, me ngulmin e njeriut parimor, filloi sulmin e mllefit kundër Edi Ramës dhe ministrave “mediokër”. Kam vendosur ta ndjek deri në fund në rrugë gjyqësore këtë njeri që sot e gjithë kohën do të mbahet mend në Ministrinë e Arsimit, si ministri i arrogancës dhe asgjësë” – shkruan Nikolla.

“Ky gojëlig që shantazhonte kolegët për të nxjerrë, siç e quan edhe vetë pa pikën e turpit, fitimet nga aksionet e veta politike, nuk mund të jetë destinacion për besimin e votuesve që nuk e njohin. Ky njeri ka krijuar partinë e vogël fitimprurëse të radhës, duke premtuar Republikën e Re. Ky farë burri, pa din e iman, meriton jo vetëm që të mos i jepet asnjë votë, por, gjithashtu, edhe dënim për shpifjet e tij për shkak të detyrës. Demaskimi i këtij paraziti ekzemplar të jetës publike është një detyrim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që njësoj si ne, kur nuk e njohin se çfarë marifetçiu i paskrupullt është, mund të bien pre e shpellës së errët të gojës së tij të ligë” – shkruan ish-ministrja e Arsimit.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author