Nga Kastriot Myftaraj/ Enea Jorgji është Edi Rama

Analize

Asgjë e ngjashme me penalltinë e mohuar ndaj Latifit në ndeshjen “Kukësi”- “Skënderbeu” nuk është bërë në favor të “Skënderbeut”, aq më tepër në ndeshje vendimtare, në kohën që rivalët e “Skënderbeut” ankoheshin se klubi korçar kishte mbështetje qeveritare. Nëse “Skënderbeu” ka pasur mbështetje politike para vitit 2013, asnjëherë nuk ka ndodhur që Presidenti i tij të jetë një figurë politike e partisë në pushtet, si Safet Gjici, që ka qenë dhe është kandidat për deputet, për kryetar bashkie, prefekt etj. Unë përsëri them se “Kukësi” e meritonte një trofe të Supërligës për shkak të performancës së tij në pesë sezonet e fundit, por jo në këtë mënyrë, me një president kandidat për deputet, pesë javë para zgjedhjeve. Kjo kapërcen çdo gjë të parregullt që ka ndodhur në futbollin shqiptar.
Në ndeshjen “Kukësi”- “Skënderbeu” gjyqtari i vërtetë në fushë, si kryesor dhe anësor nuk ishin Enea Jorgji dhe Denis Rexha, por ishte Kryeministri Edi Rama. Nëse ka pasur ndonjë dyshim për atë se kush do ta fitojë Superligën në sezonin 2016-2017, ky dyshim ka pasur të bëjë me mëdyshjen e Kryeministrit Rama se cili klub duhet ta fitonte këtë trofe. Në shkurt, Rama mendonte se Superligën duhet ta fitonte “Partiçami”, çfarë u bë “Partizani” kur president i këtij klubi u bë miku i Edi Ramës, Gaz Demi. Edi Rama në atë kohë bënte llogari politike që t’ i kishte çamët aleatë politikë kryesorë për të kompensuar LSI-në, të cilën donte ta braktiste pas zgjedhjeve. Prandaj “Partiçami” duhet të fitonte Superligën. Është e vërtetë se kryetari i partisë së çamëve është Shpëtim Idrizi, por dihet se Gaz Demi vlen sa dhjetë Shpëtim Idrizë, sa i përket ndikimit te çamët.
Dhe sipas kësaj skeme politiko-sportive, Edi Rama ishte në fushë si Enea Jorgji në ndeshjen “Partizani”- “Vllaznia” të 4 shkurtit të këtij viti. Penalltia që Jorgji dha për “Partiçamin” në këtë ndeshje ishte akt i mafies së futbollit në veprim.
Më vonë llogaritë politike të Edi Ramës ndryshuan, ai nuk kishte më interes për çamët si aleatë politikë. Tashmë Ramës i interesonte politikisht që Superligën ta fitonte “Kukësi” që të siguronte kapital zgjedhor kandidati i tij për deputet në Kukës, Safet Gjici, Presidenti i Kukësit. Dhe Edi Rama ishte përsëri në fushë si Enea Jorgji për të bërë atë që bëri.
Gjykimi i Enea Jorgjit në ndeshjen “Kukësi”-“Skënderbeu” ishte diçka e ngjashme me sjelljen e rojeve të kompanisë së “sigurisë” të Safet Gjicit në “transportin” e 6 milion eurove të “Union Bank”, pak kohë më parë.
Kur Kryeministri vendos fituesin e ligës kryesore të futbollit në vend, a mund të besohet se ai nuk do të ndërhyjë për të manipuluar zgjedhjet parlamentare? As në vendet diktatoriale të Azisë Qendrore nuk ndodh që sundimtari të përcaktojë klubin kampion të vendit në futboll. Enver Hoxha nuk e bëri kurrë sa kohë ishte në pushtet. Ata që ishin poshtë tij rivalizonin për të mbështetur “Partizanin” apo “Dinamon” por vetë diktatori nuk pati kurrë interesa të tillë. Ai madje e shpalli veten tifoz të “Besës” së Kavajës, për arsye që nuk i shpjegoi kurrë.
“Skënderbeu” duhet ta kishte braktisur ndeshjen në momentin që iu mohua penalltia pas pengimit ndaj Latifit, sepse që nga ky moment nuk kishte më ndeshje, por farsë të mafies së futbollit në shërbim të Kryeministrit. Që nga ky moment ndeshja nuk ishte më një çështje sportive, por një çështje penale dhe me të duhej të merrej dhe të merret Prokuroria e Shtetit. Nëse thuhet se ka hetime për manipulimin e ndeshjeve dhe nuk quhet vepër penale sjellja e Enea Jorgjit në Kukës, atëherë çfarë tjetër është e tillë?
Ndeshja “Kukësi”-“Skënderbeu” është një tregues se në vend është vendosur një regjim që kërkon kontroll tërësor të shtetit dhe shoqërisë. Fakti që kjo gjë ndodhi pas marrëveshjes Rama-Basha, që do të jepte garanci për mospërdorim politik të institucioneve shtetërore për të deformuar votën në zgjedhje, tregon pavlefshmërinë në praktikë të kësaj marrëveshjeje. Kur Edi Rama përdor edhe FSHF si instrument për qëllime politike zgjedhore, imagjinoni çfarë do të bëjë me institucionet e tjerë ku PD ka vënë disa manikinë anonimë si garantë, në postin e ministrave dhe drejtorëve./Kastriot Myftaraj

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?