Berisha/ Sulmi kimik ndaj opozitës, një akt i mirëfilltë terrorist?

Për herë të parë në historinë e vendit opozita shqiptare sulmohet në mitingun e saj me lëndë kimike toksike, akoma të paidentifikuar pluhur apo gaz, sulm nga i cili u lënduan në shkallë të ndryshme mbi 170 pjesëmarrës në këtë miting, ndër të cilët edhe vet kryetari i PD, Lulzim Basha.

Shfaqjet klinike të personave të dëmtuar nga agjenti toksik ishin qartësishit ato të veprimit akut irritues duke shkaktuar eriteme të fortë, skuqje dhe djegie të lëkurës, skuqje e fryrje dhe djegie të qepallave dhe syve, irritime të kornes dhe perde e përkohshme në shikim, dhimbje të padurueshme koke, irritim të fortë dhe sekrecione të mukozave të hundës dhe rrugëve të frymëmarrjes.

Jashtë çdo lloj dyshimi ky ishte një agresion akut.

Disa prej të lënduarve vazhdojnë të vuajnë pasojat e dëmtimeve në sy prej asaj dite, kurse për pasojat mbi rrugët e frymëmarrjes nuk ka ende vlerësime. Opozita, pavarësisht nga akti terrorist dhe qëllimi i tij, mbajti një qëndrim serioz të vetëpërmbajtur në deklaratat e saj.

Por tani, duke parë përpjekjet qeveritare dhe mediave të kontrolluara nga Rama për të zvogëluar në maksimum aktin kriminal terrorist që ndodhi në bulevardin e Tiranës, nuk mund të mos ndalesh në analizën e tij në momentet që vijojnë.

Së pari, kemi të bëjmë me një qëndrim të dyshimtë të papranueshëm të qeverise ndaj këtij sulmi kimik kundër opozitës në mitingun e saj elektoral, për të cilin edhe sot, pas pesë ditësh nuk dihet asgjë për shkakun dhe qeveria refuzon ta cilësojë ashtu siç ishte në të vërtet.

Së dyti, ky sulm kimik, si rastësisht ndodhi vetëm një jave pas nje stërvitje të bërë publike me media, në të cilat u demostrua reagimi i forcave të ushtrisë dhe policisë ndaj një sulmi të simuluar me armë kimike. Një javë pas kësaj stërvitje qeveritare, i takoi opozitës shqiptare të provonte sulmin me armë kimike ndaj saj. Ngjarjet mundet të mos kenë asnjë lidhje njëra me tjetrën, por e vërteta është se, që nga koha e diktaturës, një stërvitje publike në kryeqytet dhe e paraqitur në media për armët kimike, nuk ishte zhvilluar, sikundër, një sulm kimik në një miting publik në Shqipëri nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Se treti, si për të na bindur se kishte të gatshme një përgjigje të parafabrikuar për të fshehur dorën e zezë të autorit apo autoreve të sulmit kimik kundër opozitës, policia e Partisë pa humbur kohë akuzoi me një injorancë ekzemplare si shkak tullumbacet, të cilat u tha se pas plasjes kanë shkaktuar problemin, por nuk u tha se çfarë lënde kimike, pluhur apo gaz toksik duhet të ishte futur me qëllim në tullumbacet për të shkaktuar sindromin toksik tek mbi 170 vetë.

Hipoteza e tullumbacit u diskretitua shpejtë pasi tullumbacet e lëshuara në fluturim, të filmuara nga shumë kamera, nuk kishin plasur, dhe përveç kësaj kishte disa persona të lënduar që ishin larguar nga mitingu para lëshimit të tullumbaceve.

Natyrisht, kur Policinë e Shtetit e drejton njëri nga bajlozët më kryesorë të narko-shtetit dhe Drejtorinë e Tiranës e drejton një ekstremist socialist i ardhur nga policia bashkiake e Vlorës, nuk mund të presësh qëndrime të tjera përveç përpjekjes për të humbur gjurmët e këtij krimi të shëmtuar.

Ky qëndrim i policisë së “fajin e kanë tullumbacet” u shoqërua me heshtjen e plotë të kryeministrit në largim. Vetëm pas alarmit që dhanë mediat ndërkombëtare për sulmin kimik ndaj opozitës në Tiranë reagoi dhe Edi Rama, i cili kërkoi gjetjen e shkakut, por njëkohësisht akuzoi opozitën se po flet për konspiracion, me çka tregoi se ndofta i shkoi gjuha tek dhëmbi!

Përveç këtyre, policia, pasi i plasi në dorë tullumbaci tani po bën përpjekje edhe me qesharake për të mbyllur çështjen e këtij akti që nuk ka asgjë mangut nga kriteret e një sulmi terrorist, pasi nuk gjendet asnjë shkak tjetër, duke aluduar për dritën e prozhektorëve.

Kështu, prej tre ditësh po fajësohen prozhektorët e përdorur me qindra herë në aktivitete dhe që nuk kanë dhënë asnjëherë gjë të ngjashme me atë që ndodhi në mitingun e opozitës.

Se fundi, ky ishte sulm ndaj opozitës pas një kohe përballje të gjatë dhe të ashpër me qeverinë, ndaj mendoj se qeveria, për të dëshmuar se ishte duar jashtë në këtë akt, do të duhej jo të heshte apo të bënte presione që të mos lëshohen komunikata siç bëri ditën e parë, por me urgjencë të kërkonte ndihmën e ekipëve të vendeve partnere me eksperiencë shumë më të madhe sesa ekipet tona në sulmet kimike dhe me ndihmën e tyre të përcaktonte me saktësi shkakun e asaj që ndodhi.

Ky qëndrim, me sa duket qeverisë për arsye të veta, nuk i interesonte. Kështu që qytetarëve të lënduar dhe mbarë qytetarëve shqiptare iu lind e drejta të vënë shumë pikëpyetje mbi qëndrimin e qeverisë ndaj këtij sulmi kimik ndaj opozitës, të cilin qeveria në pamundësi për ta fshehur prapa tullumbacit përsëri nuk do që të paraqitet si i tillë.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe aktin terrorist ndaj opozitës, qëndrimin e dyshimtë të Edi Ramës dhe policisë, i bej thirrje prokurorisë të shtetit të hetojë me përparësi së pari të gjitha këto qëndrime dhe vonesa të qëllimshme, llojin e agjenteve apo agjentit kimik te përdorur në simulimin e sulmit kimik që u bë një javë më parë nga qeveria dhe dëmtimet që ai shkakton si dhe, me ndihmën e institucioneve partnere më të specializuara, të përcaktojë me urgjencë agjentin e përdorur në sulmin kimik me sa duket terrorist që u ndërmor kundër opozitës shqiptare!

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments