Aktualitet

Ministri i Drejtësisë i shkruan Ramës: Të pezullohet urgjentisht nga detyra Sekretarja e Përgjithshme e MD, është kandidate e PS

Ministri teknik i Drejtësisë, Gazment Bardhi i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të pezullohet nga detyra Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha me argumentin se ushtron këtë detyrë në kundërshtim me ligjin.

Kjo, shpjegon ministri, pasi Juliana Hoxha është kandidate për deputete e PS-së. Ministri teknik ka informuar për rastin edhe kryeministrin Edi Rama, njoftojnë burime zyrtare nga MD.

“Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil, dhe të pezullojë nga detyra, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha, e cila ushtron funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin, që nga data 29 Prill 2017, për shkak se është kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë z. Bardhi ka informuar zyrtarisht Kryeministrin dhe është në pritje të ndërhyrjes së tij për zbatimin e plotë të ligjit”, thuhet në një njoftim të Ministrisë.

“Ministria e Drejtësisë gjen edhe njëherë rastin të inkurajojë çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, vijon njoftimi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?