Shefat e shërbimit, kriteret e reja për spitalet universitare/ Ja vendimi Qeverisë

Ekonomi

Ola MITRE

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtuesve të shërbimit, në spitalet universitare. Sipas VKM-së, të miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë, drejtuesi i shërbimit do të përzgjidhet në bazë konkurrimi, ndërkohë që në tabelën bashkëngjitur shkrimit, “Gazeta Shqiptare” publikon të plota kushtet që duhet të plotësojnë personat e interesuar në momentin e hapjes së konkurrimit. Procedurat për përzgjedhjen e drejtuesit të shërbimit shëndetësor universitar do të nisin nga rektorati i Universitetit Mjekësor të Tiranës, ndërkohë që përzgjedhja e kandidaturave do të bëhet nga një komision i posaçëm, i ngritur me urdhër të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i cili ka në përbërje të tij një përfaqësues nga Rektorati, Dekanati i IAL-së, struktura shëndetësore universitare, MAS dhe MSH. Pas shpalljes së datave, ky komision do të publikojë dhe kriteret e vlerësimit të çdo dosjeje.

Konkurrimi

Sipas vendimit të qeverisë, kandidatët për drejtues të shërbimeve do të aplikojnë për pozicionin përkatës për një periudhë prej 15 ditësh kalendarike, duke nisur nga 1 muaj para datës së konkurrimit. Kërkesa e tyre duhet të shoqërohet me curriculum vitae, vetëdeklarimet bazuar në legjislacionin në fuqi, kopje të noterizuar të dokumentacionit përkatës provues të plotësimit të kritereve dhe të kartës së identitetit, si dhe projektin për zhvillimin e shërbimit. Kjo kërkesë dorëzohet pranë zyrës së burimeve njerëzore të fakultetit, pjesë e të cilit është shërbimi ku do të konkurrojnë. Pas kësaj faze, kandidatët do të paraqiten ditën e konkurrimit për të kryer intervistën me komisionin, e cila ka për qëllim prezantimin e projektit të kandidatit për zhvillimin dhe drejtimin e shërbimit. Projekti duhet të paraqesë të dhëna dhe produkte konkrete të matshme, të cilat do të shërbejnë më pas si bazë për vlerësimin e punës së drejtuesit të ardhshëm të shërbimit që i ka paraqitur ato. Komisioni do të vlerësojë projektin e paraqitur, ndërkohë që angazhimet e paraqitura nga kandidati në projekt do të bëhen pjesë e kontratës që kandidati lidh nëse ai shpallet fitues me strukturën shëndetësore universitare. Do të jetë pikërisht ky komision që do të bëjë renditjen e kandidaturave që aplikojnë për postin e drejtuesit të shërbimit shëndetësor universitar, ndërsa emërimi do të bëhet nga MAS dhe MSH. Sipas vendimit të qeverisë, kandidati fitues do të lidhë kontratën me drejtuesin e strukturës shëndetësore universitare, pjesë e së cilës është shërbimi përkatës. Nëse ai vjen nga jashtë strukturave të IAL-së, fiton automatikisht edhe pozicionin e pedagogut me kohë të plotë, me kontratë me kohë të pacaktuar pranë IAL-së përkatëse. Drejtuesi i shërbimit drejton shërbimin për 4 vjet, me të drejtë rikandidimi.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?