Ish sigurimsi përgjues nuk pendohet dhe nuk kërkon falje. Bëmë detyrën

Aktualitet Intervista

Fatmira NIKOLLI

 

Nesti Vako ka punuar për 37 vite pranë “Shtëpisë me gjethe”, godina prej nga ku përgjoheshin shqiptarët në diktaturën komuniste. Tanimë si Muze Kombëtar i Përgjimeve, me dokumente, video, objekte, harta, ilustrime, rrëfime e incizime, ish-godina simbol e një sistemi që synoi kontrollin tërësor të ‘trupit e shpirtit’- ironikisht hedh dritë mbi mëkatet e veta. Njerëz që u përgjuan e u kontrolluan prej aty, janë dënuar falë atyre përgjimeve, për krime që në konceptin tonë sot, nuk janë krime, siç mund të jetë kritika ndaj pushtetit.


ISH-PUNONJËSI KRENAR
Ndryshe e sheh këtë godinë Nesti Vako, ish-punonjës i “Shtëpisë me gjethe”, kur ajo funksiononte si seli përgjimi, e kur dridhte gjunjët e kalimtarëve nga trotuari përballë. E ka nisur punën aty më 1969, me të mbaruar ushtrinë. “Kam punuar këtu që nga viti 1969 deri më 2006. Isha radioteknik, kur erdha atëherë këtu, më pas bëra shkollën e Sigurimit të Shtetit, edhe pse pasioni im ishin aparaturat, më tepër sesa për punën tjetër, që mund të bënte ndonjë tjetër”. Pasi mbaroi inxhinierinë, dha ndihmën e vet për aparatura me forcat tona, veç atyre kineze e sovjetike, që ishin blerë nga shteti. “Ndërtova edhe aparatura të tjera; bashkë me shokët, u ngrit ai laboratori. Njëfarë kohe isha edhe zëvendësshef i laboratorit, edhe shef i teknikës operative”, – rrëfen Vako. Shton se “merreshim me punë operative natyrisht, pastaj edhe me punë teknike. Të gjitha këto këtu kontrolloheshin nga unë, edhe puna operative, edhe teknike”.
Nuk ka brerje ndërgjegjeje, dhe as ka pasur. “Ndihesha normal. Në gjithë botën teknika operative është një nga punët agjenturiale operative me të cilën merren të gjithë, mbahet shteti me këto. I gjithë personeli i përfaqësive diplomatike që është në vendin tonë, po t’i shikosh, janë oficerë sigurimi. Me çfarë të drejte t’i gjykojmë që vijnë këtu ata oficerë sigurimi?! E ne të mos kemi?!” Ndërsa selia e përgjimeve bëhet muze, Vako veçse shprehet entuziast. “Më vjen shumë mirë që u hap, ta marrin vesh njerëzit që këtu ka qenë një institucion, një degë e Ministrisë së Brendshme, një degë që vërtetonte saktësinë e informacioneve, të rreme apo të parreme”.


VDEKJA, A NUK ERDHI PREJ ‘SYVE’ TË TILLË?
Në muze shfaqen video e dokumente që tregojnë se si përgjoheshin e dënoheshin me akuza që tingëllojnë qesharake, njerëz që kishin të lirë veç shpirtin. Disa prej tyre, shkuan drejt vdekjes. Vdekja, erdhi prej ‘syve’ të tillë, që përgjonin, ose që nuk reagonin, që miratonin, ose që heshtnin, që shtypnin një buton. Një klik. Asgjë më shumë, e dikush, shkonte drejt vdekjes.
Ish-punonjësi Nesti Vako, i pyetur pse përgjoheshin njerëz që shkonin drejt vdekjes, jep këtë kundërpërgjigje: “Unë kam dëgjuar, nuk e di nëse keni dëgjuar ju, që janë përgjuar Obama e Merkeli. Kur përgjohen ata, të mos më përgjojnë mua aktualisht?” “Por, sot nuk dënohesh me vdekje”, i drejtohet grupi i gazetarëve.
“Çfarë duhet të bëjnë sot prokuroria e gjykata nëse dikush kërkon të të vrasë e të të marrë peng?” – thotë Vako, me çka, justifikon më shumë përgjimin e sotëm se të djeshëm.
Vako, mohon të ketë qenë edhe vetë ai i përgjuar. Në fakt, a mund të mos përgjohej një njeri që përgjonte? Refuzon të pohojë se përgjohej, se ruhej, a se ndiqej. “Në asnjë mënyrë! Është një Platformë e Sigurimit të Shtetit, ku thuhet se institucionet shtetërore, ministritë, Kuvendi Popullor, ishin të ndaluara të përgjoheshin. Nëse kishte ndonjë problem ndonjëherë, ndiqej personi”.
Shumë prej pyetjeve për të djeshmen, marrin përgjigje me krahasime për të sotmen.
E pyesim nëse ndjen dhimbje për ata që kanë humbur jetën për një budallallëk. “Shiko, në fakt po ta shikosh, të gjitha zbulimet kanë punuar kundër vendit tonë. Në burgun e Burrelit kanë qenë dy, Kosta Fili, një major grek, i kapur këtu, e që vinte me misionin për të marrë lidhje me njerëz, për të dhënë keqinformime. Aty ka qenë Ethem Çako, që ruhej nga shteti ynë se mos e vrisnin. Në Amerikë u përgatitën Kasem Zhupa, Ethem Çako etj., u hodhën me parashutë; shqiptarët kundër shqiptarëve. “Çfarë do t’u bënin kur erdhën për të na vrarë?” – pyet ai, duke dhënë përgjigje për pyetjen e bërë.
Dhe nuk ndihet fare fajtor. “Nuk ndihem fare fajtor, sepse isha edhe pjesë e këtij sistemi që jemi tani. Kam parë se informatorë më shumë ka tani se atëherë; tani vijnë me lopatë, ndërsa atëherë ishin me miratim”.


NË KËRKIM TË (LEGJENDËS) DHOMËS SË TORTURËS,
GJEJMË NJË PËRRALLË
Në Tiranën e viteve 2000, ende flitej për një dhomë torture, me mure të lyera me gjak nga torturat në këtë godinë. E pyes Nesti Vakon se ku është ai bodrum. “Në bodrum ka kaldaja, për të ngrohur godinën. A mund të bëhet në mes të Tiranës tortura, kur janë rajonet? Kjo ka qenë zyrë që ne vërtetonim a i kemi informacionet mirë apo jo”, – thotë ai. Po në ’97-ën, shqiptoj, pa arritur të riprodhoj frazat e kahershme përsëritur në akuza politike, me ‘SHIK të Gazidedes’? Vako thotë krejt i qetë dhe i ftohtë: “Njëlloj. E njëjta gjë. Si më 1995, më 1996, më 1997 – kanë qenë njësoj”.
Por sa i lejohet atij të flasë për përgjimet që bëheshin, e përtej tyre, për çfarë ndodhte në godinë? “Ky është përgjimi që është bërë. Nëse ke pasur aktivitet, është dosja këtu, hapet ajo e shihet nëse ka pasur aktivitet, pse është dënuar. Teknika operative i vinte vulën, nëse ishte ashtu a jo. Nëse nuk ke pasur faj ti, por ai që ka spiunuar, i thoshin ‘ik ti se nuk je për ne’”.
E pyes pse të gjithë ata që kanë punuar në Sigurim fshihen dhe Vako del me emër, dhe thotë se “ne kemi saktësuar atë që ka bërë faj. Është marrë tjetërkush me atë punë. Nëse ka qenë burrë i ndershëm, i kemi thënë ‘bravo të qoftë’. E ka marrë vesh e ka thënë ‘faleminderit’”.
Për një njeri që nuk e ka njohur nga jashtë godinën, peshën e saj të rëndë, ndikimin e namin, nëse dëgjon këtë rrëfim, mundet me gjasë të besojë se flitet për Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. A qe kaq e pafajshme kjo godinë? Apo Nesti Vako nuk njeh vendin e punës? Apo nuk i lejohet të flasë më gjatë?
“A nuk po e bëni shumë të lehtë punën këtu? – e pyes. – Sikur e zbukuroni pak, ndërkohë që është ndërtuar një muze për të treguar terrorin”. Thotë menjëherë “Më fal, ky muze, këto që shihni këtu, nuk është i kësaj. Janë disa lloje punësh. Është survejimi, kontrolli, është agjentura që ka kontrolluar, vërtetimi- është saktësuar ke apo nuk ke aktivitet, është e saktë a jo. Jo për të gjithë, sepse hajdutin e zije me thes në krah”.
Rrëfen se një ditë normale pune, niste me kontrollin e aparaturave, nëse ishin a jo në rregull. “Edhe personeli, edhe këto, bënin a nuk bënin gabime”.
“GSH” shkroi dje për një nga gabimet, hapja pa dashje e një letre, dërguar Hoxhës, çka nuk lejohej. “Oh, mund të bëheshin, por ishte tjetër sektor ai. Vinin letrat nga jashtë, se kanë ardhur letra me solucion, eksploziv. Kontrolloheshin të gjitha. Dukje letra e bardhë, e po t’i vije solucion, shkruante për vendtakime. Këto viheshin në dosje, që kur të vinte koha për ta gjykuar, ti thoshe, ke edhe këtë. Çfarë do thoshte”.


SËRISH MBI NDJENJËN E FAJIT
Vako është sot i moshuar. Në muze ka ardhur i shoqëruar me familjarë. Ngulmoj të di, a ka ndjenjë faji që ka punuar në këtë godinë. “Përkundrazi, ndjej krenari, se kjo godinë ka qenë për të vërtetuar saktësinë. Nëse ndokush donte ta fuste në burg pa të drejtë, dënohej ai që donte ta dënonte. Kam mundur të shpëtoj njerëz. Nuk kisha frikë për veten, pse të kisha?! Po sot për çfarë do kisha frikë, të njëjtën gjë që bëja atëherë, kam bërë deri më 2006. Duhet të kenë frikë këta që punojnë? Si e mendoni ju?” – pyet Vako, një njeri që regjimin e lexoi në libra, por nuk e jetoi.
I kujtoj një shprehje të Amik Kasoruhos. “Ky muze u kushtohet atyre njerëzve të pafajshëm, të cilët u përgjuan, u kontrolluan, u spiunuan nga regjimi komunist, me pasojë arrestime, internime, burgosje, ekzekutime dhe shumë dënime të tjera të rënda… Atëherë ndoshta nuk e kuptoja, por më vonë e kam menduar se paskan pasur një kurajë të pacipë këta njerëz që nuk kanë kërkuar falje…”
“Shiko, dëgjo, të kërkojnë falje ata që kanë bërë gabime…”

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?