Nga Dashnor Kaloçi/ Si e mbytën në burgun e Burrelit, Koço Kotën, ish-kryeministrin e Shqipërisë

Historia tragjike e ish-deputetit, Ministrit të Brendshëm dhe dy herë Kryeministrit të Shqipërisë, të cilin komunistët e rrëmbyen në Greqi dhe e vdiqën në Burgun e Burrelit

Si e mbytën në Burrel Koço Kotën, ish-kryeministrin e Shqipërisë

Kush ishte Koço Kota, ku ishte shkolluar dhe nga ç’familje rridhte ai. Si u angazhua në jetën politike të Shqipërisë që nga viti 1912 kur Ismail Qemali e emëroi Kryesekretar në Ministrinë e Arsimit dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Lushnjes ku ai u zgjodh sekretar i Kongresit e Senator. Përse e përkrahu ai Ahmet Zogun dhe cilat ishin funksionet e larta që iu ngarkuan gjatë kohës së Monarkisë. Cili ishte qëndrimi i tij gjatë agresionit fashist të 7 prillit 1939, kur ai ishte Kryeministër i Shqipërisë dhe si e rrëmbyen komunistët shqiptarë në Selanik të Greqisë. Si e mbrojti atë avokati i tij Dr. Spiro Stringa në Gjyqin Special dhe vdekja e tij tragjike në Burgun e Burrelit

Xhaxhai im Kostaqi, apo Koço siç e thërrisnim ne në familjen tonë, u largua shpejt nga Korça dhe u vendos në Tiranë që para vitit 1920, për arsye se ai u muar me politikë. Ndryshe nga Koço, babai im Ilia që u diplomua në Stamboll për Drejtësi, jo vetëm që nuk u muar me politikë, por ai i thoshte sa herë Koços që të hiqte dorë nga politika.

Por Koço nuk e dëgjoi kurrë babain dhe ai u angazhua në politikë që fare i ri në Qeverinë e Ismail Qemalit, ku u emërua si Kryesekretar në Ministrinë e Arsimit. Ndonëse Koço punoi dhe luftoi një jetë të tërë në të mirën e Shqipërisë, që nga Kongresi i Lushnjes ku u zgjodh Sekretar i tij dhe më pas si Ministër i Punëve Botore dhe dy herë si Kryeministër i Shqipërisë, ai pati një fat tragjik. Pas mbarimit të luftës, ai u largua nga Athina ku ishte vendosur pas largimit të Zogut dhe u vendos në Selanik së bashku me dy shokëtë të tij, ish-funksionar të lartë të Monarkisë. Aty nga fillimi i vitit 1945, në shtëpinë ku banonte shkuan dhe e takuan tre oficerë të Sigurimit të Shtetit të cilët arritën deri aty të ndihmuar nga komunistët grekë që në atë kohë kontrollonin një pjesë të madhe të territorit të Greqisë ku përfshihej dhe Selaniku. Ata iu hoqën si nacionalistë dhe e gënjyen duke i thënë se duhet të kthehej me ta në Shqipëri, pasi do formohej një Qeveri koalicioni me komunistët e Enver Hoxhës. Ndonëse Koço nuk i besoi thëniet e tyre dhe nuk pranoi të kthehej, ata e morën me forcë në një furgon të mbyllur dhe e sollën në Tiranë ku e nxorrën para Gjyqit Special në marsin e vitit 1945. Fatkeqësisht Koços i doli fjala e vëllait dhe babait tim Ilias, i cili i kishte thënë që të mos përzihej në politikë. Kështu pas dënimit me burg të përjetshëm në Gjyqin Special, ai vdiq në mënyrë tragjike në qelitë e errta të Burgut të Burrelit”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 69-vjeçarja Kristina Kota, e cila rrëfen gjithë historinë e xhaxhait të saj, ish- Kryeministrit të Shqipërisë Koço Kota, i cili mori pjesë aktive në politikën shqiptare që në moshë fare të re në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe më pas në Kongresin e Lushnjes ku u zgjodh Senator, për ta vazhduar karrierën e tij të gjatë si deputet, Ministër i Brendshëm, i Punëve Botore si dhe dy herë Kryeministr i Shqipërisë. Po cili ishte Koço Kota, nga ç’familje rridhte ai dhe cila ishte e kaluara e tij? Ku u shkollua ai dhe si u angazhua për herë të parë në politikën shqiptare? Cilat ishin funksionet që mbajti Koço Kota nga viti 1912 e deri në vitin 1939 kur agresioni fashist italian i 7 Prillit, e gjeti në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Ku u vendos ai pas largimit nga Shqipëria dhe përse nuk e ndoqi nga pas Mbretin Zog, të cilit i kishte shërbyer me besnikëri për 20 vjet me rradhë në konsolidimin e Shtetit Shqiptar? Si e gjetën atë në Selanik oficerët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe si e rrëmbyen ata duke e sjellë me forcë në Shqipëri me ndihmën e komunistëve grekë? Cili ishte qëndrimi i Koço Kotës në Gjyqin Special në marsin e vitit 1945 dhe si e mbrojti atë avokati i tij Spiro Stringa? Përse e dërguan Koçon në Burgun e Burrelit dhe si vdiq ai në vitin 1949 nga torturat që i bënë atij dhe dy shokëve të tjerë të qelisë tij? Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje e fakte nga jeta e ish-Kryeministrit të Shqipërisë, hedhin dritë dëshmitë e mbesës së tij, 69-vjeçares Kristina Kota, dokumenti origjinal i mbrojtjes së avokatit të tij Spiro Stringa (të cilin e ka ruajtur i biri Pandeliu) si dhe rrëfimi rrënqethës i Avni Bejkovës, i cili ka qenë prezent në vdekjen tragjike të Koço Kotës në Burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin bashkë me të.

Kush ishte Koço Kota

Kristina Kota, së bashku me të motërn e saj Gallatën, (dy vjet më e madhe se ajo) janë të vetmet trashëgimtare nga familja Kota që jetojnë në Shqipëri, me të cilat ne morëm kontakte për të na rrëfyer diçka më shumë për xhaxhanë e tyre, ish-Kryeministrin e Shqipërisë i cili pati një fat tragjik. Kristina, tashmë në moshën 69-vjeçare, e cila jeton me familjen e saj në një shtëpi private diku në fillim të Rrugës “Qemal Stafa”, e priti me shumë kënaqësi qëllimin e vizitës sonë dhe u tregua e gatëshme për të dëshmuar rreth xhaxhait të saj. Lidhur me origjinën dhe të kaluarën e familjes Kota, Kristina shprehet: “Koço apo Kostaqi, siç është emri i tij i vërtetë i xhaxhait tim, u lind në qytetin e Korçës në vitin 1888, prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Gjyshi im dhe babai i Koços, quhej Nuçi Kota dhe në atë kohë ai merrej me tregti lëkurësh e importe të ndryshme nga Italia dhe Greqia. Koço ishte fëmija i dytë nga tre djem dhe një vajzë që kishte Nuçi Kota, i cili ndonëse nuk e kishte mbaruar shkollën e lartë, ishte njeri shumë praktik. Nga mosha, i pari prej xhaxhallarëve ishte Kristaqi, pas tij vinte Koço dhe më i vogli i tyre ishte babai im Ilia. Në atë kohë shtëpia e gjyshit Nuçit, ku u lindën dhe babai im me dy vëllezërit e tjerë dhe motrën Leonorën, ndodhej diku në afërsi të Kishës së sotme Orthodokse të qytetit të Korçës. Nga të katër fëmijët e Nuçit, vetëm babai im Ilia dhe Koço mundën të mbaronin shkollat e larta, kurse i madhi Kristaqi dhe vajza Leonora, mbaruan vetëm shkollat e mesme. Siç më ka treguar babai im Ilia, mësimet e para Koço i kreu në qytetin e lindjes në Korçë dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Ndërsa babai im Ilia u diplomua po për Drejtësi, po në Universitetin e Stambollit. Koço u martua fare i ri pas kthimit nga Greqia dhe me gruan e parë që i vdiq në moshë të re, ai kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Vajzat quheshin Tefta dhe Beatriçe, kurse djali kishte emrin e gjyshit, Nuçi. Koço u largua që herët nga shtëpia dhe pasi mbaroi Universitetin e Athinës, ai nuk u kthye më në qytetin e Korçës, pasi iu kushtua politikës. Në vitin 1912 ai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij duke punuar si Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në Qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali.

Dëshmia rrënqethëse e ish-të burgosurit të Burrelit Avni Bejkova, lidhur me vdekjen tragjike të ish-Kryeministrit të Shqipërisë Koço Kota dhe tre shokëve të tij të qelisë

“Ja si e mbytën Koço Kotën në qelitë e Burrelit”
Çfarë i thanë Koço Kotës në Selanik oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe si mundën ta rrëmbenin atë për ta sjellë në Shqipëri. Cili ishte qëndrimi i Koços në burgun e Burrelit dhe cilët ishin miqtë e tij të ngushtë që shoqërohej ai gjatë kohës që vuante dënimin në atë burg. Pse e nxorrën nga qelia Nr.17 ku vuanin dënimin ish-funksionarët e lartë të periudhës së Monarkisë dhe cilat ishin torturat që i bënë Koços dhe tre shokëve të tij: Vrioni, Bellkameni e Golja. Rrëfimi i ish-të burgosurit të Burreli i cili ndodhej në qelinë përballë asaj ku në korrikun e vitit 1947 u torturua për një muaj dhe dha shpirt ish-Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit shqiptar, Koço Kota

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, nëpërmjet rrëfimit të 69-vjeçares Kristina Kota, u njohën me një histori të shkurtër të ish-Kryeministrit të Shqipërisë Kostaq Kota, i cili u lind në qytetin e Korçës në vitin 1888. Sipas rrëfimit të mbesës së tij Kristinës, Koço u shkollua dhe u diplomua në Athinë për Shkencat Politike e që në moshë të re mori pjesë në Qeverinë e Ismail Qemalit, si Kryesekretar i Ministrisë Arsimit. Po kështu në shkrimin e djeshëm, u njohëm dhe me mbrojtjen që i bëri Koço Kotës në Gjyqin Special në marsin e vitit 1945, avokati i tij Dr. Spiro Stringa. Në atë mbrojtje, avokati i famshëm Stringa, argumentonte se klienti i tij ishte krejt i pafajshëm dhe kërkoi lirimin e tij në sallën e gjyqit duke thënë se Kota nuk kishte asnjë përgjegjësi për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në 7 prillin e 1939-ës, kur ai ishte në funksionin e Kryeministërit.

Në vitin 1920-të, Koço Kota mori pjesë në Kongresin e Lushnjes si deputet i Korçës ku u zgjodh dhe Sekretar i Kongresit. Dy vjet më vonë ai u emërua Prefekt i Beratit dhe pas ngjarjeve të Qershorit 1924, ai u largua nga Shqipëria sepse ishte përkrahës i Zogut”, kujton mbesa e tij, 69-vjeçarja Kristina Kota. Pas riardhjes së Zogut në fuqi në dhjetorin e vitit 1924, Koço Kota u emërua prej tij si Kolonel i Xhandarmërisë dhe u dërgua në rrethet e Jugut për të ristabilizuar situatën që ishte krijuar pas grushtit të shtetit të forcave fanoliste. Në zgjedhjet parlamentare që organizoi Ahmet Zogu pas rikthimit në pushtet, Koço u zgjodh deputet i Korçës dhe u emërua në postin e Ministrit të Punëve Botore. Pas kësaj në vitin 1925 ai u emërua në postin e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, duke i shërbyer me besnikëri Ahmet Zogut, i cili e vlersonte atë si një nga politikanët më të aftë që kishte në krah të tij. Nga viti 1925 e deri në vitin 1939, Koço Kota arrti në funksionet më të karta të shtetit shqiptar, si deputet, Kryetar i Parlamentit dhe Kryeministër i Shqipërisë. Ai ishte një politikan shumë liberal dhe në vitin 1938 Ahmet Zogu e dërgoi në Paris ku ishte vendosur një pjesë e madhe e mërgatës politike antizogiste, për të biseduar me ta që të ktheheshin në Shqipëri. Koço Kota u largua nga Shqipëria së bashku me Mbretin Zog, në 7 prill të vitit 1939 e u vendos në Selanik të Greqisë, duke mos u përzier fare me politikë.

Rrëmbimi në Greqi dhe Gjyqi Special

Gjatë gjithë periudhës së Luftës, (1939-1944) Koço Kota qëndroi në Greqi së bashku me familjen e tij, gruan Vasilikën, (ishte korçare, por kishte lindur në Stamboll) djalin Nuçin (ishte diplomuar në Francë) dhe dy vajzat, Teftën dhe Betariçen. Lidhur me mardhëniet e Koçs me vëllanë e tij Ilian, si dhe rrëmbimin e tij në Greqi, mbesa e tij Kristina dëshmon: “Babai im Ilia dhe familja jonë kishin mardhënie shumë të mira me Koçon dhe familjen e tij, edhe pse Koço ishte zogist, kurse babai im fanolist. Ne erdhëm e u vendosëm në Tiranë në vitin 1937 dhe babai punoi si avokat në Pazarin e Vjetër me kolegun e tij, Avokat Maçin. Pas largimit të Koços, më 7 prill 1939, ne qëndruam në Shqipëri dhe babai punoi përsëri si avokat, pa u përzierë fare me politikë. Edhe kur erdhën komunistët në pushtet në fundin e vitit 1944, ne nuk na ngacmuan dhe babai punoi përsëri si avokat. Qëndrimi i komunistëve ndaj familjes sonë, ndryshoi pas rrëmbimit të Koços në Greqi dhe dënimit të tij në Gjyqin Special. Siç më ka treguar babai im Ilia, aty nga fillimi i vitit 1945, dy-tre oficerë të Sigurimit shqiptar, me ndihmën e komunistëve grekë shkuan dhe e takuan Koçon në Selanik, ku ai ishte vendosur pas largimit të Zogut nga Greqia. Ata iu hoqën atij si nacionalistë duke e gënjyer dhe i kërkuan që të kthehej me ta në Shqipëri, pasi do të formonin një Qeveri koalicioni së bashku me komunistët e Enver Hoxhës. Ndonëse ai nuk i besoi thëniet e tyre dhe nuk pranoi të kthehej me ta, e morën me forcë dhe me një furgon të mbyllur e sollën deri në Tiranë, ku ai doli para Gjyqit Special. Gjatë senacave gjyqësore, Koço mbajti një qëndrim dinjitoz dhe nuk i pranoi akuzat që gjoja ai kishte favorizuar pushtimin e Shqipërisë dhe se kishte qenë agjent i grekëve e italianëve. Ndonëse avokati i tij Dr. Spiro Stringa, (me të cilin familja jonë kishte miqësi të ngusht) e mbrojti me mjaft kopetencë profesionale, ai u dënua me 30-vjet burg. Po t’ë ishin të vërteta akuzat që u bënë ndaj tij, patjetër që atë do ta pushkatonin si shumë të tjerë që u gjykuan në Gjyqin Special. Por Koço ishte krejt i pastër dhe kishte punuar e luftuar gjithë jetën, vetëm për interesat e Shqipërisë”, shprehet Kristina Kota, lidhur më rrëmbimin në Greqi të xhaxhait të saj dhe qëndrimin e tij në Gjyqin Special që u zhvillua në marsin e vitit 1945.

Persekutimi i familjes së Ilia Kotes

Pas dënimit të Koço Kotës dhe vdekjes së tij tragjike në Burgun e Burrelit, regjimi komunist u hakmorr ndaj familjes së vëllait të tij Ilias, pasi djali i Koços (Nuçi) dhe dy vajzat e tija Tefta dhe Beatriçja ishin larguar nga Shqipëria. Vëllai i Koços, Ilia, nuk ishte përzier asnjëherë me politikë dhe ndryshe nga ai kishte qenë simpatizant i Fan Nolit dhe përkrahësve të tij. Lidhur me persekutimin e familjes së Ilia Kotës, e bija e tij 69-vjeçare, Kristina dëshmon: “Pas vdekjes së Koços në burgun e Burrelit, ne na hoqën nga shtëpia dhe pasi na lanë disa kohë rrugëve, na çuan në Peqin ku babai punoi përsëri si avokat. Pas dhjetë vjetëve që na lanë në Peqin, ne vitin 1963 ne na kthyen përsëri në Tiranë, ku jetuam si mos më keq në një barakë jevgjish në lagjen Brrakë. Në atë kohë ne detyroheshim të shisnim plaçkat e shtëpisë për të siguruar bukën e gojës. Edhe pas rikthimit në Tiranë, ne disa herë tentuan që të na hiqnin dhe të na internonin në rrethe të tjera. Babai Ilia vdiq në vitin 1968, në moshën 86 vjeçare i abandonuar nga të gjithë miqtë dhe njerzit e afërt për shkak të biografisë sonë. Pas një viti vdiq dhe mamaja jonë Krisianthi. Më shumë nga të gjithë ne, vuajti motra ime Gallata, e cila punoi në bujqësi gjithë jetën”, e përfundon rrëfimin e saj 69-vjeçarja Kristina Kota për vuajtjet që kaloi ajo familje, për të vetmin shkak se xhaxhai i saj kishte shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë në kohën e Mbretit Zog, të cilin komunistët e kishin shpallur armik të përjetshëm

Fotografia e Agustin Miraka