Deklaratë e PLL për media: Marrëveshja Rama-Basha i la mënjanë objektivat e afishuar politikë të Çadrës

Partia Lëvizja e Legalitetit ka lindur në rrethana të jashtëzakonshme, me synimin për të siguruar ekzistencën e një shteti demokraktik, mbi bazën e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Për hir të këtij qëllimi, legalistët kanë dhënë jetën dhe kanë përjetuar privacione ekstreme gjatë diktaturës komuniste. E megjithatë, kauza jonë ia doli të mbijetojë.

Pas viteve ’90, PLL i është përkushtuar këtij objektivi, duke bashkëpunuar me subjekte për të cilët ka menduar se me fuqinë e tyre vendim-marrëse mund t’i kontribuonim bashkërisht kësaj kauze. Por, në të vërtetë, përgjithësisht kemi përjetuar zhgënjim, sepse prirja e partive që kanë marrë pushtet ka qenë pragmatizmi banal e jo konsolidimi i themeleve të një shteti demokratik.

Dy vitet e fundit PLL ka punuar, ngulmuar e lobuar fort, duke qenë fillimisht protagoniste në bashkësinë e partive jo-parlamentare të të gjithë spektrit politik për të ndikuar në instancat vendim-marrëse dhe tek ndërkombëtarët, dhe duke paraqitur projekte konkrete për rregullimin e Kodit Zgjedhor, deri në propozimin e sistemeve zgjedhore adekuate për vendin tonë.

***

PLL e mirëpriti dhe kontribuoi maksimalisht për kauzën e zgjedhjeve të lira, që u promovua për 90 ditë në të ashtuquajturën “Çadra e lirisë”.

Objektivi madhor i “Çadrës” ishte shumë i qartë dhe bindës për të gjithë subjektet aderuese. Ajo bashkonte interesat dhe idealet e një kauze emergjente dhe nga më të kulluarat të opozitarizmit të djathtë në Shqipëri.

Nuk është në natyrën e PLL që të bëjë diversion me diferenca në qëndrime ndaj kauzave të mëdha, ndaj dhe ajo nuk mund të regjistrohej paraprakisht në KQZ përmes mbledhjes së firmave, në mënyrë të njëanshme e prapa krahëve të aleatëve. Jo vetëm kaq, por PLL ka konsideruar se çdo parakusht apo diferencim nga pjesëmarrja dhe kontributi në kauzën e “Çadrës”, qoftë edhe me rrezikimin e siglës, do të ishte kundërvënie ndaj idealeve tona.

Edhe pas marrëveshjes Rama-Basha dhe realitetit të ri që ajo krijoi, duke e konsideruar atë marrëveshje si veprim taktik të kreut të opozitës, PLL vazhdoi t’i qëndrojë besnike kauzës së nisur dhe aleatëve në atë kauzë.

Paralelisht me këtë, Partia Lëvizja e Legalitetit mori prej kryetarit të PD z. Lulzim Basha, garanci të plota e të shprehura më shumë se një herë, se ajo do të përfaqësohej në Kuvendin e Shqipërisë përmes renditjes së kandidatit të saj në zonën e sigurisë së lartë të listës së kandidatëve.

Duke vepruar krejt ndryshe, z. Basha u tërhoq nga synimet e aksionit të përbashkët opozitar por edhe nga angazhimet e veta ndaj PLL.

Situata e krijuar kur në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 PLL nuk është e regjistruar as si sigël e as me kandidat, është e rëndë.

Besnikëria e pakufizuar ndaj kauzave të mëdha dhe aleatëve, si dhe fryma e qëndresës e PLL e trashëguar në breza, në rrethanat aktuale mund të interpretohet edhe si naivitet, apo mungesë largpamësie. Ndaj, pikërisht për këtë arsye, kryesia e PLL njeh përgjegjësitë e veta, të cilat në një moment të përshtatshëm do t’i bëjë publike në mënyrë të detajuar.

Ne do t’i analizojmë thellë zhvillimet aktuale dhe domethënien e tyre perspektive, duke pranuar përgjegjësitë dhe duke nxjerrë mësimet e duhura.

***

Koha po tregon se marrëveshja Rama-Basha i la mënjanë objektivat e afishuar politikë të “Çadrës” dhe i reduktoi ato në pazarllëqe dypalëshe, që në analizën tonë konfirmojnë konkluzionin e saktë e të qartë të një strategjie të paravendosur për ndarjen e pushtetit dhe krijimin e një sistemi bipolar.

Njëherazi, me paramendim dhe keqdashje, ajo marrëveshje kërkon edhe të godasë padrejtësisht çdo subjekt tjetër politik, duke u shndërruar kështu në një rrezik serioz për fatet e pluralizmit në Shqipëri.

Në situatën e krijuar, PLL i bën thirrje strukturave të saj, anëtarësisë dhe simpatizantëve në të gjithë vendin, që në këtë fushatë dhe në zgjedhjet e 25 Qershorit të veprojnë vetëm në interes të PLL dhe mbijetesës së pluralizmit politik në Shqipëri.

Strukturat lokale të PLL, në koordinim me Kryesinë e partisë, do të mbështesin forcat politike që në të kaluarën kanë treguar dashamirësi për kauzat e PLL, apo që në nivel lokal kanë ofruar ose ofrojnë bashkëpunim afatgjatë me PLL.

Kryesia e PLL

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments